EmailFacebookKontakt

Mesazh i Kryepiskopit Anastas me rastin e Pashkës 1994

+ Anastasi

Me mëshirë të Perëndisë, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë

Klerit të devotshëm dhe popullit shpresëtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Fort të shtrenjtë, bij më Krishtin,

I

“Edhe asnjeriu s’i thanë gjë; sepse kishin frikë” – (Marku 16.8). Mbase na çudit kjo frazë, me të cilën përfundon pjesa e Ungjillit që lexohet natën e Pashkës. Mes kulmit të fitores së Ngjalljes, e pranishme edhe frika; së bashku me heshtjen. Ishte aq tragjik përjetimi nga të gjitha ato që ndodhën në Golgota, por edhe aq e fuqishme tronditja nga mesazhi i engjëlt përpara varrit bosh, saqë edhe nxënëset më të devotshme të Krishtit “i zunë të dridhura dhe ngelën të habitura”.

Druajtjen, frikën dhe heshtjen, që imponon realiteti i ashpër dhe urrejtja e egër e armiqve të Krishtit, i kanë njohur në veçanti edhe të krishterët orthodhoksë të Shqipërisë. Për më tepër që hija e rëndë e së kaluarës nuk është larg. Ndoshta, drsa vëzhgues, të guximshëm në sigurinë e tyre të rehatshme, habiten dhe gjykojnë pa menduar. Frikën dhe heshtjen mund ngandonjëherë ta jetojnë edhe ata që e duan Krishtin në mënyrë të padiskutueshme dhe guxojnë TA pasojnë Atë deri në Golgota dhe TA kërkojnë “që pa gdhirë” në agimet e thella të një epoke të re.

Por, këto ndjenja të rënda përcaktojnë vetëm një fazë. Pason lajmi i Ngjalljes, që përmblidhet në shërbesën e Pashkës në “Krishti u ngjall….”. Dhe ky lajm, i përsëritur në buqeta të njëpasnjëshme dritëplota gëzimi, thyen heshtjen, shpërndan frikën dhe përcakton të ardhmen. Pra, sa e natyrshme dhe e ligjshme është ngadonjëherë të shfaqet frika në jetën tonë, vëllezër të mi, aq më tepër e pajustifikueshme është të qendrojë në zemrat e atyre që besojnë se Krishti u ngjall.

Nga se të kemi më frikë? Planet dhe gracrkat e atyre që përbuzin Krishtin? Fuqia e Atij që u ngjall i shpërndan kërcënimet, siç shpërndan era tymin dhe zjarri shkrin qiriun. “Do të humbasin si tymi në erë, do të shkrijnë si dylli përpara zjarrit”. Sado që kundërshtarët e Krishtit duken të fuqishëm dhe të paskrupullt, Zoti i ngjallur ka fjalën e fundit. Nëpërmjet Kryqit dhe Ngjalljes së tij fuqitë demonike, që janë shkaku i urrejtjes, i luftës, që janë arsyeja e së keqes, u mundën plotësisht, edhe pse në disa drejtime këto fuqi rezistojnë dhe kanë arritje të përkohshme. Zoti i ngjallur është Omega, fundi i historisë. Rrjedhimisht edhe i historisë sonë.

Apo mos vallë do të na trembin varfëria e zgjatur, padrejtësia dhe pasiguria? Premtimi se Krishti i Ngjallur, “Ai që përmban gjithësinë” dhe Gjykatësi i drejtë është me ne na mbështet. Por, as fajet tona të vjetra, mëkatet e mohimet nuk mund të brengosin zemrën. Sigurisht, përderisa të jemi penduar dhe të kërkojmë mëshirën e Atij që u ngjall. “Asnjë të mos qajë për faje, se ndjesa lindi nga varri”. A mos vallë frika e dhimbjes, e sëmundjes, e prishjes apo madje edhe hija e vdekjes, kanë të drejtën të rëndojnë shpirtërat tanë? “Asnjë le të mos ketë frikë nga vdekja, se na çliroi vdekja e Shpëtimtarit”. “Zoti që dërrmoi vdekjen” me Ngjalljen e Tij zhduk prishjen, që u rrënjos me mëkatin në natyrën njerëzore, “dhe me Pësimin shpëtimtar na stolisi me jetën që nuk vdes”. Vështrimin plot shpresë dhe parashijimin e fitores për fundimtare mbi çdo gjë që shtrëngon qenien njerëzore, kremtojmë ditën e Pashkës.

II

Përshëndetja e Krishtit të ngjallur drejtuar nxënësve të tij të trembur, që ishin mbyllur në një vend të sigurt “nga frika e Judejve”, qe: “Paqe mbi ju” (Joani 20.19). Në kushte të vështira, atëhere kur jemi pa rrugëdalje dhe ndihemi të dobët para të fuqishmëve të çdo kohe, Zoti i ngjallur vjen përsëri “nga dyer të mbyllura”, për të ridhënë mesazhin, përshëndetjen, premtimin “Paqe mbi ju”.

Mesazhi është i qartë: “M’u dha çdo pushtet, në qiell dhe mbi dhe” (Math. 28.18). Për të theksuar në mënyrë të pakundërshtueshme se ishte Krishti i kryqëzuar dhe për të shpjeguar pa fjalë sesi arriti fitoren, “u tregoi atyre duart dhe brinjën e Tij” (Joani 20.20). Paqja, të cilën Krishti u dhuroi nxënësve të Tij dhe gjithë botës, u sigurua me flijimin e Tij, me plagët e Tij, me Kryqin e Tij. Ai mbetet simboli, përmbledhja, rrënja mistike e paqes, që solli në jetën tonë.

Por, përshëndetja e Atij që u ngjall, përcakton gjithashtu detyrimin tonë dhe mënyrën e plotësimit të tij. “Paqe mbi ju” u përsëriti Krishti nxënësve të Tij të frikësuar. “Ashtu si Ati më dërgoi mua, edhe unë po ju dërgoj ju”. Nxënësit nuk shkojnë me aftësinë e tyre. Krishti i Ngjallur i dërgon të vazhdojnë veprën e shpëtimit dhe të paqes, që Ai e filloi dhe e plotësoi, i dërguar nga Ati i Tij. Ashtu edhe gjithë nxënësit e Krishtit gjatë shekujve kemi një mision: Të punojmë për një paqe të përgjithshme; paqe me Perëndinë, me veten tonë, me çdo figurë njerëzore, me krijesën, me botën mbarë.

Fjala “ashtu” përcakton gjithashtu mënyrën, karakterin e nxënësve të Krishtit në përmbushjen e detyrimit dhe të luftës sonë për paqen. “Ashtu si më dërgoi mua Ati…” Jo me pushtetin politik a ekonomik, por me fuqinë e dashurisë së painteres, të përulësisë së sinqertë, të maturisë, të vetëmohimit dhe të vetësakrifikimit heroik, të fuqisë mistike të pafuqisë sonë më Krishtin.

Burimin e kësaj fuqie e zbulon vazhdimi: “Dhe si tha këto, fryu dhe u tha atyre: Merrni Shpirtin e Shenjtë.” (Joani 20.22) Do të jeni lajmëtarët, faktorët e paqes, jo nga vetja juaj, por nga veprimi i vazhdueshëm i Shpirtit të Shenjtë brenda jush. Kjo “fryrje”, fryma, qe unaza e Pendikostisë. Gjithmonë egziston një shprehje e trinishme e paqes, të cilën Zoti i ngjallur shpall te nxënësit e tij: Paqja që vjen nga Kreu i paafrueshëm hyjnor, Ati, nëpërmjet veprës shpëtimtare të Birit brenda në histori, dhe vazhdohet pandërprerë brenda në kohë, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Shpirti i Shenjtë, me energjitë e tij të panjohura dhe të pakonceptueshme për ne, aftëson njerëzit në të gjitha gjatësitë dhe gjerësitë e botës dhe historisë, të jenë njerëz të paqes, duke bërë madje edhe mrekulli, atëhere kur të gjitha rreth nesh janë të mbyllura.

Mes dritës së Ngjalljes, pra, le t’i urojmë njëri-tjetrit: Krishti u ngjall! Larg frika dhe shqetësimi nga mendja dhe nga zemra. Paqja e Pashkës le të sundojë në shpirtrat tanë; dhe le të punojmë që të mbizotërojë në mjedisin tonë të ngushtë, në vendin tonë dhe në rajonin më të gjerë ku jetojmë. Krishti u ngjall!

Tiranë Pashkë 1994

***

Ngjallja e Iisuit

(Mat. 28:1 – 8; Lluk. 24:1-12; Joani 20:1-10)

1 Dhe si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakovit, dhe Salomia, blenë aroma për të shkuar që ta lyenin. 2 Dhe në mëngjes herët të ditës së parë të javës, erdhën në varr, në të lindur të diellit. 3 Dhe po thoshin midis tyre: Kush do të na e rrokullisë gurin nga hyrja e varrit? 4 Dhe kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur; dhe ai ishte shumë i madh.

5 Dhe duke hyrë në varr, panë një djalë të ri, që rrinte në të djathtë, të veshur me një rrobë të bardhë, dhe u trembën. 6 Por ai u tha atyre: Mos u trembni. Ju po kërkoni Iisu Nazaretasin që u kryqëzua; ai u ngjall; nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë. 7 Por shkoni t’u thoni nxënësve të tij, dhe Petrit, që ai po shkon para jush në Galile; atje do ta shikoni, ashtu siç ju ka thënë. 8 Dhe ato, me të dalë, ikën me vrap nga varri, se i kishin kapur të dridhura dhe kishin mbetur pa mend, dhe nuk i thanë gjë askujt se kishin frikë.

***

Shfaqja e Iisuit te nxënësit

(Mat. 28:16-20; Mark. 16:14-18; Lluk. 24:36-49)

19 Dhe në mbrëmje të po asaj dite, që ishte e para e javës, duke qenë të mbyllura dyert atje ku ishin mbledhur nxënësit, nga frika e Judejve, Iisui erdhi e ndenji aty në mes, e u tha atyre: 20 Paqe mbi ju! Dhe si tha këtë, u tregoi atyre duart e brinjën. Nxënësit, pra, kur panë Zotin, u gëzuan. 21 Atëherë Iisui u tha atyre përsëri: Paqe mbi ju! Ashtu si Ati më dërgoi mua, edhe unë po ju dërgoj ju. 22 Dhe si tha këto, fryu mbi ta e tha: Merrni Shpirtin e Shenjtë. 23 Atyre që do t’u falni mëkatet, do t’u jenë falur; dhe atyre që nuk do t’ua falni, do t’u mbeten të pafalura.