Në Shqipëri, pas rihapjes së Kishës, predikimi i Lajmit të mirë, Ungjillit të Krishtit, ka qenë dhe do të mbetet detyra kryesore e saj. Për këtë në shumë qytete të Shqipërisë, pranë Kishave Orthodhokse janë ngritur dhe funksionojnë grupe katekizmi për mosha të ndryshme. Edhe në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses, në Tiranë, sivjet për të tretin vit, janë ngritur dhe funksionojnë grupe katekizmi, si për fëmijë, ashtu dhe për të rinj.
Eshtë ngritur grupi i katekizmit për të rinjtë që dëshirojnë të pagëzohen dhe që drejtohet nga At Martin Ritz. Gjithashtu janë ngritur grupe katekizmi edhe për fëmijë, të cilët drejtohen nga At Kristaq Sharko dhe dhiaku Sotir Xhaferri, si dhe nga të rinj, anëtarë të Lidhjes Rinore Orthodhokse ” Bij të Dritës”. Një ndihmesë të madhe në përgatitjen e katekistëve jep dhe motër Filothei, e cila na qëndron pranë duke na ndihmuar për të kryer sa më mirë këtë detyrë të shenjtë.
Interesimi i fëmijëve dhe i të rinjve është i madh, dhe numri i atyre që ndjekin kurset e katekizmit pranë Kishës, ka arritur në rreth 80 vetë. Disa prej tyre tashmë janë pagëzuar, por shumë të tjerë dëshirojnë të pagëzohen, dhe të nisin kështu një jetë të re, duke pranuar Zotin dhe Shpëtimtarin Iisu Krisht si udhëheqës në jetën e tyre. Afrojuni pra Krishtit dhe do të merrni dritë nga drita që s’perëndon.
Genti Gjika