Nga të gjitha shpellat sa bëri Krijuesi në tokë, kjo është më fatlume dhe e bekuar. Nuk qe as më e bukura, as më e madhja. Por u bë më e lavdishmja, se u bë më e gjerë se qiejt dhe gjithësia, përderisa zuri në një cep të saj ” të Panxënëshmin”
Shpella e Vithleemit është deri sot, një shpellë e vogël rreshpore. Ajo strehonte bagëtitë e pakta të pronarit të saj, deri sa strehoi Krijuesin e gjithçkaje.
Vithleemi, që do të thotë ” Shtëpi Buke”, është një qytezë arabe me pak blerim, ullinj dhe vreshta. Ndërtesat në ngjyrë të errët, pa ngushëllim. Vështrimi pengohet dhe errësohet.
Por sa të arrish lutës në këtë vend të Judesë, deri atëherë të panjohur, nuk të shkon mendja për ngushëllime edhe bukuri tokësore. Mjafton që mikpriti e para burimin e ngushëllimit dhe të bukurisë dhe mezi pret të arrish në kishën madhështore të ndërtuar nga e shenjta mbretëreshë Eleni.
Kisha, që është bazilike triklite, mahnit me madhësinë dhe madhështinë e saj. I tillë pallat i kishte hije Krijuesit të gjithçkaje, por që erdhi papritur si i huaj dhe i varfër. Pa e njohur asnjë tjetër veç Nënës së Tij të Tërëshenjtë. Syri i lutësit nuk prehet te kolonat dhe mermerët. Me agoni kërkon cepin ku lindi Ai. Kisha është ndërtuar mbi Shpellën. Pak shkallë e zbresin lutësin në vendin ku u mbështoll në pelena Përulësia e Skajshme. Atë natë Vithleemi nuk mund të nxinte as zogjtë. Në cepin e Shpellës që Josifi i Drejtë e gjeti me mundim të madh, shumë pranë hyrjes u krye Mrekullia e Mrekullive.
Një tryezë e Shenjtë, me kandile të argjendta dhe të arta rreth saj, mbulon vendin që strehoi në momentet e para Perëndinë mbi tokë. Vendin poshtë Tryezës Shën Eleni e shtroi me më të bukurin mermer të bardhë. Një yll i madh tregon pikërisht vendin e Lindjes.
As lotët, as dënesat, as thirrjet gazmore, as heshtja nuk janë të afta të balancojnë Hirin që përmbyt ” gjithë nyjet dhe veshkat dhe zemrën”, porsa të arrish si lutës në Shpellën e Shenjtëruar. Përjetime tërësisht të panjohura, që plasaritin zemrat edhe gurët. Të gozhdon një frikë adhuruese hyjnore, që mposht ndjenjat, zemrën, intelektin, gjithçka. Askush sado i ri që të jetë asnjë nuk ka fuqinë të mbajë kokën lart. Të gjithë, të rinj, priftërinj, të pasur dhe lypsarë, të drejtë dhe mëkatarë, prekën ” me duart e tyre dhe sytë e tyre” mrekullinë.
Dhe ndërsa besimtarët shohin me sytë e tyre ” Ku lindi Krishti” dhe falen te vendi që e strehoi për të parën herë, shumë afër, pikërisht jashtë hyrjes së shpellës, ata që nuk besojnë ngelen të verbër e indiferentë.
Kanë etje për jetën, por Jetën e kanë në krah dhe nuk e njohin.
Mijëra që shkojnë lutës në Vithleem, zemra u ngelet aty; ata gjejnë strehë në Shpellën e Shenjtë, ku ” e festuesve të Lindjes Hyjnore e pandërprerë është hareja dhe ngazëllimi i pashprehur”