Ditën e festës së Lindjes së Zotit tonë Iisu Krisht, besimtarët vinin në kishë në orën 3 të natës. Po natën, sa dilnin nga kisha, hahej edhe ”dreka” e Kërshëndellës, në dritën e llambave. Pasi ishte mbajtur e gjithë kreshma, më në fund vihej mishi në tavolinë.
Gëzimi i madh i Krishtlindjes ishte për djemtë në 17 vjeç dhe për fëmijët. Djemtë vinin në orën 12 të natës, duke gdhirë 24 nëntori dhe quheshin sipas traditës kolendarë. Ata merrnin ikonën e Shën Mërisë me Krishtin. Një fëmijë mbante një tëner me zhama, ku digjej një qiri, një tjetër ikonën, një tjetër mbante fletoren ku shënoheshin lekët që mblidheshin.
Mblidheshin djemtë e tri lagjeve e fillonin t’u binin portave që nga fillimi i fshatit, me çekanë druri e shkopinj. Pasi të zotët u hapnin dyert, ata hynin brenda dhe kjo konsiderohej se sillte mbarësi. Këngën për Lindjen e Krishtit e këndonin në dhomën ku kishte fëmijë të vegjël. Pas këngës, të gjithë puthnin Ikonën. Gjyshja e shtëpisë iu vinte lekët mbi ikonë. Në çdo familje ziheshin misra me sheqer, që u jepeshin kolendarëve. Kur kishte, ndaheshin edhe gështenja. Mbasi largoheshin, në oborr hidheshin misra pa sheqer, që në mëngjes t’i hanin pulat e të shkonte mbarë e të bënin vezë e të nxirrnin zogj.
Natën e kolendarave në çdo shtëpi ziheshin edhe kulaçë me qiqra. Në mëngjes vinin fëmijët e vegjël, me qese pëlhure të varura në qafë, me çekanka të vogla druri të zbukuruara me bojëra e i binin portës. Të zotët dilnin e ju shtinin kulaçka në qese, si dhe misra e gështenja. Kënga që këndonin kolendarët në mesnatë ishte:
Zotri e zonja,
Vijmë t’u tregojmë
U lind Krishti jonë
Vijmë t’u gëzojmë
Sa çudi e madhe
O mister i fellë
Zoti fuqimadhi
Lindi në një shpellë
Magët që nga lindja
Me të parë Ylli
U tretnë u verdhë
U bënë si Dylli
Kënga mbyllej me një urim për zotërit e shtëpisë.
Ditën e Krishtlindjeve uroheshin emrat e atyre që quheshin Kristaq. Meshë në Kishë çonin edhe burrat e tjerë që nga 20 vjet e deri sa kishin fuqi për punë (pendartët). Vinin 6 meshë në një sepet të zi, mbështjellë me një peshqir të mirë. Një meshë ishte për priftin ndërsa një që këndohej nga ai çohej në shtëpi ku e pritnin copa-copa dhe e vendosnin në një enë të rrumbullaktë të madhe e të thellë, të punuar bukur. Naforën e vinin pranë një ikone të Shën Mërisë, të cilën e vinin në kishë. Duke dalë nga kisha njerëzit merrnin naforë e pendarto* (Po ky zakon ishte dhe në festat e shenjtëve)
Ditën e Kërshëndellave çupave të fejuara ju dërgonte vjehrra kolendarë e peshqesh të vogël. Po të njëjtën gjë bënte edhe nëna e çupës, e cila vinte më shumë dhurata për dhëndrin.
Këto ishin disa nga zakonet në fshatin tonë me rastin e Krishtlindjeve, që po rigjejnë jetë çdo vit e më shumë pas rihapjes së kishave.
At Viktori, Ziçisht