EmailFacebookKontakt

Nga Ungjilli sipas Llukait – Profecia e Zaharisë, Lindja e Iisuit, Barinjtë dhe engjëjt

Nga Ungjilli sipas Llukait

Profecia e Zaharisë

67 Dhe Zaharia, babai i tij, u mbush me Shpirtin e Shenjtë; e profetizoi duke thënë: 68 ” I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, se erdhi dhe çliroi popullin e tij. 69 dhe na ngriti bri shpëtimi në shtëpinë e Davidit, bir i tij; 70 ashtu siç kishte folur që në lashtësi me anë të gojës së profetëve të tij të shenjtë y): 71 një që do të na shpëtojë nga armiqtë tanë dhe nga duart e gjithë atyre që na urrejnë. 72 Kështu ai u dha përdëllim etërve tanë dhe u kujtua për dhiatën e tij të shenjtë; 73 për betimin që i bëri Avraamit, atit tonë z); 74 me qëllim që të na lejojë që, me të shpëtuar nga duart e armiqve tanë, ta adhurojmë atë pa frikë zh); 75 me shenjtëri e drejtësi ab) përpara tij, gjithë ditët e jetës sonë. 76 Dhe ti, o foshnjë, do të quhesh profet i të Shumëlartit, se do të shkosh përpara fytyrës së Zotit, 77 për të përgatitur rrugët e tij ac), për t’i dhënë popullit të tij lajmin e shpëtimit me anë të faljes së mëkateve të tyre ad). 78 në sajë të zemërgjërësisë së Perëndisë tonë, me të cilën na vizitoi që lartazi Lindja, 79 për të ndriçuar ata që rrinë nën errësirë e në hije të vdekjes ae), për të drejtuar hapat tanë në rrugën e paqes”.

80 Dhe djali rritej e forcohej në shpirt af); dhe ndenji nëpër shkretëtira deri ditën në të cilën do të shfaqej në Izrael.

Lindja e Iisuit

1 Dhe në ato ditë doli nga Çezar Augusti një urdhëresë që të regjistrohej e gjithë bota. 2 Ky regjistrim i parë u bë kur guvernator i Sirisë ishte Kuirini. 3 Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. 4 Edhe Josifi u ngjit në Galile, nga qyteti i Nazaretit, në Jude, në qytetin e Davidit, të quajtur Vithleem, se ishte nga shtëpia dhe fisi i Davidit a), 5 për t’u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e tij, që ishte shtatzënë. 6 Dhe ndërsa ata ishin atje, asaj iu mbushën ditët për të lindur; 7 dhe ajo lindi birin e saj të parëlindur b), dhe e mbështolli në shpërgënj, dhe e vuri në një grazhd, sepse nuk kishte vend për ta në bujtinë.

Barinjtë dhe engjëjt

8 Dhe po në atë vend ishin disa barinj që rrinin në ara dhe natën bënin roje në tufën e tyre. 9 Dhe engjëlli i Zotit erdhi tek ata, dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre, dhe atyre u hyri një frikë e madhe c). 10 Dhe engjëlli u tha atyre: Mos u frikësoni, se ja, po ju sjell lajmin e mirë për një gëzim të madh që do të ketë gjithë populli d): Se sot, në qytetin e Davidit ju lindi një shpëtimtar, i cili është Krishti Zot e). 12 Dhe kjo do t’ju shërbejë si shenjë: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me shpërgënj e të shtrirë në një grazhd.

13 Dhe përnjëherë, me engjëllin u duk një numër i madh i ushtrisë qiellore k), që lavdëronin Perëndinë e thoshin: 14 Lavdi Perëndisë që është në të lartat g) dhe paqe mbi tokë gj), ndërmjet njerëzve, mirëdashje h). 15 Dhe kur engjëjt ikën prej tyre në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: Shkojmë, pra, deri në Vithleem të shohim ç’ka ngjarë, e që Zoti na bëri të ditur. 16 Dhe ikën me nxitim, e gjetën Marinë e Josifin dhe foshnjën e shtrirë në grazhd; 17 dhe si e panë, treguan për atë që u ishte thënë atyre për këtë foshnjë.

18 Dhe të gjithë ata që dëgjonin, u mahnitën nga ato që u thanë atyre barinjtë. 19 Dhe Maria i ruante në vetvete gjithë këto fjalë, duke i menduar në zemër të saj. 20 Dhe barinjtë u kthyen, duke lavdëruar e himnuar Perëndinë për gjithë ato që kishin dëgjuar e parë, siç u ishte thënë atyre.