EmailFacebookKontakt

Takime midis Kishës Orthodhokse dhe asaj Orientale

– Në kërkim të rrugëve të afrimit –

Nga data 1-14 nëntor 1993, së bashku me at Martin Ritsin, morëm pjesë si të deleguar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në dy mbledhje të rëndësishme, që u zhvilluan në Gjenevë të Zvicrës. Kontaktin e parë, mjaft të ngrohtë, e patëm në selinë e Patrikanës Ekumenike, me Fortlumturinë e tij Damaskinon.

Gjatë javës së parë (1-6 nëntor) u zhvilluan takime midis përfaqësuesve të Kishave Orthodhokse me Kishat motra Orientale, me qëllim gjetjen e rrugëve të afrimit e bashkimit të këtyre kishave. Merrnin pjesë delegacione nga të gjitha Patrikanat dhe Kishat Autoqefale, ndërsa nga Kisha Orientale: Kisha Kopte dhe ajo e Armenisë. Së fundi u arrit në një komunikatë të përbashkët dhe u shënua një përparim në afrimin e dy Kishave.

Në mbledhjen e dytë, nga 7-13 nëntor, që ishte një mbledhje panorthodhokse, ku sërish përfaqësuam Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, u diskutua për problemet e Kishave të diasporave, të Kishave Autoqefale dhe të atyre Autonome. Gjatë mbledhjeve u zhvilluan debate të shumta dhe në fund u arrit në një komunikatë të përbashkët të të gjitha Kishave.

Paraqitja për herë të parë e një delegacioni zyrtar të KOASh në mbledhje të këtij niveli, u prit me shumë ngrohtësi e vëmendje nga të gjithë dhe u vlerësua si një ngjarje historike. Nuk mund të mos përmend trajtimin e nderuar që na u rezervua në çdo çast, si gjatë mbledhjeve edhe në Meshat apo pritjet e zhvilluara.

Gjithashtu delegacioni ynë u ftua dhe bëri një vizitë në qendrën e Këshillit Botëror të Kishave, ku për vite me radhë, Kryepiskopi Anastas ka mbuluar denjësisht sektorin e misionarisë, duke lënë një emër të mirë dhe mirënjohje, të cilën e ndjemë tek të gjithë personalitetet e këtij Këshilli që takuam. Në këto vizita na u premtua se edhe do të ndihmohet konkretisht në ringritjen e Kishës sonë.

U larguam nga Gjeneva me përshtypjet më të mira dhe të ngrohta, nga dashuria e treguar nga gjithë vëllezërit e Kishave motra, të cilat në çdo çast shprehën shpresën dhe besimin në përparimin e Kishës sonë, me në krye Fortlumturinë e Tij Anastas.

at Joan Trebicka

Epitrop i përgjithshëm leratik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë