EmailFacebookKontakt

Përshkrimi i Ikonës së Hyrjes në Kishë të Hyjlindëses

Agjiografi orthodhoks, me bazë informatat e Traditës së Shenjtë dhe të doktrinës dogmatike të Kishës sonë lidhur me figurën e Hyjlindëses së Tërëshenjtë, kompozon në mënyrë analoge dhe ikonën e së kremtes.

Figura kryesore e ikonës është ajo e Mëmës 3-vjeçare të Perëndisë. Paraqitet në momentin që e pret në Kishë kryeprifti Zaharia, më vonë babai i Joan Pararendësit dhe Pagëzorit të Krishtit. E shoqërojnë prindërit e saj, vajza të reja, që mbajnë llambadhe të ndezura.

E Tërëshenjta nuk paraqet asgjë fëminore, përveç madhësisë së vogël të shtatit të saj. Kjo bëhet qëllimisht. Agjiografi orthodhoks dëshiron të na largojë nga detaji i rrëfimit (vajzë trevjeçare) për të perceptuar kuptimin më të thellë, dimensionin eklesiastik të ngjarjes. E Tërëshenjta është Hyjlindësja, Mëma e Perëndisë, ndaj edhe paraqitet si grua e rritur, me veshjen e saj të njohur, siç e shohim edhe në gjithë ikonat e tjera.

Të Tërëshenjtën e pasojnë prindërit e saj të moshuar, që me fytyra të rrudhura, por të gëzueshme, duke përulur me adhurim kokën zgjasin duart mirëbërëse duke i dhuruar Perëndisë dhe njeriut Mëmën e Madhe. Bija e tyre është fryti i jetës së Shenjtë, dhe i lidhjes së tyre të pandërprerë adhuruese me Perëndinë. Eshtë vlerësim i dorëzimit të tyre absolut te Ai dhe te vullneti i Tij i Tërëshenjtë. Eshtë fitorja e vitalitetit të tyre të shenjtë, zgjidhja e shterpësisë së Annës dhe njëkohësisht ndërprerja e shterpësisë shpirtërore të mbarë botës.

Familjen e Hirshme e pasojnë gjithashtu vajza të reja duke mbajtur në duart e tyre llambadhe të ndezura të cilat kanë si qëllim që t’u tregojnë dhe t’u shfaqin besimtarëve llambadhen shpirtërore të Tërëshenjtën; të paralajmërojnë gjithashtu shkëlqimin e ardhshëm që do të flakëronte prej saj dhe do të ndriçonte njerëzit, gjithë sa gjendeshin në errësirën e mëkatit, d.m.th Dritën e paperëndueshme, Iisu Krishtin. për më tej, e gjithë skena përbën një simbol të jetës virgjërore monakale, e parë dhe frymëzuese e së cilës është Hyjlindësja, e para mësuese dhe udhërrëfyese e murgjve.

Shumë ikona të Hyrjes në Kishë të Hyjlindëses kanë në pjesën e sipërme majtas të Tërëshenjtën, të ulur në fron të mermertë, duke marrë ushqim qiellor nga Kryeengjelli Gavriil.

Eshtë kjo kujtesë e dorëzimit të plotë të saj në vullnetin e Perëndisë dhe të Shenjtërimit të saj të plotë shpirtëror dhe trupor, që vetë ajo të bëhet “E shenjtë e të Shenjtëve” dhe të nxejë me shpresëtari brenda saj mbarë qiellin. E gjithë ikona e Hyrjes në Kishë të Hyjlindëses lëshon dritë, gëzim, frymëzim dhe shpresë.

+ MM