Mbas aderimit të sukseshëm në radhët e organizatës botërore “Syndesmos” në maj të 1993, për Shoqatën Rinore Orthodhokse Shqiptare “Bijtë e Dritës” u hapën horizonte të reja në çdo fushë të aktivitetit dhe jetës së saj. Një nga mundësitë e krijuara ishte çarja e vetizolimit të formuar në vite dhe çlalja në skenën ndërkombëtare. Duhet theksuar se ashtu si emri i orthodhoksisë shqiptare filloi të lartësohej në arenën botëror, falë kjo përpjekjeve dhe punës së jashtëzakonshme të Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit tonë Anastas që me hirin e Perëndisë e nxori atë nga gjendja paralitike duke i dhënë shtytje të fuqishme përpara, po ashtu dhe vetë rinia orthodhkse pësoi shndërrimet e saj të influencuara nga rilindja gjigande e vetë orthodhoksisë në Shqipëri. Ky shndërrim i dha shanset rinisë që të ketë zërin e saj, jehona e të cilit të mos dëgjohet vetëm brenda kufijve shtetërore, por edhe jashtë tyre.
Dhe në të vërtetë nuk vonoi shumë por vetëm pak muaj mbas krijimit të shoqatës “Bijtë e dritës” një ftesë tjetër i bëhet rinisë sonë. Ishte rinia orthodhokse ballkanike këtë rradhë që na ftonte në një takim të përgjithshëm në Rumani. Qëllimi i takimit konsistonte në përpjekjen dhe dëshirën e mirë të të rinjve ballkanas për të pasur një shoqatë rinore orthodhokse. Iniciativa e guximshme dhe njëkohësisht fryt i punës së kryer gjatë disa viteve, bënë që të ndërrmerrej një hap i tillë në Rumani. Takimi u mbajt në një manastir të krahinës së Moldavisë. Vend me një peizazh ideal me lëndina, pyje të mrekullueshme me drurë të drejtë si dhe shkëmbinj të lartë, me ujëra që rrëshqisnin me hijeshi në trupat e tyre. Bukuria e këtij vendi ku përfaqësuesit e rinisë qëndruan për rreth një javë ndoshta qëndronte në faktin që dora e diktatorit Çausheskut nuk kishte mundur dot të depërtonte deri këtu dhe në pamundësi e kishte lënë atë të virgjër, ashtu siç e krijoi dora e Perëndisë.
Nga Shqipëria shkuam në këtë takim tre studentë anëtarë të shoqatës “Bijtë e dritës” ndër të cilët unë me cilësinë e kryetarit të shoqatës, zv/kryetari i shoqatës Roland Bugaviki dhe studenti i theologjisë Jorgo Papadhopulli. Dua të theksoj se patëm një pritje shumë të ngrohtë nga ana e vëllezërve tanë orthodhoksë nga vendet e Ballkanit, pritje e cila u pasua dhe u plotësua në bisedat tepër miqësore dhe vëllazërore ndërmjet orthodhoksëve të vërtetë me bindje dhe me shpirt besimtari.
Ishte një javë intensive që si qëllim kryesor kishte shqyrtimin e programit të organizatës, program i cili do të ishte jetik me të ardhmen e saj. Ky program pati shumë diskutime dhe mendime nga të gjithë anëtarët e mbledhur, diskutime që zinin pjesën më të madhe të ditës, e cila fillonte me lutjet e mëngjesit në kishën e manastirit dhe vazhdonte më pas me shqyrtimin e pikave të programit dhe para mbrëmësores duke patur një prezantim kombëtar të çdo vendi. Ishte shumë i emocionuese për grupin tonë kur i erdhi radha Shqipërisë të prezantohej para të tjerëve. Në këtë prezantim bëmë një ekspoze të historisë së vendit si dhe të jetës fetare në të shkuarën dhe atë aktuale. Fjala u prit me një interesim të përgjithshëm nga ana e të pranishmëve dhe në fund pati dhe duartrokitje. Më pas delegatë nga vende të ndryshme drejtuan pyetje si dhe ofruan ndihmën e tyre për problemet dhe nevojat tona dhe të Kishës sonë Orthodhokse. Ishte me të vërtetë hera e parë që rinia jonë ishte hapur dhe me forcë edhe pa eksperiencë në rrugën e saj të sapo nisur, kjo fjalë ishte plot ide, mendime dhe shpirt optimist, veti që duhet të karakterizojë çdo të krishterë.
Ndërkohë mbas një pune të palodhshme të të gjithë të pranishmëve dhe në veçanti të grupeve të punës u arrit të konsolidohej plotësisht programi i organizatës e cila mori emrin “Shoqata Rinore Orthodhokse Ballkanike” (B.O.Y.A). Ishte gëzim i veçantë për të gjithë përfundimi i punës së kësaj konference të parë të B.O.Y.A., gëzim i cili u nderua me ardhjen e Hyësisë së tij episkopit Daniel të Moldavisë. Ai dha bekimin e tij për punën e organizatës në të ardhmen dhe na ftoi për ta festuar këtë ngjarje. Kështu u mblodhëm të gjithë rreth një zjarri të madh në një lëndinë para manastirit ku rrotull tij kërcyem dhe kënduam këngët tradicionale të çdo vendi.
Tashmë kjo shoqatë ka gjithashtu dhe këshillin drejtues i cili u zgjodh me vota të lira nga ana e anëtarëve, ku edhe Shqipëria ka përfaqësuesin e saj si zëv/president u zgjodh Andi Nikolla.
Andi Nikolla
Kryetar i Shoqatës së të rinjve orthodhoksë “Bijtë e Dritës”