EmailFacebookKontakt

Presidenti i Sindesmos për Kishën tonë

Ajo që Kryepiskopi Anastas e bën me shumë kujdes, me shumë përpjekje dhe mendoj me sukses të madh, është forcimi i unitetit të Kishës.

Në një intervistë dhënë në revistën fetare greke “Kisha e Pireut” presidenti finlandez i Organizatës Botërore të Rinisë Orthodhokse – Sindesmos, At Heikki Huttunen, midis të tjerave iu referua edhe vizitës së tij në Kishën tonë në majin e kaluar, duke thënë:

… Sindesmos u ftua në fillim. Sindesmos u ftua nga Shqipëri nga Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas për të zhvilluar një seminar për rininë në bashkëpunim me Kryepiskopatën. U mblodhën rreth 100 të rinj, studentë të Shkollës Teologjike dhe përfaqësues nga zonat e ndryshme të Shqipërisë. Ky numër prej rreth 100 të rinjsh dhe të rejash me besim të madh dhe përkushtim te Kisha është mjaft i madh. Shumë prej tyre ishin pagëzuar kohët e fundit, janë të zjarrtë në besim dhe kanë ndërmend t’i shërbejnë Kishës. Por natyrisht që kanë nevojë në çdo gjë. Çdo gjë duhet të kryhet nga fillimi. Sindesmos u ftua nga Kryepiskopi për të kontribuar aty…

Ndërsa lidhur me projektet e ardhshme të Sindesmos për Kishën Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri, u shpreh:

Ky takim pikësëpari ishte një projekt në vetvete. Ishim 5 vetë nga Sindesmos, 2 nga Greqia, 1 nga Amerika, 1 nga Libani edhe unë. Dhamë disa leksione për punën me të rinjtë dhe krijuam disa grupe pune, të gjitha këto si një Seminar i parë për rininë në Shqipëri. Programojmë një bashkëpunim më të madh me Kishën e Shqipërisë, për të fuqizuar sektorin e katekizmit dhe për krijimin e disa kampeve për të rinjtë orthodhoksë në Shqipëri.

Natyrisht, Sindesmos do të ndihmojë në ristrukturimin e kishave, të Shkollës Teologjike dhe në çdo gjë që do të duhet.

Ajo që Kryepiskopi Anastas e bën me shumë kujdes, me shumë përpjekje dhe mendoj me sukses të madh, është forcimi i unitetit të Kishës.

Siç e dini, orthodhoksët në Shqipëri kanë origjinë të ndryshme. Një pjesë kanë origjinë shqiptare, të tjerë greke, të tjerë vllahe, të tjerë sllave. Por Kisha është e bashkuar, një Kishë e vetme orthodhokse e Shqipërisë dhe me një ndjenjë të fuqishme të pjesëtarëve se i përkasin asaj, i ofrojnë mbështetje Kryepiskopit të tyre dhe Sindesmos është me këtë frymë.