E dalë e shkatërruar nga errësira ateiste Kisha jonë duhej patjetër të përqëndrohej në disa prioritete të detyrueshme. Ndër më të parat, ishte dhe rindërtimi dhe restaurimi i kishave. Mbi 1600 të shkatërruara, të tjera, të lëna në mëshirë të fatit, kërkonin riparime themelore. Diçka u bë, që në fillim nga besimtarët, por nuk mjaftonte. U desh ndihma nga besimtarë nga SHBA, Greqia, Qipro, Australia, Evropa, si dhe nga Këshilli Ekumenik Evropian, që ky program të ecte përpara, gjithmonë nën kujdesin direkt të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas.
Restaurimi i atyre ekzistuese
Fatkeqësisht ende nuk janë kthyer një pjesë e konsiderueshme e kishave më të rëndësishme, që mbijetuan si “monumente kulture”, për të filluar studimet rreth tyre dhe për të përcaktuar nevojat. Madje, shpesh restaurim do të thotë edhe ringritje nga themelet.
Kështu, po nisin restaurimet e kishës së Tërëshenjtëve në Himarë, si dhe asaj të Kryeengjëjve në Gjirokastër. Eshtë gati dhe projekti për ringritjen e kishës së Manastirit të Shën Kozmait, si dhe synohet të avancohet me projektet e restaurimit të kishës së Shën e Premtes në Përmet.
Projekte prioritare janë edhe ringritjet e manastireve të shkatërruara pjesërisht ose plotësisht, si ai i Shën Jon Vladimirit pranë Elbasanit dhe Shën Joan Pagëzorit në Voskopojë, (nën kontroll të reparteve ushtarake), apo ai i Ardenicës (që shfrytëzohet ende në mënyrë të turpshme dhe fyese si qendër turistike). Jemi në prag edhe të ringritjes të Shën Vlashit në Durrës, objekti i parë që u shkatërrua në çmendurinë satanike të 1967-s.
Vend të veçantë zë edhe risjellja në gjendjen e mëparshme të kishave të përdorura për qëllime të tjera. Janë përgatitur projektet për kishën e Kavajës që qe kthyer në pallat kulture, të Shën Gjergjit në Durrës – restorant etj.
Ndërtime të reja tradicionale
Këtu hyn ngritja e kishave me materiale që gjenden në vend, sipas mënyrës tradicionale. Kështu, janë bërë punët e fundit në kishën e Shën Todhrit në Vlorë, atë të Selenicës, pa përmendur dhjetëra kisha të vogla fshatrash, që po ndërtohen me mjetet e vendit, dhe të ndihmave që vijnë nga jashtë.
Kanë filluar punimet për kishën e Shën Harallambit në Sarandë, dhe së shpejti shpresohet të katedrales të Korçës.
Janë projektet edhe për një katedrale në Durrës, Pogradec, për rikonstruksionin e Shën Prokopit. Pritet leja dhe dhënia e trojeve për qytetet e mëdha si Shkodra, Berati, Fieri etj.
Kishat e reja parafabrikat
Një risi kjo për vendin tonë, e realizuar mbi bazën e porosive të bëra firmave të specializuara greke të Selanikut e Athinës. Me një nga këto firma përfundoi kisha e Bilishtit, kisha e varrezave në Korçë dhe programohet edhe ndërtimi i 10 kishave në zonat e Korçës e Myzeqesë. Me një firmë tjetër janë filluar punimet për kishën e Delvinës dhe janë për përgatitje 5 kisha në zonën e Memaliajt, Patosit, Kuçovës etj.
Kishat parafabrikat kushtojnë më shumë se ato tradicionale, por u bënë të domosdoshme për shkak të nevojave e kërkesave ngulmuese të besimtarëve.
Thoma Dhima