EmailFacebookKontakt

Informacion nga bota e krishterë

Rusi

Në vazhdim të përpjekjeve për riorganizimin e Kishës Ruse, Patrikana e Moskës ka hapur në muajt e fundit edhe 4 dioqeza të reja në Siberi, në rajonet e Kurganit, Jakutisë, Kamçatkës dhe Sahalinit.

Vetëm 6 vjet më parë territori i pamatë i Siberisë kishte 3 dioqeza, ndërsa tani numri i tyre arrin në 12.

Një tjetër seli për mësimin e lartë orthodhoks, Universiteti orthodhoks i Rusisë, ka hapur sivjet portat. Ai i shtohet Institutit Sant Tikhau, të përuruar vitin e shkuar.

Amerika e Veriut

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Amerikës përgatitet të përkujtojë dyqindvjetorin e orthodhoksisë në Amerikë. Ajo nis nga viti 1794, kur Sinodi i Shenjtë i Rusisë dërgoi në ishujt Aleutine dhe Alaskë, që në atë kohë bënin pjesë në Perandorinë Ruse, misionarë të zgjedhur midis murgjërve të manastirit të Valaamit. Me këtë rast do të zhvillohen një seri përkujtimesh liturgjike, si dhe manifestimesh fetare e kulturore, që do të zhvillohen midis shtatorit 1993 shtatorit 1994.

Rumani

Me iniciativën episkopit të Moldavisë, në manastirin e Duraut, është krijuar një qendër kulturore për të rinjtë, që shërben edhe për aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. E themeluar në shekullin e XVI, komuniteti i murgjërve të Duraut ka ruajtur të gjallë deri më sot traditën orthodhokse. Rrotull manastirit në kohën e regjimit komunist ishin ndërtuar edhe 5 vila për nomeklaturën, që iu bashkangjitën projektit,

SHBA

– Më shumë se 1 për qind e popullsisë së SHBA janë orthodhoksë-

Sipas një sondazhi të Institutit Gallup rreth 1 për qind e popullsisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë orthodhokse. Kjo do të thotë rreth 3 milionë njerëz. Por, në sondazh thuhet se kjo është shifra vëtëm e atyre që e praktikojnë besimin, ndërsa numri i përgjithshëm i atyre që deklarojnë se i përkasin traditës orthodhokse është rreth 5 milionë.

Mali i Shenjtë

Për të evituar “pushtimin” turistik të Malit të Shenjtë, për të mbrojtur kushtet e jetës manastiriale, janë vendosur rregulla të reja që kufizojnë numrin e vizitorëve që hyjnë. Ata s’mund të jenë më shumë se 120 në ditë. Në këtë numër nuk përfshihen klerikët.

Finlandë

Shoqata e rinisë orthodhokse finlandeze mbushi 50 vjet nga krijimi i saj. Ajo u krijua më 1943 për t’iu përgjigjur nevojave të krijuara nga zhvendosja e popullsisë orthodhokse të Karelisë si pasojë e luftës finlandezo-ruse.

Zvicër

Më shumë se 1 banor në 100 në Zvicër i përket besimit orthodhoks.

Në 10 vjetët e fundit numri i tyre është dyfishuar, duke arritur në 72 mijë.