EmailFacebookKontakt

Shën Dhimitri – një figurë e madhe shpirtërore

– Udhëheqës i ndritshëm i të rinjve. Atlet i dalluar i besës –

Në qiellin e periudhës së parë të Kishës së krishterë të përndjekur, Shën Mitri qëndron si një meteor i ndritshëm, që shkëlqen e do të shkëlqejë nga herë. Prejardhja e tij aristokratike dhe posti i lartë që zinte në ushtrinë romake – ishte qeveritar i Selanikut – nuk e pengonin që ai të merrej dhe me veprimtari të tjera. I armatosur me armët e Perëndisë, që i tregon Shkrimi i Shenjtë, domethënë me besën e nxehtë, me të vërtetën, me drejtësinë dhe me dhuntitë e tjera të Shpirtit të Shenjtë, ai iu përvesh edhe një lufte të madhe shpirtërore. Punoi me zell të madh për përhapjen e besës së krishterë edhe ndër të tjerët në ato kohëra shumë të rënda. Guximi i tij i madh, karakteri i fortë, fuqia e fjalëve dhe në përgjithësi tërë personaliteti i tij tërhiqnin pranë vetes sidomos rininë. Tek ai rinia e krishterë e kohës kishte gjetur udhëheqësin e saj të denjë. Sa e sa probleme që u krijonte mosha e tyre dhe sidomos persekutimet e tmerrshme të besës së krishterë nga perandorët Dioklecian dhe Maksimilian, gjenin zgjidhjen e tyre me ndërhyrjen e urtë të Shën Mitrit.

Me kontributin e çmuar të tij ishte në gjendje rinia të mposhte rreziqet që kërcënojnë vazhdimisht moshën e tyre e të përballonte me sukses armiqtë e besës. Pranë tij rinia gjente zemrën e ngrohtë që e kuptonte dhe sidomos shembullin e gjallë të jetës së krishtere të tij.

Prania e Shën Mitrit midis të rinjve e të rejave të kohës së tij, ishte diçka më tepër se e çmuar. Ishte ajo që kanë nevojë edhe sot të rinjtë e të rejat tona, që kanë dalë në dritë nga errësira e ateizmit dhe e materializmit, është nevoja për praninë imponuese e pa interes të disa personave që e ndjejnë shpëtimin rinor, të etur për ideal e besë dhe të cilët, morën inisiativën për t’i grumbulluar ata, dhe formuan pranë Kishës dhe nën drejtimin shpirtëror të saj, shoqatën e tyre të Rinisë orthodhokse shqiptare. Të rinjtë kërkojnë praninë imponuese e pa interes të atyre që do t’i kuptojnë dhe i mbajnë së bashku vështirësitë e ecjes ngjitëse për në qiell. Këtë, pra, kërkojnë edhe sot të rinjtë e të rejat tona orthodhokse: harmoni midis fjalëve dhe jetës së atyre që do t’i mësojnë. Kërkojnë me këmbëngulje shembullin dritëdhënës që do t’i frymëzojë të bëjnë një jetë paqësore e të dobishme.

Shën Mitri ka vazhduar me praninë e tij dinamike, të gjallërojë, të forcojë dhe të frymëzojë rininë e kohës së tij, megjithëse e dinte ku do ta shpinte ajo veprimtari: Fara e besës që kish mbjellur me aq dorë të lirë Apostull Pavli në Selanik, duhej vaditur dhe me gjakun e tij.

Shën Mitri, edhe nga burgu i tmerrshëm ku e kishin hedhur për veprimtarinë e tij të shumanshme në dobi të Kishës, vazhdonte ta frymëzonte rininë e krishterë.

Në gjirin e rinisë së Selanikut bënte pjesë dhe një i ri trup-shkurtër me emrin Nestor, i cili me bekimin e Shën Mitrit mundi Lieun, armikun më të rrezikshëm të të krishterëve, duke korrur kështu një fitore të lavdishme të krishtërimit kundër paganizmit.

Kjo fitore pati njëkohësisht si përfundim daljen e dy shenjtorëve të rinj për kishën, e dy martirëve të Krishtërimit, të Nestorit e të Shën Mitrit. Ajo ndeshje e së vërtetës me gënjeshtrën pati gjithashtu si përfundim që Shën Mitri të shpallet dëshmor i madh dhe miroblit: dëshmor i madh se duroi me qëndresë të habitshme torturat më barbare dhe miroblit sepse brenda nga varri i tij buronte një lëng erëmirë dhe bekimtar.

Të gjithë shenjtorët tanë i karakterizojnë erërat e mira të virtyteve. Shenjtorët janë nga të krishterët më të përsosur, sepse ata janë shenjtëruar nëpërmjet një jete të pastër dhe me përkushtimin e tyre të plotë te Zoti dhe Shpëtimtari ynë Iisu Krisht. Janë ata që me jetën dhe shembullin e tyre, na frymëzojnë për herë për një jetë më të lartë, më të shenjtë, më të drejtë e më të pastër dhe me qenien e tyre pranë Zotit, përherë ndërmjetojnë për ne.

Le të frymëzohemi edhe ne nga besimi i tyre i fortë, nga zelli i tyre misionar, nga përkushtimi i tyre te Perëndia, nga dashuria e tyre për të gjithë dhe sidomos nga jeta e tyre sipas mësimeve dhe porosive hyjnore e në mënyrë të veçantë nga jeta e dëshmorit tonë të madh Shën Mitër Miroblitit, kujtimin e të cilit kremtojmë më 26 tetor dhe i cili ndërmjeton përherë pranë Zotit për ne dhe gjithë botën.

[Foto: Shën Mitrin Kisha e Shën Mërisë, Maligrad Viti 1345]

B.