I himnojmë ata që kanë durim.
Jak. 5:11
Në letrën Hebrenjve apostull Pavli vë përpara kristianëve si model durimin e Zotit tonë Iisu Krisht, nga i cili duhet të frymëzohemi të gjithë dhe të forcohemi në pësimet dhe trishtimet e jetës së përditshme.
Por, pse Krishti është modeli i durimit? Sepse provoi trishtimet më të mëdha gjatë kohës së jetës së Tij të mbidheshme dhe sepse këto vuajtje dhe trishtime i duroi i pamëkatshëm dhe i pafajshëm me shumë këmbëngulje e durim prej shpellës së Vithleemit deri në kodrën e Golgothasë.
Në Dhiatën e Re bëhet shumë fjalë për durimin që duhet të kenë të krishterët, sa duan t’i pëlqejnë Perëndisë dhe të marrin çmimin e jetës së amëshuar.
Ç’është durimi? Fuqia shpirtërore me anën e së cilës i krishteri përballon me guxim të gjitha trishtimet dhe kundërshtimet e kësaj jete. Durim do të thotë të mbajmë me zemërgjerësi padrejtësitë që na bëhen pa pasur kundërnjerrejtje. Durim është të presim me siguri plotësimin e premtimeve të Perëndisë, pa u mërzitur në rastet e këqija që paraqiten, as të dyshojmë aspak për çdo gjë që thotë e premton Perëndia. Pa këtë durim nuk është e mundur t’i pëlqejmë Perëndisë, sepse edhe nuk është e mundur pa këtë virtyt, të qëndrojmë besnikë në dëshirën e Perëndisë.
Në jetën tonë janë paraqitur dhe do të paraqiten kaq raste, do të zhvillohen kaq ngjarje, shumë herë të papritura e të paparashikuara, saqë vetëm virtyti i durimit, po të jetë, mund të na ruajë nga e keqja e madhe e mjerimit dhe e dëshpërimit dhe të na mbajë në dëgjesën e Perëndisë. Ose, mos vallë nuk i shohim çdo ditë? Sëmundja dhe vdekja, dhimbja dhe loti, psherëtima dhe trishtimi, janë shorti i njerëzve të vdekshëm mbi dhe, dhe asnjë sado i lartë që të ngrihet nuk mund të largojë vuajtjet dhe mjerimet, mërzitjet dhe trishtimet.
Perëndia premton se do të ngushëllojë të munduarit dhe do të përkrahë ata që u privohet e drejta, dhe se madje po të mbeten besnikë në dëshirën e Tij do t’i shpërblejë me çmimin e pavdekshëm të jetës së amëshuar.
Por të shumtët e njerëzve, duke mos pritur plotësimin e premtimeve të Perëndisë, madje, duke u skandalizuar në disa raste nuk kanë durim, pastaj edhe blasfemojnë kundër kujdesit Hyjnor dhe së fundi shkëpusin lidhjen e disiplinës me ligjin e Perëndisë. Nga kjo fatkeqësisht vuajnë dhe mundohen shumë njerëz, duke mos mundur të mbështesin gjëkundi zemrat e tyre, rrihen nga erërat e dëshpërimit dhe çohen në mes të detit të jetës si anije pa komandë, të përcaktuara të mbyten dhe të fundosen.
Ja përse në Dhiatën e Re, në Ungjillin e Shenjtë bëhet shumë fjalë për durimin. Vetë Zoti ynë Iisu Krisht tha: “Me durimin do të fitoni shpirtrat tuaj” (Lluk. 21:19). Apostull Pavli na nxit që të ecim me durim në ndeshjen e virtytit (Hebrejtë 12:7), sepse për durim kemi nevojë që të bëjmë dëshirën e Zotit. Jakovi i shenjtë jo vetëm na porosit që vepra e durimit të jetë e përsosur (1:4), por edhe i çmon të denjë ata që kanë durimin dhe thotë: “I himnojmë ata që kanë durim” (5:11). Kështu duhet të kuptojmë vlerën dhe nevojën e durimit, pa të cilin rrezikojmë të mbytemi në detin e jetës.
Shembull i durimit
Në letrën Hebrenjve apostull Pavli vë përpara kristianëve si model durimin e Zotit tonë Iisu Krisht, nga i cili duhet të frymëzohemi të gjithë dhe të forcohemi në pësimet dhe mundimet e jetës së përditshme.
Por, pse Krishti është modeli i durimit? Sepse provoi mundimet më të mëdha gjatë kohës së jetës së Tij të mbidheshme dhe sepse këto vuajtje dhe mundime i duroi i pamëkatshëm dhe i pafajshëm me shumë këmbëngulje e durim prej shpellës së Vithleemit deri në kodrën e Golgothasë.
Ungjijtë e Shenjtë megjithë historikun e shkurtër të jetës së Zotit tonë japin informata të mjaftueshme, të cilat vërtetojnë qartë se jeta e mbidheshme e Krishtit qe një seri e vazhdueshme mundimesh, të cilat nuk i provoi në mënyrë të ngjashme tjetër njeri mbi dhe. Kur ta mendojmë se Krishti zbriti nga lartësia e Hyjnisë, dhe u bë njeri, që të durojë sa duroi megjithëse ishte tërësisht i pafajshëm, kuptojmë atëherë mirë se jo vetëm nuk provoi kurrë asnjeri sa duroi Krishti, por as edhe do të provojë kurrë një njeri mbi dhe.
Duke qenë Bir Perëndie lindi në shpellën e varfër të Vithleemit. I padëgjuar midis të padëgjuarve banoi në Nazaret, dhe në moshën rreth 30-vjeçare u shfaq në predikimet publike, që të Ungjillëzojë Shpirtin e njerëzimit dhe të bëjë, të njohur shfaqjen e Mesias që pritej në personin e tij. Por si e kaloi jetën e mbidheshme të Tij Krishti?
Ungjillorët e Shenjtë na tregojnë se Krishti pati uri dhe etje dhe ndjeu lodhje, duke punuar për shpëtimin tonë, të dhenve të humbur. Ai vetë e bëri të qartë se gjatë gjithë jetës së Tij të mbidheshme nuk kishte ku të vinte kokën, në një kohë që edhe dhelprat kishin foletë e tyre edhe shpendët e qiellit kishin vendqëndrimet e tyre.
Por, sa akuza dëgjoi, sa kritika priti, sa ndjekje duroi, sa përbuzje provoi, sa mundime pësoi?
Farisejtë e akuzonin se kishte demon dhe që nxirrte demonët në emër të kryetarit të demonëve. E akuzuan si Samaritan, si mëkatar, si mashtrues. E urryen dhe e përbuzën. E përqeshën. E ndoqën me qëllim që ta vrasin. Komplotuan dhe grumbulluan akuzat më të turpshme kundër Tij, që të arrijnë padrejtësisht ta vrasin. Dhe një natë në të cilën Iisui falej në gjunjë, me zemër të hidhëruar deri në vdekje, me fytyrën të mbushur me djersë nga ankthi, e kapën, e lidhën, e përbuzën, e përqeshën, e trishtuan sa mundën, u tallën sa mundën, dhe së fundi në mes të ditës e ngritën të varur mbi Kryq si keqbërës në mes të keqbërësve, duke dërrmuar kështu të drejtën me vdekjen më të dhimbshme dhe të turpshme! Cilin tjetër mundim më të madh mund të durojë Krishti. Dhe mundimet e cilit të vdekshëm do të mund të krahasoheshin dhe nga larg me mundimet, të cilat duroi Krishti njeri? A nuk ka pra të drejtë aposull Pavli ta parashtrojë si model durimi?
Dhe prandaj kur ne të gjithë rrethohemi nga valët e mundimeve të përditshme, dhe deti i jetës sonë tronditet dhe shkumëzon, le të mos kemi padurim, por të kthejmë shikimin nga Krishti; dhe duke shikuar pësimet dhe mundimet e Tij do të mundemi të marrim guxim dhe vetëmohim që të përballojmë çdo mundim dhe vuajtje të jetës.
Kur ne të gjithë rrethohemi nga valët e trishtimeve të përditshme, dhe deti i jetës sonë tronditet dhe shkumëzon, le të mos kemi padurim, por të kthejmë shikimin nga Krishti; dhe duke shikuar pësimet dhe trishtimet e Tij do të mundemi të marrim guxim dhe vetëmohim që të përballojmë çdo trishtim dhe vuajtje të jetës.
Vangjel Plepi