EmailFacebookKontakt

Miq nga Kisha Evangjeliste italiane

Në kuadrin e bashkëpunimit midis shoqatës së të rinjve orthodhoksë shqiptarë “Bij të Dritës” me Këshillin Botëror të Kishave nga data 7-13 tetor erdhi për vizitë në vendin tonë një delegacion nga Federata Rinore Protestante Italiane, i kryesuar nga Daniel Bushar.

Gjatë dy ditëve të para të takimeve përfaqësues nga të dy shoqatat bënë një ekspoze të etapave më të rëndësishme të historisë së dy vendeve tona, historikun e besimit fetar dhe persekutimin që njohu Kisha jonë gjatë viteve të diktaturës. Në ditët e tjera të takimeve nga të rinjtë shqiptarët u tregua mbi rrugën nëpër të cilën u zhvillua dhe kreu veprimtarinë e saj organizata “Bij të Dritës” për përhapjen e besimit nëpër rrethe të ndryshme të vendit nëpërmjet kurseve të katekizmit.

Në këto takime u ra dakord për ndihmë nga shoqata italiane, veçanërisht përsa u përket botimeve fetare në kushtet e mungesës së fondeve financiare nga shoqata jonë e sapoformuar. Në të gjitha takimet zotëroi fryma e miqësisë që na e ofron Shpirti i Shenjtë i Zotit tonë Iisu Krisht dhe dëshira e mirë për të pasur kontakte të vazhdueshme në rrugën e zhvillimit të dy shoqatave tona. Në këto takime asistoi dhe at Martin Ritz e motër Filothei që i qëndrojnë gjithnjë pranë organizatës “Bij të Dritës”.

Anëtarët e delegacionit italian gjatë këtyre ditëve të qëndrimit të tyre në Shqipëri qëndruan në familjet e të rinjve orthodhoksë, ku gjetën një pritje të ngrohtë miqësore.

Kristina Hanxhari