Gazeta “Ngjallja” mbushi një vit nga dalja e numrit të saj të parë.
Një vit jetë për një gazetë është tepër pak. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një gazetë si “Ngjallja”, e cila del vetëm një herë në muaj. Megjithatë, mund të themi me plot gojën se ajo është bërë një tribunë e gjallë e mendimit të krishterë orthodhoks, një zëdhënëse e fjalës së Zotit tonë Iisu Krisht, e përhapjes së Ungjillit të Shenjtë të Perëndisë, duke pasur kurdoherë ndihmën e pakursyer dhe praninë e kujdesin e vazhdueshëm të Kryepiskopit Anastas.
Me një vizion të brishtë qartë për të sotmen dhe të ardhmen, gazeta “Ngjallja” ka ndjekur e ka pasqyruar me realizëm e devotshmëri jetën e orthodhoksisë e të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Besnike e parimeve të doktrinës së krishterë orthodhokse, ajo ka rrahur probleme nga më të ndryshmet e më të larmishmet. Tematika e saj e gjerë, që nga shkrimet rreth problematikave që i ka diktuar vetë jeta dhe zhvillimet politike të këtij viti të demokracisë së re e të shqiptare, deri tek informacionet e thjeshta jetësore, flet e qartë për jetën intensive që zhvillon Kisha jonë.
Fjalimet dhe predikimet e mbajtura nga Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi, janë një shembull i shkëlqyer i zbërthimit të mendimit orthodhoks, të pjekur, të matur, të mbështetur në logjikën dhe këndvështrimin kristian dhe problemeve të mëdha e të shumta që preokupojnë jetën e Kishës tonë sot. Ato japin njëherazi një diapazon të ri shikimi e trajtimi të këtyre problemeve, në kushtet kur Kisha jonë sapo u ngjall e u kthye në jetë pas gati 30 vjet ndalimi të plotë të çdo veprimtarie të saj.
Bashkëpunëtorë seriozë e të përgatitur, njohës të mirë të problemeve kishëtare e teologjike si teologët Dhimitër Beduli e Teodor Papapavli, besimtarë të thjeshtë si Gaqo Baze, Violeta Plepi e të tjerë kanë dhënë ndihmesën e tyre për një problematikë jetësore e interesante. Më shumë bashkëpunëtorë dëshirojmë të kemi në të ardhmen, sidomos nga radhët e të rinjve, që me mendimin e tyre do ta bëjnë gazetën më të freskët, më aktuale e përherë më të kërkuar nga çdo orthodhoks. Ju ftojmë pra të gjithëve në këtë bashkëpunim për të treguar vlerat e vërteta të orthodhoksisë, shpirtin e madh të paqes e të mirëkuptimit, të shtrimit e të zgjidhjes së problemeve që lind dinamika e jetës.