Brenda Bashkimit Evropian njihet rëndësia shumë e madhe e vlerave morale dhe se nuk është e mundur të ketë Evropë të Bashkuar ku feja do të konsiderohet si një fenomen anësor.
Brenda kësaj fryme u bë edhe ftesa që iu drejtua Patrikut Ekumenik Imzot Vartolomeut nga Presidenti i Komitetit të Komunitetit Evropian, Zhak Delor, për të vizituar Brukselin.
Tërëshenjtërinë e tij Patrikun Ekumenik e shoqëruan mitropolitët: i Dhërkonit Konstandini, i Francës Jeremia, i Belgjikës Pandelejmoni dhe i Pergamos Joani.
Presidenti Zhak Delor pati një bisedë të veçantë prej një ore me Patrikun, ndërsa në të njëjtën kohë, anëtarët që e shoqëronin Shenjtërinë e Tij, si edhe arkimandrit Emanuil Adhamaqi e dhiakon Athinagoras Pakstadt patën takime me personalitete të tjerë të lartë të Komunitetit.
Tërëshenjtëria e Tij në mbarim të vizitës u deklaroi korrespondentëve të agjensive të ndryshme të lajmeve se problemet që bisedoi me z. Delor qenë shumë të vlefshme për Kishën dhe se biseda e tyre kryesisht pati për objekt temat e paqës në Evropë e në botë. U diskutua gjithashtu dhe rreth temës ndërmjet kishave dhe popujve.