EmailFacebookKontakt

Ndërhyrje qëllimkeqe në punët e Kishës

Jo pa çudi morëm vesh nëpërmjet TV, në lajmet e orës 16.00 të datës 21 korrik 1993, lajmin se na paska dalë një gazetë me emrin “Autoqefalia”, organ i të ashtuquajturit Komitet Kombëtar për Mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Shqiptare! Çudia është se këtë lajm e jep TV shtetëror, ndërkohë që i ashtuquajturi KKMAKOSH nuk njihet as zyrtarisht as kanonikisht.

Çfarë është ky komitet, nga kush përbëhet, kush e nxit dhe financon, çfarë përfaqëson, kujt i shërben? Janë pyetje të cilave nuk është vështirë t’u japësh përgjigje.

Veprimtaria e këtij komiteti herë është shtuar e herë është pakësuar në varësi të situatave politike në vend. Nuk është për tu çuditur prandaj që ato ditë kur kriza midis Shqipërisë e Greqisë u acarua, ky komitet antiorthodhoks intensifikoi veprimtarinë e tij duke ngatërruar me qëllime të mbrapshta zjarrvënëse Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me Kishën Greke, orthodhoksët shqiptarë me ata grekë.

Besimtarët orthodhoksë shqiptarë nuk do të gënjehen kurrë nga mashtrimet e këtyre njerëzve qëllimkëqinj, sado dinake qofshin metodat dhe mjetet e tyre. Ata do të jenë gjithmonë të bashkuar përreth Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryepiskopit të saj, të cilin e kanë zgjedhur me vullnet të lirë, të plotë e në rrugë kanonike. Prania dhe qenia e këtij personaliteti të madh të fesë, të krishtërimit, e në veçanti të orthodhoksisë në krye të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale janë një nder i madh dhe një prioritet i jashtëzakonshëm për ne, përderisa të përgatitet një klerik i lartë shqiptar, që t’i plotësojë të gjitha kërkesat kanonike fetare. Çdo përpjekje në të kundërt është ndërhyrje në punët e Kishës, të cilat shteti demokratik, që ka marrë përsipër mbrojtjen e besimeve fetare, në përputhje me dëshirat dhe bindjet e njerëzve, nuk duhet ta lejojë. Ka vetëm një Kishë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që njihet zyrtarisht nga shteti ynë, nga Presidenti, Parlamenti e Qeveria, nga Kishat simotra në gjithë botën, nga organizmat botërore si Këshilli Botëror i Kishave dhe Konferenca Evropiane e Kishave. Kjo është Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë me Kryepiskopin Anastas në krye.

Korresp. i “Ngjalljes”