EmailFacebookKontakt

Shën Kozmai

Posi një nga kometat, që nga një kohë në tjetër shfaqen në kupën e qiellit, derdhin dritë të shkëlqyeshme dhe zhduken shpejt, kështu prezantohet përpara nesh dhe fytyra e ndritshme e Shën Kozmait.

Ky Shenjt nuk ishte nga ata fetarë e kallogjerë të paditur e mendjengushtë, që të ngjitur në letra të vdekura, harrojnë frymën e vërtetë të besimit fetar. Ai ishte një njeri me kulturë, me horizont mendor të gjerë dhe, natyrisht me mendime fetare të larta.

Kjo gjë duket qartë si nga veprat ashtu dhe nga jetëshkrimi i tij, i shkruar, në origjinal prej një admiruesi të tij. Këto na japin të kuptojmë se Shën Kozmai ishte njeri me vullnet të fortë dhe me aktivitet të palodhur. Në ato kohëra kaq të zorshme të frikës, ai, me mundime të mëdha dhe me rreziqe të patregueshme, shëtiti anembanë Shqipërinë; derdhi pasurisht dritën dhe mësimet e tij të çmueshme, dhe u përpoq që të forconte, të inkurajonte popullin e dëshpëruar. Me anën e këtij aktiviteti mundi ta shpëtojë dhe ta përmbajë.

Po si ia arriti vallë këtij qëllimi?

Duke përhapur dritën në popull, duke çelur shkolla gjithkund dhe duke bindur popullin që t’i mbante këto me çdo therori. Dhe kjo është merita e tij më e madhe.

Si një njeri me kulturë të gjerë ai e dinte që kjo ishte e vetmja udhë për të formuar në shpirtin e popullit një fetarizmë, jo të dukshme, po të gjallë, të thjeshtë dhe të çliruar nga paragjykimet.

Është e vërtetë! Pa dije nuk mund të ekzistojnë idetë fetare të thjeshta. Padija është rrënja e shumë ligësive; po më tepër ajo është nëna e supersticioneve të errëta.

S’ka dhe s’mund të ketë besim dhe kult fetar të pastër pa mësim.

Le të hedhim një vështrim në popullin tonë. Me hidhërim do të vërejmë se është degjeneruar në një shumicë të tij ideja fetare dhe gjer në ç’gradë ajo e ka humbur karakterin e saj të lartë dhe influencën bamirëse. Ajo në vend që të jetë burim aktiviteti të gjallë, të shfaqur në vepra të hijshme, ne njerëzillëk, përkundrazi krijon në shpirtin e tij paralogjizma të rrezikshme.

Për një të paditur Fe domethënë ceremonira, zakone dhe formalitete. Atij i duket se kur mban këto, i ka mbaruar të gjitha detyrat fetare. Këto supersticione, trashëgim i një të shkuare të gjatë, që kanë pushtuar shpirtin e një shumice të popullit, i përngjajnë Hidrës mitologjike, së cilës, kur i pritej një kokë, mbinte në vendin e saj një tjetër.

Po është vallë kjo Feja e vërtetë? Janë Fe supersticionet e paarsyeshme e të errëta?

Kurrë, kurrë! Inteligjenca e Lartë që drejton gjithësinë e pajisi njeriun me arsye, që është zbulimi i tij i vërtetë, një shkëndijë e dritës së tij të amëshuar. Mbi atë dritë, pra, të rrjedhur prej Atij vetë duhet të bazohet çdo besim.

Fe nuk janë zakonet dhe supersticionet prapanike, po sjellja e mirë, sinqeriteti dhe nderi në relacionet dhe shoqi-shoqin. Fe është të bësh detyrën, të shërbesh njëri-tjetrit; Fe sidomos është të bëhesh theror për të mirën e përgjithshme, për atdheun. Këto janë shenjat e thjeshta dhe të gjalla të Fesë, dhe në to na udhëheq Arsyeja, e ndriçuar nga mësimi.

Ja përse Shën Kozmai punoi për t’i frymëzuar popullit këto parime të larta; ja përse ai u përpoq që të përhapte dritën, të çelte shkolla.

Këto parime ai i vërtetoi dhe me shembullin e tij të bukur dhe sidomos me mbarimin heroik, duke ofruar jetën e vet si theror në altarin e idealit që ndiqte.

Urojmë që ajo fytyrë kaq e ndritshme të qëndrojë gjithmonë e gjallë përpara syve tanë dhe të na kujtojë gjithmonë karakterin e lartë të Fesë që është: Humanizmi dhe theroria, drita dhe përparimi.

Kristofor Kissi, Kryepiskop

Ishte një mësues dhe predikues i shkëlqyer i Ungjillit të Shenjtë. Lindi në një fshat të vogël të Etolisë, Mega Dendron më 1714. Mësimet para i mori në vendlindje dhe rreth moshës 20-vjeçare filloi mësimet e letërsisë me mësuesin e dëgjuar të asaj kohe, Anania Dervishanin. Me hapjen e shkollës së dëgjuar të Vatopedit në Malin e Shenjtë, së bashku me disa bashkënxënës të tjerë, shkoi atje, ku dhe mbaroi mësimet me mësuesin Panajot Palamaj. Më pas ndoqi mësimet e logjikës. Pastaj shkoi në Manastirin e Shenjtë të Filotheut, ku u dorëzua murg dhe pas disa kohësh prift.

Shën Kozmai ishte njeri i përulur e i matur. Duke pasur një kulturë të thellë të përgjithshme, çmonte shumë predikimin. Për këtë arsye, shkoi në Stamboll, ku takoi të vëllain, Krisanthin, që ishte mësues në atë qytet, i cili i dha mësime të mjeshtërisë oratorike.

Me leje të Patrikut shqiptar Serafim nisi predikimin e Ungjillit fillimisht në kishat dhe fshatrat e Stambollit e më pas në vise të tjera. Pas suksesit që arriti në këto predikime të para, me leje të Patrikut të ri Sofron nisi predikimin në 12 ishuj. U kthye në Malin e Shenjtë, pastaj u nis për të predikuar në Selanik e në Maqedoni, e më pas në Shqipëri.

Kudo që shkonte Shën Kozmai krahas predikimit kryente në emrin e Krishtit edhe mrekulli të shumta, shëronte të sëmurë, u fuste në shpirt dashurinë për besimin orthodhoks, i bindte njerëzit të ngrinin shkolla e t’i ndiqnin ato, pasi e vlerësonte shumë arsimimin e popullit.

Shën Kozmai, gjatë udhëtimit të tij nëpër Shqipëri, takoi me Ali Pashë Tepelenën, në një kohë që ky ishte ende një bej i vogël dhe i paratha të ardhmen me përpikmëri, çka e bëri pashain e famshëm të dome e të respektonte Shën Kozmain, jo vetëm sa ishte i gjallë, por edhe pas vrasjes së shenjtit.

Po kështu e vlerësonte atë edhe Kurt Pasha i Beratit, i cili i gënjyer nga bashkëpunëtorët e tij, dha urdhër ta vrisnin, por menjëherë u pendua dhe urdhëroi t’i lironin shokët e tij.

Shën Kozmain xhelatët e varën në moshën 65-vjeçare, më 1779, dhe pasi e zhveshën, e hodhën trupin (lipsanin) e tij në lumë, duke i lidhur një gur të madh në qafë. Tri ditë kërkuan të krishterët, që ta nxirrnin nga lumi, por Perëndia ia zbuloi atë Papa Markut, efimer i Kishës së Shën Marisë në fshatin Kolkondas të Myzeqesë. Pasi e veshi me rason e vet, e çoi në kishë ku dhe u varros në kohën kur në Berat ishte episkop Joasafi, i cili mori pjesë vetë në varrimin e shenjtit.

Shën Kozmai është nderuar gjithmonë jo vetëm nga të krishterët orthodhoksë, po nga i gjithë populli në Shqipëri të Mesme e të Jugut. Kisha ku u varros ai ka qenë gjithmonë vend mrekullish, ku populli i thjeshtë, edhe gjatë regjimit ateist, të krishterë e myslimanë, shkonin fshehurazi, me besë e me shpresë për të gjetur shërim trupor e shpirtëror. Për të është shkruar gjithashtu shumë. Kisha jonë Orthodhokse ka lutjet e saj të veçanta, e jo pak, për këtë shenjt isaposiull të ri, që kremtohet më 24 gusht. Këto shërbesa u përkthyen të plota për herë të parë nga Kryepiskopi Kristofor Kissi dhe u ribotuan nga Imzot Fan S. Noli fjalë për fjalë pa asnjë ndryshim.

Me këtë rast po botojmë në këtë numër një material për jetëshkrimin e Shën Kozmait, shkruar më 1931 nga Kristofor Kissi, më vonë Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, dy letra të Ali Pashë Tepelenës drejtuar Mitropolisë së Beratit, ku duket respekti i tij i madh për Shenjtin, si dhe një letër të Shën Kozmait drejtuar popullit të Senicës për ngritjen e shkollës me shpenzimet e vetë banorëve të fshatit, çka paraqet pjesë konsideratën e tij për arsim, dije dhe kulturë, për masat e gjera të popullit.

Letra e Shën Kozmait për të krishterët e Senicës

Vëllezër të ndershëm e të dashur, që banoni në qarkun e Senicës, ju përshëndes dhe i lutem Perëndisë së Shenjtë për shëndetin tuaj shpirtëror dhe trupor.

Unë shërbëtori i padenjë i Perëndisë, o vëllezër të krishterë, duke shëtitur dhe duke u predikuar të krishterëve me lejen e Mitropolitëve, erdha dhe këtu në viset tuaja, dhe duke parë se nuk keni shkollë që të djemtë tuaj të mësojnë djemtë tuaj pa pagesë, iu luta të krishterëve dhe dhanë gjithësecili sipas fuqisë dhe pas dëshirës së tij për të rregulluar shkollën. Duhet, pra, që dhe zotëria juaj dhe të gjithë ta ndihmoni këtë shkollë gjithnjë, ose vetë ose nga të ardhurat e komunitetit a të vakëfeve, që të merrni shpërblimin nga Perëndia dhe ndërmjet njerëzve.

Dhe unë jam i detyruar t’i lutem Zotit të bekojë vendin, shkollën dhe djemtë tuaj dhe t’ju bëjë të denjë të rroni dhe këtu mirë dhe të fitoni jetën e ardhshme.

Vura dhe epitrop zotin Leka Qirko me dëshirën e të gjithëve. Sa për kujdestarë dhe ndihmës të caktova gjithë vendin dhe sidomos papa Nikën, zotin Gjino Dhimo, zotin Spiro Dene dhe zotin Spiro Athanasiu, që ta qeverisin shkollën si dëshiron Zoti i dritës.

Ju përshëndes në emrin e Zotit.

1779, korrik 28

Kozma Jeromonahu, lutësi juaj

Dy letra të Ali Pashë Tepelenës

Nga lartësia e tij Veqir Ali Pasha

Tek juve Rumë të Beratit, Myzeqarë dhe Vllehë, Grabovarë, Katunde dhe Çifligje.

Ju lajmëroj se ja tek vura një epitrop që të më ndreqin Manastirin e Plakut, Kozmait, dhe ndihmova edhe unë me të holla dhe të ndihmoni edhe ju si t’ju thotë Dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky Manastir.

Dhe për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatri dhe do t’i paguajnë dyfish.

Ashtu siç ju urdhëroj, kështu të bëni, pas këtij vendimi.

Në Gjirokastër, më 12 shtator 1813

Hair Duaxhit e mi,

Mitropolit i Beratit dhe Kol Mitro dhe Hanxhi Janko.

Ju përshëndes dhe ju tregoj se sa më shkruat i mora vesh dhe u informova dhe me anën e Igumenit dhe u gëzova shumë që u kujdesët për Plakun Kozma. Ja tek po vjen aty tani Igumeni dhe Nikolla bashkë me kryemjeshtrin dhe të vini të rregulloni odat dhe kullën e Manastirit që të shquhet nga të gjithë Manastiret, sepse tani me ardhjen time aty, dëshiroj ta gjej të mbaruar.

Pra të kujdeseni të gjithë që ta ndreqni dhe të gjithë Rumët e Beratit, të mëdhenj e të vegjël të ndihmoni. Po i shkruaj dhe Ibrahim Arapit t’ju ndihmojë në çdo punë. Të bëni kurse ju.

Në Janinë, më 12 shtator 1814.