Pyetje: Këto ditë klima politike midis Greqisë dhe Shqipërisë është acaruar shumë. Si qytetar grek që punoni në Shqipëri, a mund të na jepni opinionin tuaj për këtë?
Përgjigje: Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi ekzistojnë në nivele të ndryshme: midis popujve, midis partive politike dhe midis qeverive. Marrëdhëniet më të mira dhe më autentike besoj se janë ato midis të dy popujve fqinjë. Në zbutjen e tensionit do të kontribuojë dialogu gjakftohtë dhe serioz dhe jo monologjet dhe ushqimi i krizës vetëm nga mjetet e informacionit. Edhe për problemet më të vështira besojnë se ekzistojnë zgjidhje kur këto kërkohen me mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë.
Pyetje: Po si Kryepiskop mendoni se mund të ndikoni në normalizimin e kësaj situate?
Përgjigje: Si Kryepiskop, përpiqem të luftoj me durim dhe besim për paqen, pajtimin, vëllazërimin midis njerëzve dhe popujve. Që nga momenti i parë që pashë të shkallëzohet kriza guxova të ngrë zë lutjeje në drejtim të gjithë autoriteteve që të bëjnë ç’është e mundur “me qëllim që të ndërpriten veprimet e dhunshme nga të dy palët dhe t’i jepet fund vuajtjes së dhimbshme të dëbimeve”. Deklarova se: “Marr pjesë në dhimbjen e gjithë njerëzve të përndjekur pavarësisht nga origjina apo traditat fetare dhe vihem në dispozicion të çdo autoriteti kompetent për gjetje zgjidhjeje me frymë mirëkuptimi të ndërsjellë”. Në frymën e kësaj deklarate dhashë intervista të ndryshme dhe u takova me Presidentin Sali Berisha (1.7.93), realizova udhëtim dyditor në Greqi (6-8.7.93) për t’u takuar me Kryeministrin Konstandin Micotaqis dhe Kryepiskopin e Athinës Imzot Serafin duke u lutur të ndërpriten dëbimet dhe ekzistojë afrim me dialog.
Pyetje: Dhe si mendoni se ka ndikuar biseda juaj me autoritetet e larta të qeverisë greke?
Përgjigje: Pikëpamjeve të mia iu rezervua publicitet i gjerë në Greqi dhe patën jehonë të madhe. Siç shkruajtën analistë eminentë, këto përpjekje ndikuan seriozisht në opinionin publik grek dhe qeverinë. Konkretisht, gazeta “Kathimerini” një nga më seriozet e Greqisë, shkruajti: “Ndërhyrja e kryepiskopit të Shqipërisë, Anastas, kontribuoi, siç duket, në mënyrë të qëndrueshme që të ulen tonet nga ana e palës greke në ndryshimin e shfaqur me qeverinë shqiptare” (I. Afenduli). Dhe: “Iniciativat e Anastasit ishin katalitike në zbutjen e krizës” (S. Ligeros), madje edhe Parlamenti Evropian, me rezolutë që u votua nga shumica absolute e Asamblesë (14.7.93), theksoi se: “duartroket veprën e Kryepiskopit orthodhoks të Tiranës, Anastas Janullatos përpjekjet e të cilit kanë bërë shumë për të zgjidhur krizën ndërmjet dy vendeve”.
Pyetje: Në bisedën që bëtë para disa ditësh me Kryetarin e Parlamentit Evropian u shprehët se autoritetet shqiptare nuk e vlerësojnë Kishën Orthodhokse njëlloj si të tjerët. A mund të ndaleshit pak më gjatë në këtë ankesë?
Përgjigje: Pas dy vjetëve të vërteta fetare nuk i janë dhënë Kishës Orthodhokse vendet e shenjta të kultit, kisha dhe manastire që u konfiskuan apo u shkatërruan nga regjimi komunist. Do të përmend disa raste konkrete. Në Shkodër, ndërsa si myslimanët, ashtu edhe romano-katolikët kanë vende madhështore kulti, orthodhoksëve me gjithë kërkesat e shumta, ende nuk u është dhënë jo vetëm vendi ku gjendej më parë kisha e tyre madhështore, por as truall tjetër për të ngritur një kishë të përkohshme. Të gjithë e njohin se pa manastire nuk mund të zhvillohet Kishë Orthodhokse Autoqefale. Dhe megjithatë nuk na janë kthyer manastiret tona. Kërkojmë që sa më shpejt t’i jepet përsëri Kishës Manastiri i Ardenicës për zhvillimin e veprës së edukimit shpirtëror orthodhoks. Ende nuk është dhënë vend për Shkollën tonë Teologjike-Ieratike. Paguajmë shtrenjtë dhe me shumë pengesa gjatë muajve dimërore.
Herë pas here deklarohet zyrtarisht se nuk kemi të drejtën të përdorim klerikë orthodhoksë joshqiptarë. Në këtë moment janë pranë meje si ndihmësa vetëm katër klerikë të huaj për gjithë Shqipërinë (një amerikan, një arvanitas nga Greqia, dy murgjër nga Mali i Shenjtë) dhe tri murgesha. Të tjerë, që kanë sa gjysmën e grigjës orthodhokse ndihmohen nga dhjetra klerikë të huaj të aftë dhe nga mbi 120 murgesha të huaja. Nuk kemi zili. Veçse detyrohemi ta përmendim, duke u habitur se përse bëhen këto dallime në dëm ekskluzivisht të orthodhoksëve. Veç kësaj, për mua tashmë shkruajnë dhe përhapen akuza të ndryshme të padrejta dhe shpifje kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Përgjigjemi me argumente të pakundërshtueshme. Përgjigjet tona as botohen dhe as komunikohen. Njerëz të ndryshëm, deputetë dhe jo deputetë, që nuk janë pjesëtarë të Kishës Orthodhokse, përzihen me këmbëngulje në çështjet e Kishës sonë me deklarata dhe veprime të tjera. Kjo, sigurisht, nuk kontribuon bashkekzistencën paqësore dhe respektimin reciprok të komuniteteve fetare. Përfundimisht, duhet të bëhet e qartë, se, nëse Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk do t’i kthehet pasuria dhe nëse ajo nuk do të fuqizohet, nuk do të jetë në gjendje vetë për mbajtjen e kuadrove të saj, të institucioneve fetare, të veprës së saj shpirtërore dhe humanitare. Autoqefalinë e Kishës e minojnë të gjithë ata që pezullojnë përparimin shpirtëror, edukativ dhe ekonomik të KOASH-it dhe jo ata që punojnë ditë e natë me vetësakrificë për rimëkëmbjen e saj.
Pyetje: Vënia juaj në krye të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë ka ngjallur shumë diskutime. Si argument kryesor kundër saj përmendet Autoqefalia e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Ju ç’mendoni për këtë?
Përgjigje: Nga që shumë njerëz herë pas here prononcohen për Kishën tonë pa patur njohuri të mjaftueshme teologjike dhe kishëtare, është nevoja të sqarohet se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk është parti apo ndonjë shoqatë autoqefale shqiptare, por është: a) “Kishë”, d.m.th. institucion i njohur përgjatë shekujve; b) “Orthodhokse”, e detyruar pra të respektojë kanunet kishëtare orthodhokse që të njihet nga të gjithë si orthodhokse; c) “Autoqefale”, e pavarur nga qendra të tjera pushteti si të brendshme ashtu edhe të jashtme; d) “e Shqipërisë”, që përfshin në gjirin e saj të gjithë qytetarët shqiptarë të besimit orthodhoks dhe që gjithmonë do të kontribuojë në prosperitetin e Shqipërisë. Kriter bazë, pra, se kush do të vihej në krye të Kishës së Shqipërisë, në momentin kritik pas persekutimit që kishte shkatërruar gjithçka qe ekskluzivisht se kush, nga bota orthodhokse në përgjithësi, do të qe në gjendje t’ia dilte mbanë në rimëkëmbjen e saj. Ky qe kriteri bazë i Patrikanës Ekumenike. Kur është fjala të bëhet një operacion i vështirë dhe për herë të parë kërkohet në arenën ndërkombëtare kirurgu që ka përvojën dhe aftësinë ta bëjë me sukses dhe nuk pyetet se ku ka lindur ai.
Pranova misionin e vështirë të Kryepiskopit të Shqipërisë sepse Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është rrënuar tërësisht dhe në të gjithë botën nuk ekzistonte asnjë shqiptar që të plotësonte kushtet të hirotonisej episkop, aq më tepër të merrte përsipër këtë vepër kaq komplekse dhe të mundimshme të Kryepiskopit për ringritjen dhe riorganizimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Prandaj, dhe orthodhoksët e Shqipërisë pa dallim origjine u bashkuan rreth Kryepiskopit. Prandaj edhe zgjedhja ime, siç e kërkon Tradita Orthodhokse u njoh zyrtarisht nga të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale dhe në vazhdim nga të gjitha Kishat Kristiane të botës.
Pyetje: A nuk ju pengon mosditja e shqipes për të predikuar fjalën e Zotit?
Përgjigje: Sigurisht, vështirëson dhe përpiqem të avancoj në gjuhën shqipe, veçse kjo vështirësi përballohet me praninë e përkthyesit të aftë dhe të kujdesshëm. Më e rëndësishme sigurisht, mbetet njohja dhe përjetimi i Fjalës së Zotit. Nga ana tjetër, me përjashtim të predikimit, Meshën Hyjnore dhe Shërbesat e tjera fetare i zhvilloj në gjuhën shqipe. Në gjuhën shqipe jepet gjithashtu predikimi i shkruar dhe arti kishëtarë.
Pyetje: Në krahinat e Jugut predikohet në shumë raste në greqisht? Përse ndodh kjo gjë?
Përgjigje: Për Kishën Orthodhokse nuk ekziston dallim gjuhësh. Të gjitha gjuhët janë të respektuara. Besimi orthodhoks është “logjik” dhe duhet të bëhet i kuptueshëm. Aty ku besimtarët orthodhoksë flasin greqishten është e natyrshme që kulti dhe predikimi të kryhen në greqisht. Këto përfshihen edhe në të drejtat e njeriut për minoritetet. Atje ku flitet shqip s’ka kuptim të predikohet në gjuhë të tjera.
Pyetje: Kanë kaluar shumë muaj nga emërimi juaj në Shqipëri. Në qoftë se na lejoni t’ju pyesim tani pas kaq muajsh, a jeni i kënaqur me këtë emërim?
Përgjigje: Pikësëpari nuk është fjala për “emërim”, por për zgjedhje kishëtare dhe mision. Nga fakti se kisha punuar si Eksark Patriarkal në Shqipëri e njihja se vepra e Kryepiskopit do të qe me të vërtetë “Kryq” dhe jo ndonjë “tron” çlodhës. Pranova këtë mision duke iu bindur në paqe dhe besim vullnetit të Perëndisë. Duke parë tani Kishën Orthodhokse të riorganizohet, të zhvillohet, të ketë kuadro të rinj, në gjendje të ngushëllojë dhe të mbështesë popullin e vuajtur, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha, lavdëroj Perëndinë që më vlerësoi edhe mua të kontribuoj në Ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë duke mbajtur kryqin që më besoi.
Pyetje: Ç’ju bënmë shumë përshtypje për mirë apo për keq në Shqipëri?
Përgjigje: Më ka bërë përshtypje fisnikëria, durimi, mikpritja e popullit të thjeshtë. Është lënduar thellë, dhe si çdo i lënduar meriton nderim. Në veçanti më ka impresionuar besimi, përkushtimi dhe afeksioni i orthodhoksëve ndaj meje në periudhën e sulmeve të ndryshme të padrejta. Negativisht jam habitur me sjelljen e disave që, ndërsa në regjimin e mëparshëm mbanin pozita të rëndësishme (gjykatës e diplomatë), tani në periudhën demokratike shfaqen shpëtimtarë të demokracisë dhe as më shumë e as më pak dhe shpëtimtarë të Kishës Orthodhokse.
Pyetje: Si e kalon kohën e lirë Kryepiskopi në Shqipëri? Ç’ju pëlqen më shumë të bëni?
Përgjigje: Gjithë këtë kohë nuk ka ekzistuar “kohë e lirë”. Ditë dhe natë mbushem me punë dhe shqetësime për ringritjen dhe riorganizimin e Kishës. Në uljen e superintensitetit ndihmojnë ndërrimi i punëve, pak shëtitje, muzika, leximi. Në veçanti lutja individuale si edhe adhurimi i përbashkët orthodhoks, të çlodhin, të përtërijnë, të fuqizojnë.
Intervistoi Dhurata Ikonomi