Heiki Kutunen nga Finlanda është President i Federatës Botërore të Rinisë Orthodhokse (Syndesmos), ai është gjithashtu prift famullie dhe përgjegjës i programit të të rinjve për zonën e Helsinkit. Ka mbuluar sektorin e të rinjve edhe në Këshillin Ekumenik të Kishave me qendër në Gjenevë. Muajin e kaluar ai mori pjesë në takimin e të rinjve orthodhoksë nga të gjitha dioqezat, që u zhvillua në shkollën teologjike të Durrësit, ku gazetari Thoma Dhima i mori edhe këtë intervistë:
– Ç’është “Syndesmos”?
– Emërtimi është marrë nga letra e Shën Pavlit Efesianëve, Kapt 4, paragrafi i tretë dhe do të thotë – lidhje; lidhje dashurie, lidhje paqeje midis të rinjve orthodhoksë. “Syndesmos” është formuar më 1953 në Paris dhe sot ka në përbërje 74 lëvizje dhe shkolla teologjike, nga 32 vende. Por, mund të themi se bashkëpunojmë me të gjitha kishat dhe lëvizjet e të rinjve orthodhoksë në gjithë botën.
– Diçka për mënyrën e organizimit dhe veprimtaritë që organizon?
– “Syndesmos” ka një bërthamë drejtimi të kufizuar dhe një zyrë të vogël në Paris, me sekretarin e përgjithshëm dhe mund të themi se pasuria më e madhe e saj janë lëvizjet e të rinjve orthodhoksë; forca, besimi i tyre. Format e veprimtarive që organizojmë janë të shumta, ndër më të rëndësishmet mund të përmendim seminaret dhe takimet në ndihmë të lëvizjeve të të rinjve në Vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, por edhe në Afrikë. Gjithashtu organizojmë edhe festivale, të cilat janë evenimente të rëndësishme, të hapura ndaj gjithkujt dëshiron të marrë pjesë. Organizohen edhe seminare e takime për t’u dhënë të rinjve ndihmë të specializuar në situata të veçanta. “Syndesmos” punon për t’i shërbyer çështjes së unitetit midis kontakteve orthodhokse dhe për pjesëmarrjen e të rinjve në veprimtarinë ekumenike, në takimin me kishat e tjera etj.
– A kishit njohuri për Shqipërinë dhe për komunitetin tonë orthodhoks?
– Është një përvojë e madhe të vish vetë në Shqipëri, sepse kemi lexuar e dëgjuar për ju si “shembulli i vendit të parë ateist” etj. Kisha parë edhe foto të kishave rrënoja, ku u zhvilluan liturgjitë e para. Por, s’do ta kisha imagjinuar kurrë që kisha është kaq e gjallë. Mendoj se ju keni bërë mrekullira gjatë këtyre dy viteve të lirisë. Jam mjaft i impresionuar.
– Ju morët pjesë në këtë takim të parë me të rinj nga të gjitha dioqezat. Mund të na thoni përshtypjet, por edhe sugjerime që mund të keni, mbi zhvillimin e kësaj lëvizjeje në Shqipëri?
– Të impresionon pjesëmarrja e të rinjve, por edhe cilësia e tyre. Ishin rreth 100 persona dhe takova shumë të rinj të ndërgjegjshëm në besimin e tyre të krishterë, të cilin duan t’ua çojnë të tjerëve. Për mënyrën e organizimit të tyre, se cila do të jetë forma më e mirë, është e vështirë që ta them unë, një i huaj, por shpresoj se do të organizohet një lloj komiteti drejtues me kryepiskopin, i cili mund të bëjë planet për të ardhmen, që të mund të vazhdojë këtë punë të nisur, për t’i dhënë një drejtim gjithë kësaj lëvizjeje të rinjsh. Dua të theksoj se është shumë e rëndësishme që lëvizja të jetë kishëtare, që pjesëtarët e saj të jenë anëtarë aktivë pranë çdo kishe.
– A do të krijohen mundësi për lidhje me organizatën që ju drejtoni?
– Për “Syndesmosin” është shumë e rëndësishme të ketë kontakte me Shqipërinë dhe ne shpresojmë shumë që do të kemi një lëvizje pjesëtare të “Syndesmos” edhe në Shqipëri, e cila do të mund të marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë tona në botë.
– Cilat janë mundësitë e “Syndesmosit” për ta ndihmuar këtë lëvizje?
– “Syndesmos” është vërtet pa shumë para, por ka shumë pasuri njerëzore, shumë të rinj me përvojë, që mund të ndihmojnë. Kemi njerëz që kanë eksperiencë edhe nga vendet e tjera ish-komuniste dhe shpresojmë se do të ndihmojnë vërtet, në sensin konkret. Në takim u fol shumë për katekizmin dhe shpresoj se do të gjendet mënyra për të ndihmuar në përgatitjen e katekisrëve të rinj. Mund të organizohen një seri seminaresh, megjithëse është e vështirë të thuhet kjo konkretisht tani. Nga ana tjetër do ta shihja ndihmë dhe lehtësim në këtë punë pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në krah të të rinjve të vendeve të tjera në takimet e tyre. Sepse, në qoftë se këta të rinj shqiptarë do të shohin vetë, për shembull se si organizohet një festival të rinjsh në Poloni apo një takim i tyre në Greqi etj., kjo do të mund të ishte një ndihmë konkrete për lëvizjen tuaj.
– Faleminderit.