EmailFacebookKontakt

Mitropolia Durrësit në shekuj

Nga historia e Kishës në Shqipëri

Durrësi, qytet shumë i lashtë, i vendosur në bregdet, lulëzoi si port i një hinterlandi të gjerë mjaft të populluar, sidomos në kohën e Romës kur përqëndroi një pjesë të mirë të tregtisë me Brindizin. Mori përparësi të madhe me ndërtimin e rrugës së madhe Egnatia për në Maqedoni. Pasi kaloi në Mesjetë nën sundime të ndryshme, u shkatërrua më 1273 nga një tërmet. Sot qyteti është mjaft i zhvilluar dhe ka një port me rëndësi.

Selia episkopale orthodhokse e Durrësit është me origjinë apostolike. Ajo është e lidhur me Tiranën, kryeqytet i Republikës së Shqipërisë dhe qendër e Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Durrësi qe qëndra më e madhe e Krishtërimit në Shqipëri. Në Ilirinë e lashtë, Durrësi zinte vendin e 5-të ndërmjet nëntë mitropolive. Para tij vinim vetëm Selaniku, Korinthi, Nikopoli dhe Kreta, të gjitha Kisha me themelim apostolik.

Në Patrikanën Ekumenike gjatë perandorisë bizantine, Iliria me mitropoli Durrësin zë vendin e 15-të, dhe ka tetë seli vartëse. Kur në shek. e 8-të Leon Izauriku e bashkoi Durrësin dhe gjithë Shqipërinë me Patrikanën e Konstantinopolit, (pasi deri në atë kohë varej nga Roma), Durrësi zinte vendin e 42-të të gjithë Patrikanës Ekumenike. Kjo nuk ishte pak, duke marrë parasysh se dioqezat ishin disa qindra. Mitropolia mbeti e bashkuar me Konstantinopolin deri në shek. e 13-të dhe në fillim të shek. të 14-të kaloi me Kryepiskopatën e Ohrit.

Tradita bizantine ka edhe një listë me episkopët më të vjetër të mitropolisë së Durrësit. Sipas saj i pari episkop durrsak ka qenë Shën Qesari, një nga të Shtatëdhjetë apostujt e Krishtit, të cilin e pasoi Shën Asti; pastaj ka një zbrazëti me lajmesh deri në Sinodhet e mëdhenj të shek. IV-V, kur rishfaqen përsëri episkopët durrsakë.

Episkopët e mitropolisë së Durrësit kanë qenë:
Qesari (një nga të 70 apostujt), Asti (viti 98), Eukari (431), Llukai (451), Sizini (692), Niqifori (783), Llukiani (879), Lorenci (1025), Lorenci (1053), Andoni (1143), Konstandin Kavasili (1180), Romani (1240), Anonim (1289), Dhanili (1691-1694), Kozmai (1694-1702), Niketa (1740-1749), Anthimi (1749-60), Neofiti (1760-1761), Mileti (1761-68), Grigori (1768-1772), Kostanci (1777-82), Efthimi (1782-1809), Samueli (1809-1821), Krisanthi (1821-1833), Gjerasimi (1833-1837), Anthimi (1837-1844), Anthimi II (1844-1845), Joaniqi (1845-1858), Genadi (1858-1859), Afsenti (1859), Josifi (1859-1867), Vissarioni (1867-1899), Prokopi (1899-1906), Joani (1906-1911), Jakovi (1911-1922).

Marrë nga revista “Oriente Cristiano”, revistë tremujore e Associazione Cattolica Italiana per l’Oriente Cristiano, Nr. 4, 1978, Palermo.

Shënim: Më 1923 mitropolit i Durrësit u bë Fan S. Noli me titullin “Mitropolit i Durrësit, Gorës dhe Shpatit, primat dhe ekzark i tërë Ilirisë, Detit Perëndimor dhe tërë Shqipërisë”, por për arsye të rrethanave politike e historike që dihen nuk e ushtroi këtë detyrë. Nga viti 1922 deri më 1929 qendra e Kryepiskopatës kaloi në Korçë, dhe duke filluar nga viti 1930 në Tiranë, duke u quajtur njëkohësisht jo më mitropolia e Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit, por e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.