Më 11 të korrikut në Berat përkujtohet vit për vit Shën Nikodhimi, oshënar dhe dëshmor i ri i kohës sonë.
Shën Nikodhimi ishte nga Vithkuqi i Korçës, banonte në Berat dhe qe rrobaqepës. Quhej Nikolla Dede. Ishte i martuar katër herë. Gruan e katërt e mori myslimane dhe për hir të saj, u kthye në mysliman edhe ai vetë edhe familja, me përjashtim të djalit të parë, i cili duke qenë në moshë madhore dhe duke mos dashur të myslimanizohej, iku fshehurazi nga shtëpia dhe, me ndihmën e disa beratasve orthodhoksë, shkoi e u vendos në Ajonoros.
Si kaloi ca kohë kështu, Nikolla nisi të ndjejë njëfarë shqetësimi në ndërgjegjen e tij për aktin që kishte bërë. Në këtë ndoshta ndikonte largimi i djalit dhe vështrimi me sy dhembshurie e keqardhje të të njohurve të tij dhe në përgjithësi të elementit orthodhoks të Beratit.
Kur mori vesh që i biri ishte në Ajonoros, i lindi dëshira ta takonte e të bisedonin bashkë, me shpresën që ta kthente edhe atë në myslimanizëm.
Kështu vajti në Ajonoros. Dhe në Ajonoros ndodhi mrekullia. Jeta e vërtetë e krishterë që pa se po praktikohej atje, lutjet dhe agjërimet e vazhdueshme ndaj Perëndisë, shërbesat prekëse fetare që kryheshin prej murgjëve, puna e madhe shpirtërore që bëhej, e prekën shumë atë, dhe, në vend që të përpiqej t’i mbushte mendjen të birit, u pendua vetë, kuptoi mëkatin shumë të rëndë që kishte bërë duke mohuar Krishtin dhe vendosi të qëndrojë në Ajonoros. Vajti në Skitën e Shën Anës, u paraqit te oshënari plak Filotheu dhe u bë murg duke marrë emrin Nikodhim. Atje iu përvesh një pendese të tillë sa që agjëroi për tre vjet rresht duke ngrënë vetëm bukë të thatë, duke qarë hidhur përditë dhe duke iu lutur Perëndisë që t’ia falte mëkatin e madh të mohimit.
Në Ajonoros ai erdhi në kontakt me shumë murgj e asketë të shquar. Në biseda me ta mësoi se ai njeri që mohonte Krishtin, para njerëzve, mund t’ia falte Perëndia atë faj, vetëm po ta pohonte atë përsëri përpara njerëzve. Këtej i lindi dëshira që të kthehej përsëri në Berat e të ripohonte Krishtin para të gjithëve. Po një akt i tillë kishte si pasojë në atë kohë dënimin me vdekje. Këtë dëshirë atij ia përforcuan dhe dy vizione që pati. Një ditë iu shfaq Shën Maria, e cila i afroi një kupë, kupën e martirizimit, kurse një ditë tjetër iu shfaq Krishti, i cili i tregoi mjaft hollësira rreth atij martirizimi. Së fundi, para se të nisej pati një takim dhe me asketin e dëgjuar të Athosit, me oshënarin Akaq, të cilit i kërkoi dhe uratën për martirizim. Oshënar Akaqi e priti me gëzim, e inkurajoi në misioni e tij, i dha uratën dhe një shkop për udhëtim, duke i thënë: “Shko me këtë përpara te pashai dhe me fuqinë e Perëndisë, do ta mbarosh si duhet dëshmimin”.
Dhe Nikodhimi me shkopin në dorë e me uratën e Oshënar Akaqit, u nis për në Berat. Gjithë udhëtimin e bëri me agjërime e të falura dhe nuk ndjeu asnjë lloj dobësie e lodhjeje. Përkundrazi, i ndihmuar me hirin e Krishtit, arriti në atdhe shëndoshë e mirë.
Me të ardhur në Berat, njerëzit e njohën, dhe, meqënëse e kishin marrë vesh prej kohe çështjen e rikthimit të tij në krishterimin, e denoncuan dhe e çuan te Kadiu. Në fillim Kadiu u mundua ta bindte për të hequr dorë nga një akt i tillë, po duke parë këmbënguljen e tij dhe pohimin sheshazi se ishte i krishterë, urdhëroi dhe e hodhi poshtë nga kalaja ku ishte pallati, po dëshmori nuk u dëmtua, qëndroi më këmbë, ndonëse lartësia nga e hodhën ishte mjaft e madhe.
Pas kësaj, ai menjëherë u nis përsëri, u ngjit në kala dhe u paraqit para Kadiut, i cili kur e pa, u habit dhe deshi ta lironte, por, duke patur frikë nga një pjesë e masës së fanatizuar, dha dënimin për ekzekutim. E çuan atëherë në vendin e ekzekutimit, në vendin që ia kishte paratreguar Krishti gjatë vizionit. Aty, si u fal, uli qetësisht qafën dhe u ekzekutua duke i prerë kokën më 11 të korrikut të vitit 1722. Shpirti i tij i lumtur u ngrit me kurorën e dëshmorit në qiell, kurse trupin e tij e blenë të krishterët orthodhoksë të Beratit pasi paguan një shumë të konsiderueshme të hollash dhe e varrosën në kishën e Shën Marisë në Mangalem. Aty qëndroi, duke vepruar me hirin e Perëndisë çudira dhe shërime të ndryshme gjer në kohën e pushtimit të vendit nga fashizmi italian, kur Kisha e Shën Marisë për shkak të sistemimit të rrugës qëndrore, u prish. Se ç’u bë me lipsanin e tij pastaj, nuk jam në dijeni. Kur isha vjet në Berat me rastin e zgjedhjeve kishëtare, një besimtar plak më informoi se kishte ruajtur në shtëpinë e tij kokën e Shën Nikodhimit. Mendoj se është detyrë e shenjtë për komunitetin orthodhoks të Beratit me At Vangjelin në krye, të interesohet për lipsanin e Shën Nikodhimit, në sajë të dëshmimit të të cilit qëndruan në orthodhoksi fshatrat e përtej lumit.
Një biografi e tij në dorëshkrim gjendet në kodikun N.2-758 të manastirit të Vatopedhit, faqe 73 a 79, ndërsa në Skitën e Shën Anës është një afresk i tij që e tregon kur u paraqit te oshënari plak Filotheu.
Fytyra e tij ndodhet e pikturuar në mur te kisha e Kalibës së Fjetjes së Shën Marisë, kurse nga Grigor Voskopojari kemi shërbesën e Shenjtë, të botuar më 1742 në shtypshkronjën e Voskopojës dhe më vonë, e korrektuar, është ribotuar më 1781 në Venedik. Dorëshkrime të ndryshme dhe botimet e sipërme, janë edhe në Bibliotekën tonë Kombëtare. Në gjuhën shqipe, përkthimin e parë e ka bërë mësuesi veteran beratas, i ndjeri Dhimitër Përmeti, ish-drejtor i Seminarit Orthodhoks Kombëtar “Ap. Pavli”, por që nuk arriti të botohej dhe nuk dihet se ku ka përfunduar.
Më poshtë po japim të përkthyera prej shkruesit të këtyre radhëve, përlëshorën, shkurtoren dhe madhërimin, që përdoren gjatë shërbesës.
Përlëshorja. Ting. 1
Sipas: “Tis erimu politis”
Le të lavdërojmë të gjithë oshënarin dhe dëshmorin Nikodhim,
mburrjen e Ilirisë dhe nderin e Athosit, sepse duke mposhtur armikun me asketizëm, lavdëroi Krishtin si një atlet me ndihmën e Virgjëreshës
çuditërisht, të cilit le t’i thërresim: Lavdi Atij që të fuqizoi, lavdi Atij që të kurorëzoi, lavdi Atij që tregoi të paprishur, lipsanin tënd.
Shkurtorja. Ting. T. IV
Sipas: “Ti i pennako”
Të Beratit mbrojtësin e mrekullueshëm
Dhe mburrjen e Skitës së stërgjyshes së Krishtit
Të hunnojmë, o oshënar, dëshmor hyjprurës.
Si asket dhe si i tillë ti je dalluar
Dhe si mbrojtës shkumë i gjallë u tregove
Për ne që të thërresim:
Gëzohu, o i lumtur Nikodhim.
Madhërimi
Gëzohu i Kishës, o vli i ri,
Lavdi e asketinjve, e martirëve stoli.
Gëzohu, ti që mban, fitoren hyjnore,
Nikodhim i trishlumur,
Gëzohu, atlet i madh!
Dhimitër Beduli