EmailFacebookKontakt

Kujtimi i të 12 Apostujve të Krishtit

Në historinë e Kishës së Krishterë, Aspostujt do të shquhen gjithnjë si yj të ndritshëm të një madhësie të jashtëzakonshme të jetës shpirtërore. Më 30 të qershorit Kisha kremton të dymbëdhjetë Apostujt që zgjodhi në fillim Zoti, me përjashtim të Juda Iskariotit.

Këta qenë: Simoni (Petri), Andrea, Jakovi, Joani, Filipi, Thomai, Vartholomeu (Nathanaili), Mattheu, Jakovi i Alfeut, Simon Zeloti, Juda, vëllai i Jakovit të vogël dhe Matthia që u zgjodh në vendin e Juda Iskariotit.

Për jetën dhe veprën e secilit prej tyre do të shkruhet ditën përkatëse kur ata do të përkujtohen. Me këtë rast mendojmë të vemë në pah unitetin që ata kanë patur midis tyre, besimin e palëkundur, moralin e lartë e të pastër, guximin dhe zellin për misionin e tyre të shenjtë, karakteristika këto që kanë ndikuar shumë në rilindjen shpirtërore të botës me Krishtin.

Neve na bie si detyrë, sidomos sot që ndihet aq shumë nevoja e ndihmës shpirtërore për të gjetur secili përsëri rrugën e Zotit, rrugën e Orthodhoksisë, të cilën, për rrethanat historike që dihen, e kemi mënjanuar, të bëhemi, me jetën tonë konkrete, me fjalën tonë, apostuj të Krishtit e të Orthodhoksisë duke u treguar atyre rrugën e Krishtit, rrugën e Kishës e të traditave tona orthodhokse. Kontaktet që duhet të mbajmë me shkollat tona të katekizmit, me shtypin tonë kishëtar (gazetën “Ngjallja”) e në përgjithësi me jetën tonë Kishëtare Orthodhokse.

Në këtë mënyrë ne do të ecim pas gjurmëve të Apostujve të shenjtë dhe do të ndihmojmë në veprën rindërtuese të Kishës sonë.

Dh. B.