EmailFacebookKontakt

Të denjë të Krishtit

Pohimi ose mohimi i Krishtit janë dy mundësi, që ka një nxënës i Tij. Kurse rrjedhojat e kësaj apo asaj sjelljeje shtrihen në përjetësi. Dhe e përcaktojnë atë. Krishti do të njohë tek e fundit si njerëz të Tij “para Atit të Tij në qiell” vetëm ata që patën guximin ta pohojnë Atë “para njerëzve”.

“Kushdo që do të pohojë për mua përpara njerëzve…”

Këtu në Shqipëri, gjatë persekutimit të egër shumëformësh, shumë njerëz e mohuan Krishtin, madje shumë të tjerë e kanë përndjekur, por edhe shumë prej tyre e kanë pohuar çiltazi dhe me heroizëm. Dhe janë këta të fundit, që me guximin e tyre e mbajtën fshehtazi të gjallë besimin në ndërgjegjen e popullit; dhe u rreshtuan në radhët e mëdha të dëshmorëve dhe shenjtorëve të Kristianizmit, përfaqësues të bekuar të Kishës së Shqipërisë në armatën mbarëkristiane të dëshmorëve dhe ambasadorë shumë të vyer për lulëzimin e ri të Kishës sonë dhe për marshimin spiritual të të gjithë neve.

Por këtu nuk është fjala vetëm për çastet solemne të pohimit apo mohimit me të cilat ballafaqoheshin të krishterët në periudhat e ndjekjeve ose të krizave të mëdha historike. Raste për të pohuar ose mohuar Krishtin i paraqiten njeriut edhe sot. Ka natyrisht shumë njerëz të tillë që do të parapëlqenin t’u shmangeshin mëdyshjeve të tilla, të një pohimi ose mohimi të prerë të Krishtit dhe do të donin të tërhiqeshin në një asnjanësi. Por një mundësi e tillë, domethënë një eventualitet i tretë, nuk jepet.

Kur hezitojmë që ta pohojmë, në thelb e mohojmë Atë

Dhe në shumë raste e mohojmë Krishtin pa e kuptuar mirë as vetë, dhe ngandonjëherë pa dyshuar se bëjmë një gjë të tillë.

Mund ta mohojmë atë me heshtjen tonë. Kur i shmangemi të mbajmë qëndrim sa herë që shohim një klimë armiqësore ndaj Tij; kur kemi frikë se rrezikohet sigurimi ynë, pozita jonë dhe rehatia jonë. Dëgjojmë shpesh që disa e godasin besimin kristian, e ironizojnë, e akuzojnë, e tallin dhe ne kufizohemi në atë që vetëm t’i dëgjojmë. Shohim që minohen traditat kristiane dhe zakonet e shenjta të popullit, shohim që pengohet edukimi kristian i fëmijëve tanë, që shtrembërohet e vërteta historike, dhe ne qëndrojmë sehirxhinj.

Nuk përjashtohet që disa, për të treguar se nuk janë të prapambetur, e mohojnë Krishtin edhe me ato që thonë; bëjnë shaka me idetë dhe shprehjet e Shkrimit të Shenjtë; shprehin dyshime për porositë e qarta të Tij; tërhiqen pas shpifjeve kundër punëtorëve të pastër të Ungjillit të Tij; marrin pjesë në komente përbuzëse dhe në akuza ndaj Kishës së Tij.

Por, kryesisht, ndodh që Krishtin ta mohojmë me veprimet tona, me mënyrën e jetesës sonë; në zhvillimin e karierës sonë; në orvajtjet për të arritur një objektiv, që të fitojmë diçka të rëndësishme për veten tonë. E mohojmë Krishtin kur nuk pranojmë që porositë e Tij, direktivat e Tij t’i kemi si themel dhe kriter të sjelljes sonë, të mendimeve dhe të veprimeve tona.

Dhe në një mënyrë tragjikomike e mohojmë Atë, sa herë që për të mbajtur gjoja një qëndrim serioz dhe të punojmë mandej “për të mirën e shoqërisë dhe për lavdinë e Tij”!!, përpiqemi ta bindim veten se nuk prish punë që shkelim drejtësinë, ndershmërinë, të vërtetën, të cilat me ngulm i kërkon Ungjilli i Tij. Mohojmë Atë që ka falur edhe kryqëzuesit e Tij, kur nuk duam të falim fyerjet dhe padrejtësitë, kur mbajmë brenda vetes mërinë ndaj njerëzve. E mohojmë kur në thellësinë e shpirtit tonë e vëmë në dyshim vlerën e përhershme të fjalëve të Tij dhe gjykojmë e veprojmë mbi bazën e mendimeve, predispozicioneve dhe dëshirave tona egoiste.

Çfarë fshihet prapa një mohimi të tillë?

Në pamje të parë, herë ligështimi, herë frika dhe herë arsye interesi. Por në thellësi fshihet mohimi i dy parimeve bazë, të cilat Krishti i shtron në Ungjill.

Së pari, kushdo, që drejtpërdrejtë apo tërthoras, mohon Krishtin do të thotë se ai do diçka tjetër më lart “mbi” Atë. Domethënë se nuk i jep Atij vendin e parë, siç i takon, se nuk e pranon që Ai është Alfa dhe Omega e jetës dhe e botës. Zoti ka thënë: “ai që do të atin dhe të ëmën më tepër se mua, nuk është i denjë për mua; dhe ai që do bir e bijë më tepër se mua, nuk është i denjë për mua”.

Kur e dëgjon për herë të parë këtë thënie, tingëllon e vrazhdë. Por këtu nuk është fjala për përbuzjen e prindërve apo të fëmijëve. Boshti i mendimit qëndron në nocionin “tepër” domethënës. Më shumë se Mua, thotë Zoti, se Mua që jam e Vërteta, Drejtësia dhe Dashuria. Dhe Ai sjell si pikë krahasimi dashurinë më të lartë biologjike dhe të ligjshme, dashurinë ndaj prindërve dhe fëmijëve për ta bërë pikërisht më të theksuar antitezën dhe të përjashtojë plotësisht çdo lloj dashurie tjetër ndaj një personi apo sendi. Në qoftë se ai do që të atin apo të ëmën ose fëmijët (që domosdo e ka për detyrë ta bëjë) nuk është i denjë për Krishtin, nuk është MË TEPËR për Krishtin, atëherë sa i pajustifikuar është ai që dashurohet pas personave ose sendeve të një rëndësie më të vogël, pas ofiqeve, parave, pozitave, planeve, ideve.

Një shkak i dytë, më i thellë për mohimin e hapur apo të fshehtë të Krishtit është frika e Kryqit. “Dhe ai që nuk merr kryqin e tij e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua”. Në jetën e çdo besimtari ka momente të vështira, çaste kritike, në të cilat provohet besnikëria e tij te Krishti. Është fjala për prova vetjake ose prova më të përgjithshme. Dhe atëherë shumë njerëz pranojnë ta ngrenë kryqin e tyre dhe të ecin me konsekuencë në gjurmët e Krishtit, “pas” Tij. Ka të tjerë që parapëlqejnë rehatinë, domethënë mohimin e kryqit dhe për rrjedhojë edhe mohimin e Krishtit.

Nuk mjafton ta ngresh kryqin (edhe njerëz të tjerë – madje edhe kusarë ngrenë mbi supet e tyre dhimbje dhe mundime). Duhet edhe t’i shkosh pas Iisuit, duke bërë shërbime me durim dhe shpresë, duke i dashur që të gjithë. Zaten nuk mund t’i shkosh pas dhe ta pohosh Krishtin pa pranuar kryqin. Për të qenë “i denjë” i Krishtit duhet që, për hir të dashurisë për Të, të mund të qëndrosh më lart se interest yt, se instinktet, se rehatia, më lart se dëshira jote vetjake. Kjo dashuri është e kushtueshme.

Por nuk ka gjë më të shtrenjtë se Krishti; kushdo që e mohon Atë, mohon në fund të fundit, vetë jetën, “jetën e përtejme”. Edhe ajo e mohon atë

* * *

Me këtë ideal dhe me këtë moral jetuan gjithë shenjtorët, apostujt, dëshmorët, pohuesit, oshënarët, të cilët i përkujton sot dhe i nderon Kisha Orthodhokse. Jo të gjithë kanë bërë mrekullira, por që të gjithë ata e kanë dashur Krishtin më shumë se çdo gjë tjetër. E pohuan Atë guximshëm, me predikimin e tyre, me shembullin e tyre, me jetën e tyre. Jo të gjithë e mbyllën jetën si dëshmorë, por me guxim ata dëshmuan për bindjet e tyre kristiane dhe me vetëmohim e ngritën kryqin e tyre të përditshëm dhe përbrenda u bashkëkryqëzuan me Krishtin. Jo të gjithë u bënë të njohur. Shumë prej tyre mbetën krejt në heshtje (dhe posaçërisht këtyre u kushtohet e kremtja e së Dielës së gjithë Shenjtorëve. Por me heroizmin e tyre të heshtur, me virtytin të fshehtë e pasuruan dhe e ndriçuan thellësisht jetën njerëzore. Perëndia “i vuri ata në ngasje dhe e pa se këta ishin të denjë për Të”. Dhe në ndërgjegjen e popullit orthodhoks ata mbetën si simbole, si modele dhe përforcues për një ecje, plot durim, thjeshtësie dhe heroizmi, pas Krishtit, me kryqin dhe dashurinë e tij në zemër.

+ Anastas
Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë