EmailFacebookKontakt

Shërbesat në kishë falas

Më 28 maj u mblodh në Tiranë në mbledhjen e tij të zakonshme Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pasi diskutoi ai mori disa vendime dhe dha rekomandime e porosi të rëndësishme, të cilat duhen pasur parasysh dhe duhen zbatuar nga këshillat kishëtare dhe klerikët në të gjithë vendin.

Ndër të tjera Këshilli u ndal në shërbesat fetare dhe sidomos në misteret e shenjta, të cilat kanë një vlerë të madhe shpirtërore dhe edukative. Veçanërisht në kohën e sotme, pas kaq shumë vjetësh persekutimi, këto marrin një vlerë dhe rëndësi të posaçme pasi janë rritur kërkesat për pagëzime, kurorëzime dhe shërbesa të tjera, të cilat nuk kanë mundur të kryhen gjatë diktaturës komuniste. Në dy vitet e fundit këto shërbesa janë kryer kundrejt pagesave të caktuara. Por duke marrë parasysh ndërgjegjësimin e çdo besimtari orthodhoks për kontributin që duhet të japë për kishën sipas mundësive të tij, në Këshillin e Përgjithshëm u tha se do të ishte e tepërt pagesa e një kuote të detyruar për kryerjen e shërbesave të ndryshme fetare. Për këtë arsye Këshilli i Përgjithshëm vendosi heqjen e të gjitha kuotave të detyruara dhe tani e tutje të gjitha shërbesat që kryhen në kishë do të jenë pa pagesë.

Njëkohësisht për të mos penguar dëshirën që mund të kenë qytetarët për të dhuruar diçka për kishën në këto raste, do të vendoset një kuti e caktuar, brenda në kishë, ku do të shkruhet “Sipas dëshirës së besimtarëve për pagëzimet, kurorëzimet, përshpirtjet, varrimet dhe shërbesat e tjera kishëtare”.

Gjithashtu Këshilli i Përgjithshëm diskutoi edhe për mënyrën e administrimit dhe shpenzimit të të ardhurave që vijnë nga këto shërbesa në mënyrë vullnetare nga besimtarët. U diskutua pastaj për funksionimin pa ndërprerje të punishtes së qirinjve në Berat, si dhe për disa probleme që kanë të bëjnë me qëndrimin dhe marrdhëniet ndaj sekteve të ndryshme fetare të panjohura deri tani nga populli ynë dhe që kanë filluar të hyjnë kohët e fundit te ne.

Korresp. i “Ngjalljes”