EmailFacebookKontakt

Detyra më e rëndësishme – arsimimi i klerit

– Intervistë me dekanin e shkollës Teologjike “Shën Vladimiri” të Nju Jorkut, At Tom Hopko –

– Para së gjithash, dëshiroj t’ju shpreh urimet për predikimin dhe gëzimin për vizitën tuaj, sepse ne kemi nevojë për çdo njeri që na ofron ndihmë në këtë kohë, por vendin e parë gjithmonë e zë ndihma shpirtërore. Prandaj si fillim deshëm të dinim diçka për jetën tuaj dhe për misionin që keni kryer për t’ia transmetuar lexuesit tonë…

– Gjyshërit e mi erdhën në Amerikë në fund të shekullit të kaluar. Prindërit e mi u lindën aty, unë u linda aty, rritur në Kishën Orthodhokse. Prindërit e mi ishin punëtorë, jo të arsimuar, por unë studjoja në Universitet dhe pastaj në shkollën Teologjike. Më vonë u hirotonisa prift për 5 vjet në një enori. I vazhdova studimet, duke marrë doktoratën dhe prej 25 vitesh jap mësim në shkollën tonë Teologjike “Shën Vladimiri” në Nju Jork. Që nga shtatori i kaluar jam dekan i saj, kreu i shkollës. Këtë vit mbush 30 vjet prift.

– Ju folët për lidhjet që keni pasur me kishën shqiptare në Amerikë. Mund të na thoni diçka më tepër?

– Sigurisht. Shqiptarët në Amerikë kanë disa komunitete orthodhokse dhe më 1978 komuniteti shqiptar i Nju Jorkut kishte nevojë për prift ndaj Metropoliti më dërgoi mua. Për 5 vjet isha guvernatori i enorisë së komunitetit të Shën Kollit.

– Kjo lidhje vazhdon ende sot?

– Po, sigurisht. Jemi bashkë. Ka një lidhje të ngushtë, një bashkëpunim të ngrohtë midis gjithë orthodhoksëve.

– Eshtë hera e parë që vini në Shqipëri. Do të dëshironim të dinim mendimin tuaj për ecurinë e Kishës së Shqipërisë tani dy vjet pasi ka gjetur lirinë.

– Ngjan me mrekulli. Eshtë si mrekulli. Nuk kishte asgjë: as fe, as kishë. Dhe tani të kemi këtë ngjallje të madhe, këtë rilindje. Eshtë si mrekulli. Duam të ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi.

– Ku mendon se qëndron roli i Kryepiskopit, Fortlumturisë së Tij Anastas, në këtë Ngjallje?

– Ai është personi udhëheqës, figura udhëheqëse, dhe është tepër e mrekullueshme që e keni, sepse ai është misionar për shumë vite, ka dashuri të madhe për njerëzit, dhe për të qenë me njerëzit, i aftë ta bëjë veten e tij si një nga njerëzit e grigjës së vet. Dhe jam i bindur se njerëzit do ta kuptojnë dhe do ta duan si njeriun e tyre në kishë. Eshtë shumë inteligjent, shumë i aftë. E njoh që kur ishte dhiakon. U takuam më 1961 në Beirut të Libanit, kur ishim të rinj, në lëvizjen e të rinjve.

– Të kthehemi tek ajo që filluam intervistën. Pavarësisht nga hapat e mëdhenj që keni bërë, kemi shumë nevojë për mbështetjen tuaj, dhe gjithë komunitetit orthodhoks botëror. Ç’mendoni, si mund të shtohet dhe të rritet kjo lidhje dhe mbështetje?

– Mendimi im është se tepër e rëndësishme është të nxjerrësh udhëheqës të rinj, nga vetë njerëzit, nga popullsia lokale. Dhe mendoj se më e rëndësishme është t’u japësh njerëzve të rinj arsimim të mirë, të mësojmë Shkrimin e Shenjtë, Biblën, Liturgjinë, historinë e Kishës, të Etërve të Kishës, t’u japësh përvojën e kishave të tjera orthodhokse, të njerëzve të tjerë orthodhoksë nga e gjithë bota, jo vetëm në këtë rajon, të botës, në Ballkan, por në Amerikë, Evropën Perëndimore e Lindore, në Rusi etj. dhe njerëzit e rinj të ndjejnë me të vërtetë gjënë e parë – se ata janë të krishterë: Unë jam i krishterë, unë jam i krishterë orthodhoks, unë i takoj një Kishe të shenjtë, të përgjithshme, apostolike. Jam i krishterë, dhe mendoj se udhëqja është çështja kyç. Do të thosha se nëse ndonjë nga njerëzit tuaj të rinj ka dëshirën të vijë të studiojë në shkollën tonë Theologjike është i mirëpritur. Do të përpiqemi t’ju ndihmojmë, do të përpiqemi të gjejmë mundësi për këtë. Ka një student në Seminarin e Kryqit të Shenjtë në Boston, dhe nëse do të kemi më shumë studentë në Amerikë do të jemi të lumtur për t’ju ndihmuar. Mendoj se arsimimi është gjëja më e rëndësishme, që njerëzit e rinj ta duan Kishën dhe të dinë ç’është Kisha Orthodhokse.

– Si e konsideroni ju faktin: A është dhuratë Perëndie që pas një periudhe të gjatë persekutimi kjo kishë që qe shndërruar në palestër, pa së pari episkop, pastaj dekanin e Seminarit të “Kryqit të Shenjtë” dhe tani këtu vjen dekani i Seminarit “Shën Vladimiri”?

– Eshtë Bekimi nga Perëndia. Providenca Hyjnore. Vajta dhe vizitova At Alqiviadhin te Kryqi i Shenjtë (dekani i “Kryqit të Shenjtë”) para se të vija në Shqipëri dhe bisedova me të për gjithçka. Ai dhe unë jemi miq të mirë dhe bashkëpunojmë dhe jemi gati të ndihmojmë me çdo mënyrë po të mundemi.

– Të kesh brenda tre muajsh të dy dekanët e dy seminareve orthodhokse të SHBA e konsiderojmë si një favor që i bëhet Kishës sonë.

– E drejtë, jemi shumë të interesuar. Jam i bindur se ky është vullneti i Perëndisë, që ne të njihemi, të punojmë bashkë dhe ne kërkojmë ndihmë nga ju gjithashtu, që të vini të na flisni se ç’do të thotë të jetoje këtu, se ç’do të thotë të ishe nën komunizëm, çfarë do të thotë të vuash; është shumë e rëndësishme për amerikanët ta njohin.

– Eshtë e mundur që vizita të tilla nga jashtë të kthehen në qëndrime të përkohshme misionare, të cilat do të ishin shumë të nevojshme për ne në këtë fazë?

– Sigurisht. Do të përpiqemi ta rregullojmë për qëndrime më të gjata. Por edhe juve, është e rëndësishme, të vini të bisedoni, të flisni aty me njerëzit.

– Duke ditur se jeni një autor shumë i lexuar nga gjithë bota, dhe se librat tuaj të përkthyer në shumë gjuhë (10 deri tani), çfarë do të thoshit, dhe cila nga veprat tuaja do të dëshironit të përkthehej e para në gjuhën shqipe?

– Eshtë e thjeshtë për t’u përgjigjur. Kam katër volume të vogla të katekizmit. Shumë të thjeshtë. Janë përkthyer në rusisht, serbisht, arabisht, japonisht, dhe është mësim themelor i besimit Orthodhoks. Kjo do të jetë më e mira të përkthehet në shqip. Mund të provojmë ta bëjmë edhe në Nju Jork.