Shën Jon Vladimiri lindi në fshatin Vladimir të Krajës në Malin e Zi në shekullin e 10-të pas Kr. Pas vdekjes së të atit mori drejtimin e mbretërisë dhe hyri në luftë të gjatë me mbretin e Bullgarisë, Samuelin. Ky, pasi e kapi me tradhti, e burgosi në kryeqytetin e vet, në Ohër. Një ditë, ndërsa e bija e Samuelit, Kosara, po vizitonte burgun, pa Jon Vladimirin dhe u dashurua pas tij. Si ia shfaqi ndjenjat e veta të atit, ajo i kërkoi atij lirimin e Jonit dhe martesën me të. Samueli e pranoi lutjen e së bijës dhe Kosara u martua me Jon Vladimirin, i cili mori përsëri drejtimin e mbretërisë së trashëguar nga i ati. Ai qe një mbret i drejtë, dhe u shqua sidomos në luftën kundër herezisë – bogomilizmit.
Gojëdhana tregon se një ditë, duke shëtitur me dy adjutantë të tij në krahinat e mbretërisë, në një pyll pranë Elbasanit, buzë lumit të vogël të Kushës, pa një shqiponjë e cila mbante në krahët e saj një kryq të ndritshëm. Shqiponja zbriti mbi tokë la kryqin dhe u zhduk, se qe një engjëll. Joni, me falje të mëdha, mori kryqin dhe e vendosi në një vend ku më pas ndërtoi një kishë.
Disa vite më vonë, mbreti bullgar Samuel u mund në luftë kundër perandorit të Bizantit dhe nga hidhërimi i madh vdiq. Vendin e tij e zuri i biri, Radomiri, i cili pas një viti, u vra nga i vëllai prej nëne, Vladislavi, që u bë kështu mbret i Bullgarisë. Duke dashur të marrë nën sundimin e vet edhe mbretërinë e Jon Vladimirit, Vladislavi e thirri Jonin në Ohër, pasi iu betua në Ungjill dhe për Kryqin e Shenjtë të drunjtë të Krajës. Ky e besoi dhe vajti por Vladislavi nxorri shpatën e u përpoq t’i priste kryet, por meqenëse kjo qe e pamundur, vetë shenjti mori kryqin e drunjtë dhe i tha: Me këtë të cilin e tradhtove, më pre. Ndërsa adjutantëve të tij u tha: Mos derdhni gjak vëllazëror për vrasjen time, mos luftoni për mua, ruani paqen dhe lavdinë e besimit orthodhoks të Krishtit, Zotit të vërtetë. Të sundohet me drejtësi dhe dashuri populli im. Kunati ia preu kryet, por mrekullisht shenjti, pasi mori kryet e vet të prerë në duart e veta, ashtu siç ishte i hipur në kalin e tij, shkoi drejt e në kishën që kishte ndërtuar vetë pranë Elbasanit, ku u varros me një ceremoni të madhe prej kryepiskopit të vendit më 22 maj (4 qershor) 1015. E shoqja, Kosara, ndërtoi aty një shtëpi ku banoi deri sa vdiq, dhe e cila u kthye në manastir. Më vonë Kishën dhe manastirin e Shën Jon Vladimirit i ndërtoi nga themelet princi shqiptar Karl Topia, por ato u morën përdhunisht nga regjimi i kuq dhe po në atë mënyrë mbahen ende edhe sot. Për Shën Jonin kemi dhe himne poetike të shkruara prej Theodhor Haxhifilipit, elbasanasit, cili është i pari që, ndër të tjera, ka përkthyer meshën e shën Joan Gojartit në gjuhën shqipe. Këta himne, ku bëhet aluzion edhe kundër pushtuesit otoman këndoheshin dhe këndohen rreth lipsanit të tij ditën e panairit.
Josif Terziu