EmailFacebookKontakt

Ngjitja në qiell e Zotit tonë Iisu Krisht

Pas ngjalljes së Tij, Zoti ynë Iisu Krisht qëndroi në tokë edhe dyzet ditë, duke iu shfaqur herë pas here nxënësve e duke folur me ta për mbretërinë e Perëndisë, për Kishën, që do të formohej. Ditën e dyzetë, duke qenë së bashku në malin e Ullinjve, u ngjit në qiell në prezencë të tyre, (Shih: Ungjilli sipas Markut 16:19, sipas Llukait 24:50 dhe Veprat e Apostujve). Dita e përkujtimit të kësaj ngjarjeje, e cila mbyll jetën tokësore të Shpëtimtarit, quhet “Ngjitja në qiell e Zotit” ose siç e quan populli “sheshtja” dhe kremtohet gjithnjë të Enjten e gjashtë pas së Dielës së Pashkës së Madhe.

Eshtë një nga të kremtet më të vjetra tradicionale të Kishës. Për herë të parë ajo paraqitet e dokumentuar si e kremte në veprën “Konstitucionet Apostolike” vepër e shekullit të parë të krishtërimit, ku theksohet se atë ditë skllevërit kanë ditë pushimi, sepse në atë ditë Krishti mbylli jetën e tij tokësore. Pastaj përmendet shpesh prej Shën Epifanit, Shën Joan Gojartit, të lumturit Agustin e prej shumë shkrimtarësh dhe etërish të kishës, të cilët, madje i kanë kushtuar dhe fjalime të rëndësishme.

E kremtja e ngjitjes në qiell të Zotit është një nga të dymbëdhjetë të kremtet e mëdha të Kishës. Ajo është për ne një dëshmi gazmore për shpëtimin e kryer dhe për pajtimin e Perëndisë me njerëzimin. Në malin e Ullinjve, në Palestinë, në vendin ku Shpëtimtari u ngjit në qiell, Shën Elena në fillim të shekullit IV pas Krishtit ngriti një kishë, ku kremtohet me të madhe vit për vit kjo festë. Kisha të tilla me emrin e Ngjitjes në qiell të Zotit janë ngritur në shumë vise të botës ku ka komunitete të krishtera. Në vendin tonë është e njohur kisha e Mborjes, e cila, sipas të dhënave më të reja, i përket shekujve të parë të mesjetës.

Në Mborje, ditën e sheshtjeve, bëhet panair i madh, ku marrin pjesë besimtarë nga i gjithë rrethi i Korçës.

Dh.B.