Vlerësim madhor
KRYEPISKOPI ANASTAS U ZGJODH ANËTAR KORRESPONDENT I AKADEMISË SË ATHINËS
Me propozim unanim të Sektorit të Shkencave Morale dhe Politike, Asambleja e Akademisë së Athinës më 18.2.1993, me vota unanime zgjodhi Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas, anëtar korrespondent të saj. Zgjedhja u publikua në gazetën zyrtare më 23 prill 1993.
Akademia e Athinës është Institucioni më i lartë shpirtëror i Greqisë dhe ka si qëllim kulturimin dhe çuarjen përpara të shkencave, të Letërsisë e të Arteve të Bukura dhe në përgjithësi të dijëve njerëzore, me përqëndrimin dhe bashkëpunimin e shkencëtarëve, shkrimtarëve dhe artistëve grekë më të shquar, si dhe me komunikimin me Akademitë e huaja dhe me shkencëtarë, intelektualë e artistë të tjerë të shquar.
Akademia e Athinës ka tre sektorë të specializuar: 1) Sektorin e Shkencave Pozitive, 2) Sektorin e Letërsisë e të Arteve dhe 3) Sektorin e Shkencave Morale e Politike. Anëtarë të saj janë personalitete të shquara në këto fusha dhe kjo zgjedhje përbën një nga vlerësimet më të rëndësishme shkencore dhe intelektuale në jetën e një shkencëtari apo artisti.
I Fortlumturi Kryepiskop Anastasi qe propozuar qysh nga fillimi i vitit 1991 si anëtar i rregullt i Akademisë dhe në votimet e para të shkikuara që pasuan ishte kandidatura mbizotëruese për vendin vakant të Teologjisë. Por, ngarkimi i tij me organizimin dhe drejtimin e Kishës së Shqipërisë e detyroi të vendoset në Tiranë, gjë që i privoi mundësinë e zgjedhjes si anëtar i rregullt, ngaqë të qënit banor i Athinës është kusht i domosdoshëm për këtë.
Zgjedhja e Kryepiskopit Anastas anëtar korrespondent i Akademisë së Athinës përbën një nderim eminent për krijimtarinë e tij të lartë shkencore, teologjike, kishëtare dhe shoqërore.
Këshilli i Përgjithshëm i Kishës tonë Orthodhokse Autoqefale, i informuar në mbledhjen e tij të zakonshme të muajit prill për këtë vlerësim të lartë që iu bë Fortlumturisë së Tij, i uroi suksese të mëtejshme si në fushën studimore-shkencore, ashtu edhe në atë të organizmit e të përparimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
D.B.