Në 1967, kur kishat në Shqipëri u mbyllën, Instituti i Monumenteve të Kulturës filloi të ruajë (të paktën kështu ishte pretendimi), zotërimet e kishave si dëshmi të rëndësishme kulture dhe historike. Shumë nga këto zotërime, siç janë ikonat tona të shenjta, gjenden tani të magazinuara në gjithë Shqipërinë, si në Tiranë, Korçë dhe Gjirokastër. Ato janë dhoma magazinash të kyçura dhe të mbushura me qindra ikona të vjetra dhe të vlefshme orthodhokse, disa të datuara që prej shekullit të 16-të.
Disa nga këto ikona janë konfiskuar edhe më vonë. Nëse ndokush, do të shikonte etiketat e tyre, të cilat identifikojnë ikonat e ndryshme, ai do shikonte se ato janë mbledhur nga kishat orthodhokse anembanë Shqipërisë. Disa prej tyre janë marrë tani vonë, edhe më 1990! Për shembull, të mbyllura në Tiranë, janë ikona të marra nga kishat orthodhokse të Beratit. Ato janë marrë dy vjet më parë, pak përpara se kisha u rikthye tek pronarët e saj të ligjshëm. Duket ironike dhe krim që kishat e Beratit iu kthyen orthodhoksëve, vetëm pasi iu mor çdo ikonë me vlerë. Këto ikona janë pjesë e traditës së gjallë të besimtarëve. Ato u takojnë jo vetëm besimtarëve orthodhoksë, por ato u takojnë dhe kishave. Eshtë thënë se ikonat u konfiskuan tani vonë për arsye se “populli filloi t’i vidhte ato”. Por në realitet, pasi Qeveria u ktheu pak kisha orthodhoksëve, ajo hoqi rojet që ruanin kishat e mbyllura për shumë vite, duke i lënë ato në mëshirë të fatit. Kjo është arsyeja e vërtetë se pse pati dëmtime.
Por, pavarësisht nga kjo, pyetja që bëjmë është: “Tani që Kisha është e lirë dhe e stabilizuar, a do të kthehen këto ikona tek pronarët e tyre të ligjshëm?”
Thuhet se Ministria e Kulturës bën plane të kopjojë këto ikona dhe pastaj t’ia kthejë origjinalet kishës. Aq sa mrekullueshëm tingëllon kjo, aq dhe e dyshimtë është nëse do të realizohet. Një arsye është se Ministria ka filluar t’i ekspozojë këto ikona të vlefshme jashtë Shqipërisë. Pa ikonat origjinale ky burim prestigji dhe të ardhurash do të jetë i humbur. Një arsye e dytë është se ky Institut ka ndërprerë shumë punë të vetat për shkak të mungesës së fondeve. Nëse ata kanë ndërprerë punën e tyre restauruese, a është e besueshme që do të ndërmarin detyrën tejet të madhe të kopjimit të qindra ikonave orthodhokse të shekujve të kaluar. Megjithëse e vlerësojmë punën e bërë për restaurimin e këtyre ikonave, përsëri ne e ngremë zërin kur është fjala për padrejtësi.
Meqenëse diçka bëhet e vlefshme, mos do të thotë se ajo mund të merret me forcë prej atyre që i përdorin ato në adhurimin jetësor të Zotit? Ka vetëm një kënd vështrimi për këto veprime – ato janë grabitje e ikonave dhe vendeve të shenjta që u takojnë Kishës tonë Orthodhokse. Kjo është grabitje, e cila fshihet nën fjalë të maskuara dhe të paqarta si “muzeume” dhe “monumente kulture”. Faktet janë kokëforte: Ikonat tona janë vjedhur nga regjimi komunist. Dhe përderisa ato mbeten të mbyllura në magazinat e Qeverisë, dhe jo në vendet e tyre të ligjshme, a mund të themi se na është kthyer liria e besimit?