– Protestë paqësore e besimtarëve të Shkodrës –
Besimtarët orthodhoksë të qytetit të Shkodrës, i gjeti demokracia e shumëpritur pa asnjë kishë ose manastir, kur dihet nga të gjithë se para vitit 1967 kishte dy kisha, Katedralja në qendër të qytetit (ku sot është shtëpia e Oficerëve) dhe një kishë e vogël në varrezat e qytetit. Ka mbi një vit e gjysmë që Këshilli Kishëtar i qytetit të Shkodrës dhe Kryesia e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë po përpiqen pranë organeve shtetërore për të na dhënë një truall për ndërtimin e një kishe orthodhokse. Por më kot. Këto organe justifikohen se në këtë qytet nuk ka shumë orthodhoksë, fakt që nuk është i vërtetë, se në Shkodër sot ka mbi 600 familje orthodhokse.
Besimtarët orthodhoksë gëzohen kur shohin se në Shkodër po ringrihen ndërtesa kulti të feve të tjera, se kemi qenë njësoj të persekutuar, por na vjen keq kur orthodhoksët në Shkodër po diferencohen ose më mirë, po diskriminohen. Në qoftë se Z.Ali Kazazi, kryetar i rrethit dhe Z.Filip Guraziu, kryetar i Bashkisë së Shkodrës e kanë të vështirë të miratojnë një truall në një vend të përshtatshëm dhe jo si ai që na u ofrua në një rrugicë të ngushtë e qorre të qytetit, besimtarët orthodhoksë të Shkodrës dhe Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kërkojnë shtëpinë e Oficerëve, truallin tonë, kishën tonë, që aty, në këtë vend të shenjtë, të ringremë përsëri kishën orthodhokse.
Për këtë bazohemi tek prona jonë e shenjtë, tek ligji mbi kthimin e pronave të të persekutuarve politikë, dhe kisha është më e persekutuara; bazohemi tek dëshirat dhe kërkesat e besimtarëve orthodhoksë të Shkodrës që nuk kanë ku të falen.
Në Kuvendin Kleriko-Laik të besimtarëve orthodhoksë, u vendos që po të mos zgjidhet sa më parë ky problem në qytetin e Shkodrës, do t’i drejtohemi forumeve të larta botërore duke protestuar për këtë padrejtësi që po u bëhet besimtarëve të këtij qyteti.
Të shtunën, më 8 maj, qindra besimtarë orthodhoksë shkodranë u mblodhën në qendër të qytetit dhe me ikona në duar, të prirë nga at Spiro Tola, u drejtuan para teatrit “Migjeni”. Me lutje dhe duke kënduar himnin “Krishti u ngjall së vdekurish”, ata kërkuan rikthimin e pronës së kishës orthodhokse për të ndërtuar aty një kishë të re.
Aleko Dhima
sekretar administrativ i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë