Më 11 prill 1993 ditën e diel, një javë përpara Pashkëve, rinia studentore orthodhokse shfaqi fuqishëm dashurinë e saj për Zotin tonë qiellor Iisu Krishtin. Këtë herë pas 26 vjetësh, historia duket sikur kërkon të ndreqë atë ç’ka prishur më parë. Rinia e sotme, pasardhëse e asaj rinie që 26 vjet më parë, me djallin e kuq në mendje dhe në zemër, u përpoqën të shkatërronin pa më shirë traditën e lashtë të besimit orthodhoks e ndriçuar nga mësimet e Zotit Iisu Krisht, nga mësimet e Etërve tanë dhe nga tradita jonë, duan t’i japin këtij besimi vendin që i takon. Padrejtësive të bëra u duhet dhënë fund.
Ky ishte dhe themeli i atij manifestimi të madh besimi në Kishën e Shën Prokopit në Tiranë. Studentët në balle me ikona dhe kryqin, të pasuar nga qindra besimtarë pas ceremonisë së bekimit të ujit (që u bë jashtë) kërkuan të fusin kryqin brenda, atje ku ka qenë, në kishën e kthyer në vend dëfrimi. Dhe përsëri për policinë Kisha quhet “lokal shtetëror”.
Fatkeqësisht, Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i çudirave. Disa kanë të drejtë të falen te luten te adhurojnë apo predikojnë në vendet e tyre të shenjta, ndërsa disa jo. Dhe çuditërisht këta “disa” janë orthodhoksët. A i përfshin ligji i të drejtave të njeriut, aprovuar pak kohë më parë nga Parlamenti ynë demokratik? Më tej? Asnjë nga mjetet e informacionit nuk denjoi të thoshte qoftë dhe një fjalë për këtë ngjarje, megjithëse u vunë në dijeni. Por zemrat e ndezura të rinisë studentore orthodhokse shqiptare dhe të dhjetra mijra besimtarëve nuk heshtin. Ata kanë kërkuar dhe do të vazhdojnë të kërkojnë deri në fund rikthimin e të gjitha vendeve të shenjta të grabitura. Besimi i tyre i thellë për Krijuesin dhe Shpëtimtarin e botës, i bën ata të shpresojnë dhe besojnë se së shpejti do ta adhurojnë dhe lavdërojnë Atë në vendet e tij të shenjta.
Korresp. i “Ngjalljes”