+ ANASTAS
Me mëshirë të Perëndisë, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë
Klerit të devotshëm dhe popullit shpresëtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Fort të shtrenjtë vëllezër dhe motra të mia më Krishtin,
I
«Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli …»
Urrejtja e thellë njerëzore, duke përdorur dhunën brutale të pushtetit shtetëror, kërkoi të shfarosë «Birin e njeriut», Iisu Krishtin, të Papërlyerin dhe të Vërtetin. Armiqtë e Tij e kryqëzuan, siguruan dhe varrin, duke besuar se kështu e kishin hequr qafe përfundimisht. Mirëpo Krishti, duke qenë njëherësh «Biri i njeriut» dhe «Biri i Perëndisë», tri ditë pas kryqëzimit të Tij, u ngjall. Dhe mbetet përgjithmonë Zoti i ngjallur. Ngjallja përbën vulën që na vërteton se kush është me të vërtetë Iisu Krishti. Miliarda njerëz kaluan. Shumë prej tyre mahnitën me mençurinë apo fuqinë e tyre dhe entuziazmuan popujt. Veçse, përfundimisht, të gjithë iu nënshtruan vdekjes. Ai, që me flijimin e Tij të vullnetshëm mundi vdekjen dhe shkallmoi pushtetin e saj, është Iisu Krishti, Zoti dhe sunduesi i gjithësisë. Me gjakun e Tij të tërëshenjtë na çliroi prej mallkimit të mëkatit, shkaku i vdekjes, dhe na çeli rrugën e jetës së përjetshme. «… mb’atë që na deshi, edhe që na lau nga fajetë tanë … mb’atë qoftë lavdia edhe pushteti ndë jetët të jetëvet; amin» (Zbulesa 1:5-6).
Mesazh themelor i Kishës nuk është vetëm se Krishti u ngjall, por se fitorja e Tij ka një rëndësi më të përgjithshme për tërë gjininë njerëzore, për tërë natyrën njerëzore, të cilën e mori si «Adam i dytë». Sikurse mosbindja dhe mëkati i Adamit të parë e çoi në vdekje mbarë njerëzimin, ashtu edhe bindja, rrjedhojë e dashurisë, deri në flijim në kryq i Adamit të dytë, i Krishtit, çon në Ngjallje. «Krishti u ngjall së vdekurish, u bë nisja e atyre që kanë fjetur … Sepse, sikurse të gjithë vdesin me Adamin, kështu edhe të gjithë do të ngjallen me Krishtin» (1 Korint. 15:20-22). Me fuqinë e Krishtit të Ngjallur, shkojmë në një jetë të re, të amëshuar. Dhe në të hyjmë me pagëzimin dhe me pjesëmarrjen tonë në misteret e Kishës. «Të bashkëkryqëzuar me Të», bëhemi pjesëmarrës edhe në Ngjalljen e Tij.
II
Edhe këtu në Shqipëri, pas një periudhe të frikshme persekutimi të egër, ku shteti ateist, me dinakëri dhe pasion, kryqëzoi shpresën te Perëndia dhe te Perëndia-njeri dhe luftoi me tërbim për ta zhdukur përgjithmonë, besimi u ngjall përsëri shkëlqimplotë.
Krishti u ngjall! përsëritim dhjetëra herë me llambadhet të ndezura, duke shpallur se kjo siguri jona ndriçon mendjen, zemrën, vullnetin dhe përcakton jetën tonë shpirtërore dhe rrugën tonë shoqërore. Me këtë besim përpiqemi për krijimin e një shoqërie të re, të çliruar nga iluzionet, nga frika e padrejtësitë, të një shoqërie që do të respektojë figurën njerëzore dhe do t’i ofrojë me të vërtetë të drejta të barabarta dhe shanse të barabarta.
Krishti u ngjall! dhe përshëndetja e Tij e parë pas Ngjalljes ishte «Paqe juve» (Joani 20:19). Përshëndetje kjo por njëkohësisht porosi dhe përcaktim i detyrimit të përjetshëm të njerëzve të Tij: që të jenë gjithmonë paqësorë, faktorë që do të punojnë për një paqe të ndershme, e cila zhvillohet në dritën e së vërtetës, të drejtësisë dhe lirisë së ndërgjegjes. Dhe sot kur zjarri i luftës vrundullon te fqinjët tanë, të gjithë ne, duhet të falemi me zell dhe të përpiqemi me nisma pozitive për t’i dhënë fund dhunës, për pajtim dhe për bashkekzistencë paqësore.
Krishti u ngjall! psal në gjuhë të ndryshme Kisha, duke shpallur me zë të lartë se Ungjilli i Krishtit predestinohet për gjithë botën, hedh ura në mosmarrëveshjet dhe kontradiktat e vjetra, vëllazëron popujt në një shoqëri botërore paqeje, respektimi të ndërsjelltë dhe solidariteti.
III
Veçse, pjesëmarrja jonë në gëzimin e Ngjalljes, vëllezër të mi, nuk është e mjaftueshme të kufizohet vetëm në urimet e Ngjalljes dhe në zakonet e jashtme të Pashkës, por nga viti në vit kjo pjesëmarrje duhet të bëhet më thelbësore dhe më personale. Nuk mjafton që ta psalim me gojë «Krishti u ngjall». Duhet të marrim frymë ngjallërueshëm, të jetojmë me frymë Pashke. Të rrezatojmë Ngjalljen. Dhe jetoj me frymë Pashke do të thotë:
1. Kam besim absolut tek Ai që u bë njeri, te Biri i Perëndisë, i cili me doktrinën, veprën, flijimin, Ngjalljen e Tij mundi vdekjen dhe forcat demoniake që përhapin kudo frymën e Ferrit, dhe e drejtoi njerëzimin në një hapësirë të re jete.
2. Kushdo që jeton me frymë Pashke drithërohet nga besimi në jetë; nga siguria se vdekja; se fundi i ekzistencës së njeriut nuk është shuarja e tij, por ngjallja; se punët dhe veprimet tona kanë një rëndësi vendimtare, dhe se jeta njerëzore mbyll në vetveten përjetësi dhe pafundësi.
3. Kushdo që jeton me frymë Pashke rrezaton një dashuri të guximshme. Me ngjalljen triumfale të Krishtit u përmbysën tinëzitë dhe urrejtja e armiqve të Tij. Por fitorja e Tij nuk kishte asnjë gjurmë hakmarrjeje. Pashka është triumfi i dashurisë. Asnjë hije antipatie ose pakënaqësie nuk i rreziston dritës së saj. Prandaj, në veçanti këto ditë, Kisha jonë i fton të gjithë në falje, në pajtim dhe në përqafim të përzemërt dashurie. Kjo ndjenjë e fuqishme e dashurisë i çon të krishterët në vepra të guximshme vetëflijimi, sepse ata e dinë se nuk ka Pashkë pa Kryqëzim dhe se sakrifica e vetvetishme dhe e painteres e lartëson dhe e denjëson njeriun.
4. Kushdo që jeton me frymë Pashke drithërohet nga shpresa dhe ngazëllimi që i përshkojnë gjithë qenien dhe shpërndajnë çdo re melankolie dhe dëshpërimi. Eshtë fjala për një gëzim paqësor, i cili shumëfishohet duke u ofruar. Kushdo që akordohet në ngazëllimin e Pashkës, bëhet edhe vetë bartës shprese dhe optimizmi.
IV
Fryma e Pashkës është dhuratë dhe hir Perëndie. Ngjallja bashkekziston në mënyrë mistike në jetën e kryqëzuar me Krishtin. U dhurohet gjithë atyre që besojnë tek Ai, i cili tha se «Unë jam ngjallja edhe jeta» (Joan. 11:25) dhe përpiqen të jenë të bashkuar me Të. Ky moral ngjallësor nuk fitohet me përgjithësi panegjirike. Formohet nga devotshmëria ndaj të Ngjallurit dhe nga përpjekja për Ta njohur për ditë e më tepër me gjithë qenien tonë. Nuk është çala, vetëm për njohjen e një të vërtete historike, por për njohjen e një Personi, Krishtit të Ngjallur, dhe të një fuqie, fuqisë së Ngjalljes. «Ta njoh Atë dhe fuqinë e ngjalljes së Tij dhe të marr pjesë në vuajtjet e Tij, që ta pasoj dhe në vdekjen e Tij» (Filip. 3:10). Thelbësorja nuk është që të mësojmë për Krishtin, por të njohim vetë Krishtin, duke marrë pjesë në dashurinë e Tij të Kryqëzimngjalljes; t’i afrohemi përditë e më tepër dhe, duke vështruar Fytyrën e Tij, të mund të thërrasim si Thomai: «Zoti im dhe Perëndia im» (Joan. 20:28).
Më e rëndësishmja pra që kemi për të uruar këtë Pashkë është të shtohet pandërprerë brenda nesh përjetimi i Ngjalljes dhe të jetojmë gjithmonë me frymë Pashke. Me besim dhe përkushtim te Zoti i Ngjallur; me besim në vlerën e njeriut dhe të jetës; me një ofertë dashurie pa interes; me gatishmëri për flijim, duke transmetuar shpresë dhe paqe kudo që gjendemi.
Krishti u ngjall! Gëzuar, pra, Pashkën, vëllezër të mi, me Ngjalljen gjithmonë brenda nesh!
Me përqafime Pashke të një dashurie të thellë,
+ Anastas
Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë
Dhe si shkoi e shtuna, duke gdhirë e diel, dita e parë e javës, Maria, Magdalena, dhe Maria tjetër erdhën të shihnin varrin. Dhe ja, u bë një tërmet i madh; sepse një engjëll i Zotit, që zbriti nga qielli, u afrua, rrokullisi gurin dhe qëndroi mbi të. Dhe fytyra e tij ishte si prej vetëtime; dhe veshja e tij e bardhë si borë. Dhe nga tmerri që patën, rojet u frikësuan e mbetën si të vdekur. Po engjëlli u tha grave: Ju mos u frikësoni; se unë e di që kërkoni Iisuin, që u kryqëzua. Ai nuk është këtu; sepse u ngjall, ashtu siç pati thënë. Ejani shikoni vendin ku ishte shtrirë Zoti. Dhe shkoni shpejt e ua thoni nxënësve të tij: Ai u ngjall prej së vdekurish, dhe ja, po shkon përpara jush në Galile; atje do ta shikoni. Ja, jua thashë. (Mat. 28: 1-7)