Në qoftë se do të burgosesha dhe në qoftë se do të guxoja të merrja me vete vetëm një libër, do të zgjidhja Biblën.
Gëte
Kur shkrimtari i madh Walter Scott, ndodhej në shtratin e vdekjes, i tha djalit të tij të madh: “Ma jep Librin”…
Pa e kuptuar, i biri e pyeti: “Cilin libër dëshiron?”
Scoti iu përgjigj: “Ka vetëm një libër që mund të quhet ‘Libër’ Bibla”
Pasi e lexoi Biblën për të njëqindën herë Spurgeoni tha: “Herën e njëqindtë m’u duk shumë më e mirë se herën e parë”.
Nëpër botë ka sot përafërsisht 2000 gjuhë e dialekte. E tërë Bibla ose pjesë të saj janë përkthyer përafërsisht në 1200 gjuhë, duke u bërë kështu libri më i përkthyer në botë. Bibla ka me mijëra botime të bëra në shekuj dhe ndodhet pothuajse në shtëpinë e çdo të krishteri. Nuk ka asnjë në botë që do t’i dinte të gjitha emrat e gjuhëve, në të cilat është përkthyer Bibla. Krahas gjuhëve të sotme evropiane, ajo është përkthyer edhe në gjuhën perse, kineze, sanskrite, hindi, nsenga, mpoto, omiene, bruy-bhasa, poneri-houen etj., etj., etj. Në vitin 1800 njiheshin 57 përkthime të Biblës, më 1900 kishte 567, më 1953 kishte 1167 përkthime dhe sot mbi 1200.
Në gjuhën shqipe është krijuar një traditë së paku treqindvjeçare e Kishës Orthodhokse Shqiptare, që nis me përkthimin dhe botimin e Dhiatës së Re e të Vjetër nga Grigori i Durrësit, në fillim të shekullit të 18-të, për të vazhduar pastaj me Grigor Gjirokastritin, që e botoi Dhiatën e Re në vitin 1824, 1827 e një botim tjetër më 1858. Sot Kisha jonë Orthodhokse përdor përkthimin e Kostandin Kristoforidhit, i cili e botoi Dhiatën e Re në vitin 1872 në dialektin geg, dhe në dialektin tosk me 1879. Po përgatitet dhe një përkthim i ri i Dhiatës së Re, i cili do të vihet së shpejti në duart e besimtarëve Orthodhoksë.
Bibla më e madhe në botë
Një zdrukthtar nga Los Anxhelosi, duke punuar çdo ditë deri natën vonë, e gdhendi të tërë Biblën në dru. Për këtë punë iu deshën plot dy vjet. Çdo fletë e librit u punua prej druri të hollë me madhësi njëmetërshe, ku janë shtypur shkronjat. Libri ka 8048 faqe, peshon 547 kg., dhe është i trashë 2,5 m.
Dhe më e vogla
Ka madhësinë e një kutie shkrepëse, është 4,5 cm e gjatë, 3 cm e gjerë dhe 2 cm e trashë. Ajo ka 878 faqe dhe është shtypur në Angli. Eshtë e ilustruar me fotografi që paraqesin pamje nga tregimet biblike. Pesha e saj arrin vetëm 20 gram. Mund të lexohet shumë mirë me anë të një lenteje zmadhuese.