Shën Vlashi jetoi në fillim të shekullit të 4-t pas Krishtit. Kishte kryer studimet në degën e mjekësisë, dhe megjithëse shquhej për njohuritë e tij të shumta në këtë fushë, nuk shërbeu si mjek profesionist. Përkundrazi ai e ushtroi atë për vepër bamirësie. Shkonte shtëpi më shtëpi, kryesisht ndër familjet e varfra, vizitonte dhe shëronte të sëmurët që gjendeshin në to, duke i ndihmuar jo vetëm me këshilla mjekësore e ilaçe, të cilat ua jepte falas, por dhe me fjalën hyjnore të Krishtit.
Studionte shumë edhe Shkrimet e Shenjta, dhe u bë kështu një nga njohësit më të mirë dhe predikuesit më në zë të fjalës së Perëndisë, duke fituar dashurinë dhe simpatinë e gjithë popullit. Për këtë arsye shumë shpejt u fut në radhët e klerit të krishterë dhe u bë episkop i Sebastisë. Si i tillë u bë i famshëm për fjalimet e tij në ceremonitë fetare, ku përveç njohurive nga Shkrimi i Shenjtë përdorte edhe njohuritë që kishte nga fusha e mjekësisë, e anatomisë së trupit të njeriut dhe përgjithësisht të natyrës. Duke studiuar trupin e njeriut, ai kishte arritur në përfundimin se ky ishte si një mikrokozmos i vogël, i pajisur me urtësi, gjykim e arsyetim, gjë që nuk mund të ishte kurrsesi një rastësi, por vepër e përkryer e Krijuesit të gjithëditur e të tërëfuqishëm të gjithësisë.
Në vitin 307 kur Liqini mbretëronte në Lindje, guvernatori Agrikol e kapi dhe e vuri Shën Vlashin në tortura çnjerëzore, por ai i duroi të gjitha me buzëqeshje, me besimin e madh te Krishti, tek Ai i cili duke marrë formë njerëzore, i kishte kaluar vetë të gjitha vuajtjet më të rënda njerëzore, deri në vdekjen në kryq, për t’u dhënë me këtë akt sublim njerëzve jetën e përjetshme.
Gjatë kryerjes së torturave ndaj tij, shtatë gra që ndodheshin atje për ta parë, iu drejtuan pa frikë tiranit, duke i kërkuar ndalimin e torturave. Kur ai u mundua të tallej me besimin e krishterë, ato, me një guxim të pabesueshëm, e kundërshtuan atë duke treguar kotësinë e idhujve paganë. Kjo e zemëroi tepër guvernatorin pagan, i cili urdhëroi dënimin e tyre duke u prerë kokën. Por as kjo masë ekstreme nuk i trembi dhe as i dobësoi shtatë gratë besimtare, të cilat qëndruan krenare edhe gjatë kryerjes së ekzekutimit. Të njëjtin fat pati edhe Shën Vlashi, çka i dha atij kurorën e lavdisë së përjetshme. Emri dhe vepra e tij mbeten për shekuj të pashlyeshëm, duke kujtuar nga Kisha e Shenjtë e Krishtit dhe nga tërë bota e krishterë, si njeriu që diti të harmonizonte fenë me shkencën dhe si bari shpirtëror që di të sakrifikojë jetën e vet për të predikuar dhe zbatuar fjalën e Perëndisë.