Kisha e Shën Vlashit, në kodrat e fshatit me të njëjtin emër në afërsi të qytetit të Durrësit, ishte një nga manastiret më të vjetra të vendit tonë. Kisha dhe ikonostaset e saj nga specialistët vlerësohej e shekullit të XVI, ajo e ruajti fizionominë e vetë deri në shekullin e XX. Kisha administronte një sasi të konsiderueshme toke, bagëti të imta dhe të trasha, kafshë pune dhe pemishte.
Emri i mirë i kishës erdhi vazhdimisht duke u rritur nga bëmat e mëdha që shenjti i Shën Vlashit bëri në persona të ndryshëm nga gjithë Shqipëria e jashtë shtetit. Kjo ia rriti shumë respektin midis qytetarëve orthodhoksë durrsakë, të cilët në shenjë mirënjohjeje ndërtuan në këtë kishë dy ndërtesa: njëra prej Vasil Vasës dhe tjetra prej Mihal Kapedanit. Në këtë mënyrë u forcua shumë ekonomikisht kisha e manastiri i saj, sidomos në vitet 1920-1930.
Nga e gjithë Shqipëria vinin në këtë vend të shenjtë fshatarë e qytetarë të besimeve të ndryshme: orthodhoksë, myslimanë, katolikë dhe me besimin ndaj zotit gjenin derman në këtë vend të shenjtë.
Pas çlirimit me gjithë presionin e madh kundër fesë nga pushteti komunist, ky manastir, me të ardhurat që nxirrte dhe me ndihmat e besimtarëve, mundi të mbahet deri më 27 Shkurt 1967.
Letra “historike” ogurzezë e KQ të PPSH “Mbi luftën kundër fesë, paragjykimeve dhe zakoneve fetare” nxiti vandalizmin e të rinjve të papërgatitur për shkatërrimin e të gjitha institucioneve fetare të vendit. Ky vandalizëm filloi në qytetin e Durrësit e së pari me prishjen e kishës së Shën Vlashit, që ishte një simbol i mirësisë morale dhe besimit ndaj Zotit. Krahas shkatërimit të ndërtesës së kishës dhe vlerave të mëdha artistike të saj dhe ikonave, absurditeti arriti deri në ndërrimin e emrit shekullor të fshatit, që i rezistoi në shekuj okupimit osman, nga Shën Vlash në Vrinë.
Asnjëherë banorët e këtyre anëve nuk u pajtuan me këtë ndryshim dhe në popull fshati vazhdoi të quhej me emrin e vjetër dhe vendi të konsiderohej si i shenjtë. Në festat e Shën Mërisë në gusht, të Shëna Vlashit në shkurt, të Shën Harallambit dhe në ditët e tjera të festave të mëdha orthodhokse, në vendin ku më parë ishte kisha mblidheshin me mijëra besimtarë, ndizeshin qirinj tek vendi ku më parë ishte Guri i Shenjtë mrekullibërës i Shën Vlashit dhe njerëzit i luteshin Zotit për lehtësimin e vuajtjeve me shpresë për një të ardhme më të mirë.
Me rastin e ricelebrimit të festave fetare të ndaluara nga regjimi komunist dhe të kremtimit të lire të Shën Vlashit, në fshatin Shën Vlash, kryesia e Këshillit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Durrësit me At Petraq Thanasi, organizoi festat për emrin e Shën Harallambit dhe Shën Vlashit. Me ndihmën e ushtarëve italianë të operacionit “Pelikan”: Kolonel Aldo Piras, tenente Kolonel Michele Dellino që kontribuojnë në shpërndarjen e ndihmave në të katër anët e vendit tonë, u bë e mundur që në vendin ku më parë ishte kisha, të vendosej një çadër e madhe ku u strehuan personat e sëmurë që kishin ardhur një natë më parë, nga e gjithë Shqipëria, me shpresën e madhe të shërimit. Kështu erdhën nga Bajza e Shkodra një vajzë 22-vjeçare e sëmurë, nga Fieri një fëmijë 4-vjeç së bashku me prindërit e tij, nga Berati një djalë 8-vjeçar e dhjetëra nga Tirana, Durrësi, Elbasani etj. Të nesërmen në këtë festë madhështore erdhi kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortilumturi, kryehirësia e tij Anastas. Në predikimin e tij, Kryepiskopi tha fjalët më të mira për demokracinë, që populli i çliruar nga ideologjia komuniste, sot kremton lirshëm ditët e shënuara të kalendarit orthodhoks dhe të feve të tjera. Ai dha sihariqin, duke gëzuar pa masë besimtarët e pranishëm se së shpejti do të fillojnë punimet për rindërtimin e Kishës së Shën Vlashit dhe të manastirit.
PETRAQ JORGONI