Shumë kohë kanë kaluar që nga ajo ditë e bekuar kur Iisu Krishti, bir i Perëndisë, u pagëzua në ujët e lumit Jordan, nga dita kur shpirti i Perëndisë erdhi e iu ul në supin e tij, në trajtat e një pëllumbi të bardhë.
Ky mister i Perëndisë, që u krye aty për herë të parë nga vetë zoti ynë, Iisu Krisht, arriti të mbijetojë në shekuj dhe të përcillet brez mbas brezi, deri në kohën tonë, si një nga dhuratat më të çmuara të Perëndisë sonë aq zemërgjerë.
Uji u bë simbol i shplarjes së mëkateve të trupit dhe shpirtit tonë, si dhe fillimi i madhërishëm i një jete të re, të mbushur me hirin e Zotit.
Këtë jetë të re nisën këto ditë 22 vajza të reja, të cilat u pagëzuan nën emrin e Iisu Krishtit dhe e pranuan atë si udhërrëfyes në jetën e tyre.
Pagëzimi u krye në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, ditën e djelë, mbas meshës hyjnore. Në këtë ceremoni të shenjtë mori pjesë vetë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi ynë i nderuar, Anastas. Vajzat prisnin të gjitha të veshura me të bardha, ndërsa pranë tyre, në ato momente aq të bukura, qëndronte motra Filothea që ndante me to emocionet e atij çasti që s’do të harrohet për gjithë jetën. Ishte kjo motër e përshpirtshme që arriti të rrënjosë në shpirtrat e vajzave adhurimin dhe dashurinë për Iisu Krishtin. Më pas kazani i mbushur me ujë të bekuar priti të gjitha vajzat njëra pas tjetrës ndërsa Kryepiskopi i bekonte në emrin e Atit, e Birit, e Shpirtit të Shenjtë.
Me daljen nga uji gjithçka ishte e ndryshme. Ato nuk ishin më vajza, por engjëj të pamëkate. Rroba e bardhë që mbanin në trup e plotësonte tërësisht këtë imazh. Mëkati nuk ekzistonte më në trupat e shpirtrat e tyre. Krishti u fshiu me dorën e tij çdo lloj njolle dhe hapi horizontet e pafund të jetës së hyjnishme. Flakët e qirinjve që mbajtën më pas vajzat në duart e tyre, tregonin vetë fillimin e kësaj jete, fillimin e një ngrohtësie dhe një drite shkëlqimi dhe rrezatimi i së cilës s’do të ketë kurrë mbarim.
Andi Nikolla
Tiranë 1.03.1993