EmailFacebookKontakt

Rreth ndërtimit të kishës se re në Berat

Në redaksinë e gazetës sonë ka ardhur një letër nga Berati, në të cilën një besimtar është i interesuar të dijë se përse nuk po fillon ndërtimi i kishës që i është premtuar popullit të këtij qyteti. Njëkohësisht për këtë na janë bërë pyetje nga mjaft besimtarë të tjerë.

Për të marrë përgjigje për këtë pyetje iu drejtuam përgjegjësit të ndërtimeve pranë KOASH, ing. Petrika Shalësit, i cili na sqaroi:

Në gusht të vitit të kaluar në qytetin e Beratit bëri një vizitë delegacioni i Kishës Orthodhokse Shqiptare të Bostonit, SHBA, i kryesuar nga At Artur Liolini. Me këtë rast, nga ana e anëtarit të këtij delegacioni, z. Antoni Athanas, iu premtua besimtarëve beratas se ai do të dërgonte fonde nga Amerika për ndërtimin e një kishe të re, të madhe e të bukur. Ky është një premtim i merituar për qytetin e dhjetra kishave të ndërtuara në shekuj nga mjeshtrat vendas dhe kur u mbajt Kongresi i Parë i Autoqefalisë së Kishës sonë. Deri tani në adresë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk ka ende asnjë lloj fondi. Për këtë jemi në pritje dhe me të mbërritur, do të fillojmë menjëherë nga puna ndërtimore.

Korresp. i “Ngjalljes”