EmailFacebookKontakt

Liria fetare – realitet apo slogan!

Që të jetë e plotë, e kapshme, liria fetare e një populli është, veç të tjerave, e pashkëputur nga funksioni normal i veprimtarive fetare, i ceremonive të ndryshme e të shumta. Duke përjashtuar ndonjë sekt të ri fetar, të gjithë fetë e tjera, që të funksionojnë normalisht kanë nevojë të dorës së parë për objektin e kultit. A mundet për shembull të funksionojë normalisht feja orthodhokse shqiptare pa kishat dhe manastiret e saj?

Pasi hedh një vështrim të shpejtë në të gjithë territorin e Shqipërisë vëren fare lehtë se gjendja është e mjerueshme, siç thotë populli “për të vënë duart në kokë”, kur sheh se besimtarët orthodhokse nuk kanë ku t’i falen Zotit, ku të pagëzojnë fëmijët e tyre, ku të venë kurorë çiftet e reja etj. Në këto kushte vetiu lind pyetja: në ç’masë shteti i ri demokratik shqiptar u ka krijuar besimtarëve orthodhoksë mundësinë për të ushtruar lirisht fenë e tyre? Nëse ishte një fitore lejimi i veprimtarive fetare, përcaktimi i statusit juridik të fesë etj., në bazë të normave ndërkombëtare, kjo liri është e do të jetë e cunguar për sa kohë që kishës orthodhokse do t’i mungojnë objektet e saj të kultit. Sigurisht, nuk kërkohet që Qeveria të planifikojë në buxhetin e saj fonde për të ndërtuar objekte kulti, por “t’i jepet Cezarit ajo që është e Cezarit”.

Janë me dhjetëra kishat e manastiret që iu morën kishës orthodhokse nga shteti monist i diktaturës së Enver Hoxhës, prona autentike të kishës, të ndërtuara në shekuj nga djersa dhe kontributi financiar i besimtarëve orthodhoksë. Për fat të keq në këtë periudhë të sundimit të djallit shumë prej tyre u prishën dhe u asgjësuan, por megjithatë disa edhe mbetën.

Përse, pra, nuk po i kthehen kishës këto objekte që janë plotësisht të sajat? A duam vallë vërtet të pretendojmë për liri fetare në Shqipëri?

Një nga mrekullitë e orthodhoksizmit në Shqipëri është Manastiri i Ardenicës. Çfarë pengon që ky objekt t’i kthehet pronarit të saj të vërtetë, Kishës Orthodhokse. Pasi u prish, u vodh, u përdhos, tani ende në të buçasin kasetofonat e turistëve para gotës së alkoolit. A mund ta bashkëjetojnë vallë feja dhe vesi? Jo vetëm kaq, por që të futet prifti e besimtarët në kishën e Ardenicës duhet më parë të marrin leje tek roja apo autoritetet e fshatit. Është harruar fakti historik i mrekullueshëm se pikërisht këtu në Ardenicë ka vënë kurorë Gjergj Kastrioti me Donikën, që shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkimit të popullit kundër pushtuesve turq. Kush tjetër veç kishës mund të mbështetet në këtë fakt, në këtë traditë kur bën thirrje për t’u kthyer në rrugën e Krishtit, në forcimin e unitetit e dashurisë midis njerëzve? E megjithatë, manastiri i Ardenicës për mungesë të një vendimi të thjeshtë vazhdon të ekzistojë si një qenie mitologjike me dy koka: këtej kryqi, mirëkuptimi, dashuria, qetësia dhe andej zhurma, rrëmuja, alkooli!

Po kështu kisha e Shën Gjergjit në Korçë. Përse nuk veprohet që ky objekt, pronë e Kishës që nga origjina, të kalojë nga një objekt i ftohtë, i mbyllur, me qetësi të prishur nga aparatet e turistëve të rrallë të hapë dyert për besimtarët orthodhoksë, të gjallërohet, të predikohet fjala e Krishtit!

Sa të lirë janë pra besimtarët korçarë të ushtrojnë fenë e tyre sa kohë që u mohohet objekti kryesor i fesë orthodhokse në Korçë? Ta kenë harruar qeveritarët tanë faktin e madh se pikërisht në këtë kishë u fronëzua peshkop Imzot Fan Noli. Më mirë se vetë kisha askush nuk mund ta konservojë e ta çojë më tej këtë traditë. Po ku, në rrugë, në kalldrëm?

Të bësh një listë të objekteve të kishës orthodhokse, të cilat mund dhe duhet t’i kthehen sa më parë kishës, del fort e gjatë. Në këtë kuadër nuk janë me pak të rëndësishme kisha në Kalanë e Beratit e cila, ka ikonostasin e rrallë, një nga më të vjetrit e më të bukurit në Ballkan; kisha e Shën Prokopit në Tiranë etj.etj.

Diktatura komuniste në mënyrë arbitrare rrëmbeu edhe shumë vepra arti nga kishat orthodhokse, vlerat artistike të të cilave nuk mundi t’i mohonte. E gjoja për t’i ruajtur nëpër muze, larg syve të njerëzve. Disa prej tyre rrojnë, por të burgosur. Përse pra mbahet ndaj tyre i njëjti qëndrim si ai i shtetit ateist diktatorial duke i lënë larg njerëzve, për të cilët ato janë krijuar. Ato u krijuan për Kishën e vendi i tyre është Kisha. Mjeshtrat e mëdhenj, që nga Onufri, Shpataraku e plot të tjerë derdhën artin e tyre të mrekullueshëm për zemrat e sytë e besimtarëve, që ata të gjenin kështu prehje duke i soditur, duke u falur, duke u pastruar.

Vendi i këtyre ikonave dhe objekteve të tjera të artit që i janë rrëmbyer përdhunshëm kishës e kanë vendin aty, sa më parë. Ashtu siç është urgjente të bëhet edhe kthimi i pronësive të kishës, duke e ditur fare qartë se ajo nuk ka të ardhura të tjera ku të mbështesë veprimtarinë e saj.

Vetëm kështu mund të thuhet me plot gojën se premtimet për liri fetare nuk ishin dhe nuk mbeten slogane, por u bënë realitet. Besimtarëve me të vërtetë iu hap rruga për te Zoti, për të ndjerë dorën e tij.

THANAS QERAMA