Shpesh nëpër biseda apo debate dëgjon shprehjen: “Edhe unë, orthodhoks jam!” Të vjen mirë që njerëzit e kanë ruajtur edhe pse kanë kaluar përmes ferrit komunist, përkatësinë fetare, dëshirën për ta shpallur atë. Por kaq nuk mjafton. Nuk mjafton, sepse të pranosh se je besimtar orthodhoks nuk është një modë, që mund ta përdorësh për qëllime të caktuara, siç përdorej dje të qenit “ateist”.
Për ta quajtur veten “orthodhoks” nuk mjafton të kesh lindur nga dy apo një prind që i përkasin besimit tonë. Madje, nuk mjafton as vetëm të qenit i pagëzuar. Të qenit besimtarë, në radhë të parë, dhe më pas, të qenit i krishterë orthodhoksë, ka dhe detyrimet e veta. Ajo kërkon jo vetëm të deklarosh se beson tek Perëndia, tek Zoti ynë Iisu Krisht, por kërkon edhe të jetosh siç kanë porositur ata, të ndjekësh mësimet e librave të shenjta. Për ta bërë më të qartë këtë, ja më poshtë disa përcaktime nga katekizma e Kishës orthodhokse përkthyer nga Imzot Theofan S. Noli.
Cili është i Krishterë?
I krishterë është ai njeri, i cili është pagëzuar, i cili beson në Zotin dhe shpëtimtarin tonë Iisu Krisht dhe i cili rron sipas mësimeve të tij.
Cili është i Krishterë Orthodhoks?
I krishterë orthodhoksë është ai i krishterë i cili beson në doktrinat e formuluara prej shtatë Sinodeve Ekumenike, ashtu si interpretohen prej Kishës Orthodhokse Lindore.
Një lexim më i plotë i katekizmës, një njohje më e gjerë e besimit tonë, mbi të gjitha, zbatimi i tyre në jetë, janë e vetmja rrugë për t’u quajtur besimtarë orthodhoksë. Pa arritur këtë, pa krijimin e një vetëdije orthodhokse të qartë, deklarata e fillimit “Jam orthodhoks” do të mbetet një fjalë boshe, pa vlera, që s’do të mund të ndihmojë në shpëtimin e shpirtit.