Është viti i dytë që për familjarët orthodhoksë të qytetit të Kavajës mëngjesi i 24 dhjetorit është jo i zakontë.
Fëmijët grupe grupe 3-4 vetash trokasin portave të familjeve orthodhokse ku priten me dashamirësi dhe pa humbur kohë fëmijët fillojnë të këndojnë këngët e Krishtlindjeve.
Ja strofat e para të dy këngëve:
– Ç’është ky zë i ëmbël fort,
– Që ndigjojmë neve sot?
– Këndojmë engjëjt gjithë tok
– Me harmoni të shumtë plot.
– Zonja dhe zotërinj
– Erdhëm t’ju gëzojmë
– Se në Vithleem
– Lindi një mbret sot
Të moshuarit sjellin ndërmend vitet e kaluara, kur dhe ata vetë kishin dalë për Krishtlindje dhe u luten Zotit dhe demokracisë që u ringjall prap besimi pas një pauze prej një çerek shekulli nga diktatura.
Është inkurajues fakti që shumë fëmijë orthodhoksë edhe të pa shoqëruar nga prindërit e tyre frekuentojnë rregullisht kishën, madje lexojnë dhe literaturë fetare ku krijohet mundësia me u marrë me Kishë.
Të bënë përshtypje që mëngjeseve rreth orës 7-7.30 grupe nxënësish ndezin qiri.
Sigurisht kjo ecuri e kënaqshme në rrugën e frymës së besimit tek Zoti u dedikohet në radhë të parë prindërve, At Kristaq Xhoxhit dhe Këshillit të Kishës, por me gjithë këto arritje është për të ardhur keq që në këtë qytet ka akoma disa të krishterë të moshuar që nuk e kanë parë ish Pallatin e Kulturës të rikthyer në Kishë dhe këta të krishterë duhet ta dijnë se prindërit e tyre kanë qënë besimtarë dhe se fëmijët e tyre me shpresën tek Zoti do të bëhen besimtarë, do të besojnë tek Zoti ashtu si gjyshërit e tyre, si moshatarët e tyre. Le të shpresojmë. Lavdi Zotit!
Xhoxhi Bazi
Anëtar i Këshillit të Kishës Orthodhokse të Shën Kollit
Kavajë