EmailFacebookKontakt

Artikull që shpreh frymën keqdashëse ndaj KOASH-it

– Përgjigje shkrimit të gazetës “Republika”, botuar në datë 14 janar 1993 –

Lexuam artikullin e botuar në gazetën tuaj “Republika” të datës 14 janar 1993, “Janullatosi i Kishës Shqiptare, Serbi Pavle dhe greku Serafin…” të Klaus Feritit. Nuk e dimë kush fshihet pak këtij emri (ndoshta, si zakonisht anonim!), por në artikull shohim qartë frymën keqdashëse ndaj KOASH-it dhe kryetarit të saj, Kryepiskopit Anastas. Artikulli manipulon dhe errëson plotësisht të vërtetën për të goditur KOASH-in.

Asnjë marrëveshje dhe asnjë takim nuk ka pasur midis udhëheqësve të këtyre kishave, siç pretendohet nga artikullshkruesi, i cili, së paku, para se të shkruante, duhej të kishte marrë mundimin të bisedonte me drejtuesit e kishës sonë për këtë problem. Atëherë sado pak i ndershëm e objektiv të ishte, do të vinte në dukje se:

– Në tubimin që u bë në Asizi nuk morën pjesë jo vetëm tri kishat e përmendura në artikull, por asnjë nga patrikanat e nga kishat orthodhokse autoqefale të botës, domethënë kishat e Rusisë, Aleksandrisë (Egjipt), Rumanisë, Bullgarisë, Polonisë, Gjeorgjisë, Qipros, Finlandës, Çekosllovakisë, Antiohisë (Siri), Jeruzalemit etj.

Kryepiskopi i Shqipërisë Anastas i dërgoi telegram Vatikanit më 5 janar, ku bashkohet me thirrjen e komunitetit ndërkombëtar për paqe në ish-Jugosllavi, e që shpreh qëndrimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: “Të bashkuar në shpirt dhe në lutje KOASH do të qëndrojë zgjuar me të gjithë ata që do të mblidhen në Asizi më 9 e 10 të muajit duke marrë pjesë në interesimin e angazhimin për paqe në Evropë e në mënyrë të veçantë në Ballkan”.

Nuk ka rëndësi se ku i lutesh Perëndisë, rëndësi ka ta bësh këtë. Dhe këtë kisha jonë e ka bërë, jo një herë, por shumë herë, duke përmendur edhe meshat e predikimet e të dielave të fundit të këtij muaji në Kishën Katedrale të Tiranës.

– Qëndrimin e Kishës Orthodhokse botërore e ka shprehur qartë Patriku Ekumenik Vartholomeu, thirrja e re e të cilit për paqe në ish-Jugosllavi u botua edhe në gazetën “Ngjallja”, botim i KOASH, të dhjetorit 1992.

Besojmë se gazeta “Republika” si organ demokratik i një partie me reputacion në skenën politike shqiptare, me paanësi e për transparencë do ta botojë përgjigjen tonë.

Zyra e shtypit e KOASH

17.1.1993

1. E botojmë përgjigjen në gazetën tonë, pasi “Republika” nuk e publikoi.

TELEGRAM

EMINENCËS SË TIJ EDUARDO IDRIS CASSIDY
PRESIDENT I PONTIFICIUM CONSILIUM
AD CHRISTIANORUM UNITATEM FOVENDAM
VATIKAN

Duke falenderuar Shenjtërinë e Tij papa Gjon Pali II për ftesën e Tij fisnike në takimin për lutje dhe kreshmë në Asizi, na vjen keq që nuk kemi mundësinë të marrim pjesë në të. Të bashkuar në shpirt dhe në lutje Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të qëndrojë zgjuar me të gjithë ata që do të mblidhen në Asizi më 9 e 10 të muajit, duke marrë pjesë në interesimin dhe angazhimin për paqe në Evropë e veçanërisht në Ballkan.

Ju lutem transmetoni përshëndetjet tona vëllazërore me Krishtin Shenjtërisë së Tij.

Me dashuri të sinqertë me Krishtin, i Cili është paqja dhe shpresa jonë.

+ Anastas
Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë