EmailFacebookKontakt

Pararendës e Pagëzor

E diela para Ujit të Bekuar (Mark 1, 1-8)

Pararendës e Pagëzor

Shën Joan Pagëzori është një figurë asketike plot dritë dhe hir. Personaliteti i tij, qëndron si një hallkë që lidh Dhiatën e Vjetër me Dhiatën e Re, qëndron si ylli i mëngjesit para lindjes së diellit të Drejtësisë.

Për këtë figurë të lartë dhe për veprën e saj të çmuar na flet ungjillori i shenjtë Marku në pjesën e Ungjillit (1:1-8) dhe na fton të nxjerrim mësimet e duhura.

Shën Joan Pagëzori ka dy karakteristika të larta: shenjtërimin e përsosur dhe veprimtarinë e tij të veçantë, si pararendës i Krishtit. Vetë ai ka bërë çudira, por, jeta e tij dhe misioni i tij si pararendës përbëjnë çudinë e parë e të mahnitshme në historinë e krishtërimit. U lind me anë çudie, sepse prindërit e tij, Zaharia dhe Elizabeta, qenë tepër të moshuar dhe e ëma ishte shterpë. Por edhe u rrit në mënyrë të posaçme.

Shën Joan pararendësi jetoi larg botës, larg mëkatit. Ai u tërhoq në shkretëtirë. Duhej të përgatitej vetë që të ishte në gjendje të përgatiste rrugën e atij që do ta pasonte. Ai do të ishte hallka që do të lidhte Dhiatën e Vjetër me të Renë, do të ishte nuni që do të bashkonte Krishtin me kishën. Figura e tij morale duhej t’i përgjigjej misionit të tij hyjnor. Shpirti i shenjtë prej shekujsh e kish shpallur mesazhin: “Ja unë po të dërgoj ëngjëllin tim përpara fytyrës sate, i cili do t’a përgatiti rrugën”. Nevojitej pra një jetë ëngjëllore, një jetë e shenjtë. Duhej një rrobë e ashpër prej qimesh deveje, një ushqim me karkalecash e mjaltë të egër, duhej ujët e kulluar të lumit Jordan.

Dhe momenti erdhi. Misioni filloi. Është “zëri i atij që e thërret në shkretëtirë”, Shën Joan Pagëzori, predikon pagëzimin e pendimit, përgatit udhën e Zotit. Vijnë plot njerëz, dëgjojnë zërin e tij të zjarrtë dhe pagëzohen në Jordan “pasi rrëfejnë mëkatet e tyre”.

Dhe si kreu këtë mision shpalli: “Nuk jam unë ai që pisni. Ai vjen pas meje. Gjendet midis jush. Unë jam kandili, ai është dielli, unë jam miku i dhëndërit, ai është qengji i Perëndisë që ngre mëkatin e botës”. Unë pagëzova në ujë, ai do të pagëzojë me shpirt të shenjtë. Unë nuk jam i denjë t’i zgjidh atij as rripin e këpucëve. Ai është shpërblyesi ynë, ai do të madhohet”.

Dhe vërtetë, kështu u bë. Si lëçiti fjalën e mirë, si dha dëshminë e mirë të fesë të vërtetë në të gjitha drejtimet: të drejtve dhe mëkatarëve, të vegjëlve e të mëdhenjve, duke qortuar bile edhe vetë mbretin Irod për paudhësitë e bëra, arrestohet dhe flaket në burg. Brenda në burg, koka e tij e shenjtë do t’i jepej si dhuratë mbretëreshës së paudhë. Shën Joanit iu pre koka. Luftëtari i madh i së vërtetës dhe i drejtësisë u ekzekutua.

Ra në prag të krishtërimit profeti më i math dhe i fundit i Dhjatës si për ra i pari apostull dhe dëshmor i Dhiatës së Re. Ra ai që çeli rrugën dhe përgatiti leçitjen e Ungjillit, ai që çau i pari rrugën e fesë së re pa rrëshqitje dhe anomalira. Kaloi një jetë të rëndë askedike. U bëri ballë vështirësive dhe pengesave. Luftoi me të gjitha fuqitë e tij mëkatin, hipokrizinë, padrejtësinë shoqërore. Ishte një reformator shoqëror shembullor. Qorton, këshillon, i do njerëzit, i fal dhe i ngushëllon. Si një fener Shën Joan Pagëzori, me shenjtërimin e tij, me veprën e tij të shkëlqyer dhe me fundin e tij prej martiri tregoi rrugën e drejtë përmes dallgëve të jetës rrugën që të shpie te shpërimi, që të shpie te Krishti Perëndia jonë, i cili thotë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”. Krishti është prezent midis nesh, prezent midis gjithë njerëzve në çdo moment. Ai te dera e shpirtit tonë dhe pret që t’ia hapin, të hyjë brenda, të pastrojë shpirtin, të shenjtërojë trupin. Zoti erdhi në botë për shpëtimin tonë. Le të mos ia mbyllim rrugën. Bota rron në mëkat. Është domosdoshmëri që shoqëria jonë të rilindet shpirtërisht, të ripërtëritet. Ajo ka nevojë për punëtorë të së vërtetës, për dëshmorë të drejtësisë, për pohues të besimit. Ka nevojë për pararendës që të trumbetojnë kudo në jetën dhe veprat e tyre “rrugën e drejtësisë”. Besimtari i Krishtit sado i vogël dhe i parëndësishëm të jetë, mund të bëjë shumë punë të mëdha e me vlerë në hapjen e rrugës së mbretërisë së Perëndisë. Le të bëhemi pra edhe ne pararendës të vegjël në përpjekjen e bukur për të përgatitur Zotit rrugën që të vijë të banojë në shpirtin tonë në familjen tonë, në profesionet tona, në kulturën dhe shkencën tonë, në tërë shoqërinë.

Ka për të qenë me të vërtetë gjë e lavdishme, fisnike dhe e nderuar në qoftë se secili prej nesh merr pjesë si punëtor e pararendës në punën e Zotit, për shpëtimin tonë dhe shpëtimin e vëllezërve tanë. Ashtu qoftë.