EmailFacebookKontakt

Përkujtohet 525-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar dhe kampionit të fesë së krishterë, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut

17 janar, në Krujë dhe Lezhë u zhvilluan ceremoni përkujtimore me rastin e 525-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë kombëtar, kampionit të mbrojtjes së fesë së krishterë, Gjergj Kastriotit (Skënderbeut). Në ceremoni morën pjesë Presidenti i Republikës, z. Sali Berisha, kryetari i Parlamentit, z. Pjetër Arbnori etj. Morën pjesë edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, Nunci apostolik i Papës në Shqipëri, Imzot Diaz, si dhe përfaqësues të feve të tjera.

Në fillim u bënë vizita në muzeun kushtuar Heroit Kombëtar, ku u zhvillua edhe seminari përkujtimor, për luftën e tij 25 vjeçare në krye të popullit kundër okupacionit barbar turk. Më pas u bënë vizita në rrënojat e Kishës së Shën Kollit në Lezhë, monument kombëtar, ku ai u varros. Aty u mbajt një meshë nga Imzot Ivan Diaz.

Mesha për nder të Heroit Kombëtar i cili rridhte nga familje orthodhokse, thellësisht besimtare, u mbajtën edhe në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit në Tiranë, drejtuar nga Kryepiskopi Anastas, dhe në Korçë.