EmailFacebookKontakt

T’i kthehen KOASH-it të gjitha të drejtat e veta

I nderuar zoti President,
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit Popullor,
I nderuar zoti Kryeministër,

Jemi një grup studentësh të moshës 18 deri 25 vjeç, të ndërgjegjshëm dhe me besimin e patundur tek demokracia, te shteti ligjor dhe qeveria, përfaqësues të ligjshëm të të cilëve jeni ju, po ju shkruajmë këtë peticion.

Fitorja e demokracisë, sidomos zgjedhjet e 22 marsit 1992, përcaktuan qartë të ardhmen e vendit tonë për të ecur drejt Evropës, të lirë në ndërgjegje e në mendime, me të drejta të patjetërsueshme për të besuar tek Perëndia, secili sipas fesë së tij. Por, që të ushtrohet feja, kjo e drejtë themelore dhe elementare qytetare, si në çdo vend të botës, kërkohet që edhe tek ne të funksionojnë objektet e kultit me të gjitha orenditë e veprat e artit që ato kanë disponuar në shekuj, me pronat e pasuritë që u përkasin.

Fatkeqësisht, me shkatërimin e këtyre objekteve në 1967 nga diktatura e egër ateiste e komunizmit enverjan, u vodhën nga shteti hajdut edhe pasuritë, pronat, veprat e artit, libra e dokumente të rralla që ato i kishin ruajtur për shumë shekuj.

Ne kërkojmë nëpërmjet këtij peticioni që të ndërhyhet nga ana juaj në mënyrë ligjore t’u kthehen Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si ashtu dhe komuniteteve të tjera fetare, sipas përkatësisë, të gjitha objektet e kultit, manastiret, tokat, ikonostaset e ikonat e veçanta që janë grabitur përdhunisht dhe padrejtësisht që po mbahen përsëri nga burokracia me ndjenja ateiste, antifetare e filokomuniste. Vepra e artit, ikonostaset e ikonat e punuara në shekuj nga mjeshtrit e mëdhenj të pikturës shqiptare Onufri dhe i biri i tij Nikolla, Konstandin Shpataraku, vëllezërit Zografi e dhjetra piktorë të tjerë më pak të njohur apo anonimë, nuk janë krijuar për t’u mbyllur nëpër depot e muzeumeve, por për tu ekspozuar në kisha e për të kryer funksionin e tyre religjoz. Argumente për t’i mbajtur ato nuk ka, ato janë ruajtur në kisha për qindra vjet dhe askush nuk ka guxuar t’i grabisë apo t’i prishë, përveç mafiozëve të kuq në këto 30 vitet e fundit.

Dëmtimi më i madh i tyre është qëndrimi nëpër depo e magazina të atyre që nuk janë pronarë të vërtetë.

Po kështu, kërkojmë edhe kthimin e çdo lloj pasurie e pronë të gjithë komuniteteve fetare, ndryshe ato nuk mund të mbahen me ndihma e lëmosha gjithë jetën. Ky kthim do t’i fuqizonte ato e do t’i bënte të kryenin më mirë funksionin e tyre si barinj të shpirtit të kombit, në mënyrë krejt të pavarur, e pa ja shtrirë dorën askujt. Kjo do të ishte në të mirë të edukimit të popullit tonë, në të mirë të kulturës sonë kombëtare.

Kërkojmë gjithashtu që ligji mbi komunitetet fetare që do të diskutohet e do të miratohet këto ditë nga Kuvendi Popullor, të jetë më i demokratik, të një shteti që di të respektojë e të garantojë lirinë e plotë të organizimit e të veprimtarisë së çdo komuniteti fetar sipas parimeve, traditave, ligjeve dhe kushteve reale e të veçanta të tij, pa kufizimet anakronike të “izmave” dhe pa pretenduar të drejta që nuk i takojnë shtetit e Kuvendit, si ai i miratimit të kuadrit të lartë fetar apo të ushtrimit të kontrollit ekonomik shtetëror e të tjera, që sugjerojnë disa persona të brendshëm e të jashtëm, të cilëve gjoja u dhimbset atdheu më shumë se neve që jetojmë dhe punojmë në të e përbëjmë të ardhmen e tij.

Shpresojmë se do të na mirkuptojnë e mbështesin të gjithë studentët tanë, por edhe ata të komuniteteve fetare vëllezër dhe gjithë opinioni i shëndoshë i popullit tonë. Mbi të gjitha, kemi besim në përkushtimin tuaj se do të bëni realitet premtimet që keni dhënë për mbështetjen dhe forcimin e besimeve fetare në Shqipëri.

Presim përgjigje me anë të miratimit të ligjit përkatës për realizimin e këtyre kërkesave.

Tiranë me 13.1.1993

Me nderime e respekt: (Peticioni është firmosur nga mbi 1000 studentë)