Shën Spiridhoni ishte nga Qipro, me profesion bari. Qe njeri i drejtë, i devotshëm, i pastër moralisht, i thjeshtë, i ditur e i ndershëm, besnik i vërtetë i fesë së Krishtit. Jetoi në shekullin e 4-të pas Krishtit. Ishte i martuar me një grua gjithashtu shpresëtare e të devotshme, me të cilën lindi disa fëmijë dhe i rritën në rrugën e Perëndisë. E shoqja i vdiq herët dhe me mirërritjen e edukimin e fëmijëve u mor vetë Shën Spiridhoni.
Lexonte vazhdimisht librat e Shenjta, të cilat e pajisën me virtyte të larta fetare, me një botëkuptim të shëndoshë kristian, me dashurinë për njerëzit. Me kërkesën dhe këshillat e bashkëatdhetarëve të vet u dorëzua meshëtar. Edhe si i tillë ai vazhdoi të gëzonte respektin e dashurinë e të gjithëve, pasi erdhi duke i përsosur gjithnjë e më tepër virtytet e tij prej shërbëtori të devotshëm të Perëndisë.
Kur mbeti i lirë froni episkopal i Trimithundës, Sinodhi i Shenjtë e zgjodhi atë me një zë. Dhe ai e justifikoi shpresat e besimin e njerëzve, të priftërinjve e të popullit të tij si një atë i vërtetë i dhimbshëm e ngushëllues i të vuajturve dhe mbrojtës i fesë së krishtere.
Shën Spiridhoni ka mbetur edhe sot e kësaj dite në kujtesën e njerëzve, për shekuj e shekuj me radhë si shërues e çudibërës, dhunti me të cilat e pati pajisur Perëndia i Tërëfuqishëm. Për këtë arsye u mbiquajt edhe çudibërës.
Shën Spiridhoni ndërroi jetë në moshë mjaft të shkuar dhe vdekjen e tij e vajtuan i madh e i vogël. Trupi i tij i shenjtë ndodhet sot në Korfuz. Shën Spiridhoni nderohet me 12 dhjetor të çdo viti.
B.