Një e re, dëshmore e madhe e Kishës
Shën-Varvara ishte një vajzë e re nga Iliupoja e Egjiptit, e cila, për veprimtarinë e saj si e re e krishtere dhe për qëndrimin e saj të patundur para autoriteteve romake të kohës në besimin e krishter, u ekzekutua me prerjen e kryes gjatë shekullit të tretë, pas Krishtit. Në atë kohë feja e krishtere ishte e ndaluar me ligj dhe kushdo që diktohej se ishte i krishter, dënohej rëndë, ashtu siç bëhej dhe këtu tek ne pas vitit 1967.
I ati i Shën-Varvarës, i quajtur Dioskur, ishte një nga pasanikët më fanatikë paganë të atij vendi dhe Varvarën e kishte vajzë të vetme. Prandaj ishte kujdesur që asaj t’i jepte një edukatë pagane të kohës.
Shën-Varvara ishte një vajzë e zgjuar, e sjellshme, e bukur e shumë modeste. Në krishterim ajo u katekizua rastësisht nga një grua e krishtere të cilën i ati e kish marrë si shërbëtore në shtëpinë e tij pa ditur që ajo ishte e krishtere. Njohja e Shën-Varvarës me fenë e re, e bëri për vete, sidomos për parimet e saj të larta të dashurisë, të jetës së pastër, të vëllazërimit e të bamirësisë sipas të cilave jetonin të krishterët. Këtë jetë nisi të bënte dhe ajo në atë ambjent mbytës pagan. Bile, ajo nisi t’ua bënte të njohur fenë e re edhe shumë shoqeve të saj të kohës.
Mirëpo, ky ndryshim në jetën e Shën Varvarës, nuk mbeti shumë kohë pa u vënë re nga i ati. Dhe si masë e parë që ai mori, ishte kufizimi i saj brenda në shtëpi, izolimi i saj nga rrethi shoqëror i jashtëm dhe detyrimi për kryerjen e zakoneve fetare pagane.
E detyruar nga kjo gjendje, Shën Varvara u largua fshehurazi nga shtëpia. Po s’qëndroi shumë kohë e fshehur. I ati e zbuloi e mori në shtëpi dhe u mundua ta bindte për të hequr dorë nga krishterimi. Duke parë që ajo qëndronte e patundur në bindjet e saj, u a dorëzoi atëherë autoriteteve për ndjekje, duke vënë në dijeni për këtë edhe vetë guvernatorin e përgjithshëm Marcian.
Ky e mori vetë në pyetje Shën-Varvarën dhe bëri shumë përpjekje për t’ia kthyer mendjen me premtime të ndryshme. Shën Varvara qëndronte gjithnjë e patundur në besimin e Krishtit. E futi atëherë në burg. Po edhe në burg, me gjithë torturat që përdorën, ajo nuk u përkul, sidomos kur pa se plagët që i kishin shkaktuar në trup, me hirin e Zotit, i qenë shëruar krejt.
Më në fund guvernatori dhoj vendimin që të ekzekutohej me prerjen e kokës. Dhe kokën ia preu vetë i ati.
Kisha jonë Orthodhokse e renditi Shën-Varvarën për qëndrimin e saj të lartë në besimin e Krishtit dhe për sakrifikimin e jetës së saj për të, në radhën e dëshmoreve të mëdha dhe e përkujton vit për vit në datën 4 të muajit dhjetor. Ajo u a paraqet si shembull të rejave dhe të rinjve orthodhoksë me thirrjen që, në kushtet e sotme të lirisë fetare e të demokracisë, të dalë nga një periudhë e rëndë lufte kundër fesë dhe kishës, ata t’i afrohen përsëri kishës, të marrin pjesë gjallërisht në shërbesat e saj a të shenjta e në kurset katiketike të njohin parimet e saj të larta, e të japin kontributin e tyre të vlefshëm në përpjekjet fisnike që bëhen për riorganizimin e saj.