EmailFacebookKontakt

Paqe në ish-jugosllavi

Më 17 Dhjetor 1992, në prag të festës së Krishtlindjeve, Tërëshenjtëria e Tij e Hirshme, Patriku Ekumenik Vartholomeu, drejtoi thirrjen e mëposhtme për pushimin e gjakderdhjes në ish-Jugosllavi.

“Thirrjet në mënyrë të përsëritur për paqe në rajonin e ankthshëm të ish Jugosllavisë, nuk janë bërë vetëm nga orthodhoksët dhe romano-katolikët, por gjithashtu nga udhëheqës fetarë myslimanë, me interesin e njëjtë dhe të sinqertë fetar, sepse të gjithë, pavarësisht nga besimi i tyre, e dinë se “Perëndia ndjen neveri për gjakatarët dhe mashtruesit” (Psalm. 5:7) dhe ne, gjithashtu, e dimë nga përvoja e hidhur se paqja nuk është ndërtuar kurrë ndonjëherë nëpërmjet dhunës ose zjarrit.

Pavarësisht nga këto thirrje të ankthshme të bëra nga ne të gjithë, gjakderdhja e pamëshirshme fatkeqësisht vazhdon dhe viktimat e mizorisë njerëzore shumëfishohen marrëzisht.

Prandaj ne e ngremë përsëri sot, nga kjo Qendër e Orthodhoksisë, thirrjen tonë drejtuar gjithë përgjegjësve, që t’i japin fund një herë e mirë kësaj orgjie të paarsyeshmërisë dhe triumfit makabër të urrejtjes, të cilat gjithmonë lënë prapa vetëm grumbuj gërmadhash, lotë të të pafajshmëve dhe kujtime makthi.

E ngremë sërish sot zërin tonë të agonisë dhe të dhimbjes së skajshme, duke pasur parasysh afrimin e Ditës së Shenjtë, Lindjes së Krishtit, i cili respektohet jo vetëm nga të krishterët, si Biri i Perëndisë dhe lajmëtar i paqes, por gjithashtu, nga vëllezërit tanë myslimanë si një profet i madh, lutës i Perëndisë.

Shpresojmë nga thellësia e zemrave se kësaj herë do të dëgjohemi nga të gjitha fuqitë, duke u lutur përsëri për mëshirën e Perëndisë mëshirëplotë, dritës së vetme dhe shpëtimi i njerëzimit.