Të dielën, më 6 dhjetor ’92 festua në qytetin e Fierit dita e “Shën Kollit” në Kishën e Re dhe të bukur parafabrikat të Shën Gjergjit, e cila u përurua me këtë rast. Në këtë ngjarje festive, që u ndoq nga mijëra besimtarë orthodhoksë dhe qytetarë të besimeve të tjera të Fierit, mori pjesë dhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e Tij Anastasi, i cili drejtoi ceremoninë e bekimit të kishës së re dhe meshën e parë në të. Në fund përshëndetën edhe z. Anastasiadhi, në emër të grupit dhurues; myftiu i Fierit Enver Beqiraj, që solli përshëndetjet e banorëve të besimit mysliman dhe shprehu dëshirën e besimin që edhe më tej të vazhdojnë marrëdhëniet e harmonisë e mirëkuptimit mes dy besimeve; përshëndeti sekretari i Këshillit të Përgjithshëm të KOASh, z. Aleko Dhima etj. Më poshtë po japim në mënyrë të përmbledhur disa tregues tekniko-ekonomikë të kësaj kishe që u prodhua nga firma “FIBRAN” dhe u montua dhe u vu në shfrytëzim nga grupi i përbashkët inxhiniero-teknik shqiptar-grek.
Ideatori kryesor i saj ishte kryepiskopi i Tiranës dhe Shqipërisë Fort i Lumturi Imzot Anastasi, i cili duke u mbështetur në ndërtimet kishtare që ka kryer nëpër Afrikë dha idenë dhe bashkëpunoi për projektimin e kishës së parë parafabrikate në Ballkan. Grupi projektues duke u bazuar në idenë dhe në eksperiencën e firmës “FIBRAN”, eksperimentoi dhe punoi për herë të parë në kishën parafabrikat, të cilën e prodhoi dhe e montoi për 5 ditë në qytetin e Fierit për besimtarët e tij.
Bazamenti i betonarme ka përmasat 11.58 m gjatësi dhe 19.68 m gjatësi me një sipërfaqe 228 m2, ku u hodhën mbi 100 m3 zhavor natyral dhe mbi 58 m3 beton dhe beton arme dhe u shpenzuan për financimin e saj për N Industriale, Fier mbi 145 000 lekë të reja. U kryen nga vetë Zyra e Shërbimit Teknik punimet e shtresave të pllakave me sipërfaqe 230 m3, trotuarit dhe shkallët, linja e ujësjellësit dhe elektrikut dhe punimet e tjera të sistemit të territorit, deri në datën e përurimit me vlerë mbi 95.000 lekë. Kurse teknologjia e prodhimit të paneleve të mureve anësore dhe të mbulesave ishte një nga më të përparuarat e sistemit të ndërtimit parafabrikat të standartit evropian dhe bashkëkohor.
Lartësia maksimale e kishës është 5.55 m, kurse të dy pjesët anësore janë me lartësi 3.50 m. Struktura është në gjendje të përballojë gjatë një ceremonie fetare kapacitetin prej 280 vetash, pra e mjaftueshme për kushtet e sotme të rrethit të Fierit, duke pasur gjithnjë parasysh se ajo është e përkohshme deri sa të ngrihet kisha katedrale e Fierit, vendi i së cilës është pranë dhe është i lirë për ndërtim.
Në hartimin, projektimin, prodhimin, zbatimin dhe montimin e saj, krahas grupit inxhiniero-teknik shqiptar dhanë një kontribut të madh dhe të vyer grupi i specialistëve grekë të firmës “FIBRAN”, të përbërë nga inxhinierë: Dh. Anastasiadhi, A. Cangllas, LL. Dhiamantinis, dhe M. Anastasiadhi. Të cilët bashkëpunuan me palën tonë deri në vënien në shfrytëzim si dhe dhuruan të gjitha pajisjet e nevojshme dhe të domosdoshme për kryerjen e ritit fetar në këtë kishë. Prandaj përfitojmë nga rasti t’u shprehim mirënjohjen dhe falenderimet tona për këtë dhuratë të çmuar për qytetin e Fierit. Po kështu po punohet nga ana e Zyrës së Shërbimit Teknik edhe për rrethimin e teritorit të kishës me mure dekorative dhe me kangjella hekuri, të projektuar nga arkitekti fierak L. Gjeta. Punimet për rrethimin e kishës arrijnë vlerën prej 2 500 000 lekë të reja, nga të cilat është realizuar në Tiranë vlera mbi 500 000 lekë, kurse pjesa tjetër prej 2 000 000 lekë do të jepet si sipërmarrje ndërmarrjeve të ndërtimit të Fierit.
Po punohet edhe për projekt-idenë për kishën definitive Katedrale të Shën Gjergjit në Fier, në sheshin e lirë pranë kishës provizore, nga grupi i projektuesve Shqipëtarë, duke pasur edhe bashkëpunëtorë të huaj me eksperiencë në drejtim të objekteve të kultit orthodhoks, si arkitekti i njohur Jorgo Aksiotis dhe ing. Niko Konjutaqis. Grupi i përbashkët po punon me intensitet për përfundimin e tre projekt-ideve dhe me aprovimin e tyre nga KOASH do të fillojë menjëherë nga puna ndërtimore.
Ing. Petrika Shalësi
Përgjegjës i Zyrës së Shërbimit Teknik të KOASH
* Në emër të banorëve të besimit mysliman fierak i përshëndeti myftiu u Fierit, z. Enver Beqiraj.
* Kisha është dhuratë e firmës “Fibran”.
* Ajo ka përmasat, 11.58 x 19.68 m, dhe një sipërfaqe prej 228 m2.
* Po përgatitet projekti për Kishën e re Katedrale të qytetit të Fierit.