EmailFacebookKontakt

Mesazh i Presidentit të Republikës, zotit Sali Berisha, drejtuar besimtarëve të krishterë dhe gjithë popullit shqiptar, me rastin e festës së Krishtlindjeve

Ndjej kënaqësi të veçantë të përshëndes me rastin e festës së Krishtlindjeve, gjithë besimtarët e krishterë, shqiptarë kudo që janë brenda e jashtë vendit, duke u uruar nga zemra “Gëzuar e për shumë vjet Krishtlindjet”.

Festa e Krishtlindjeve në të gjithë botën ka qenë gjithmonë një mesazh paqeje dhe miqësie, një thirrje drejtuar ndërgjegjes mbarënjerëzore, për të gjetur forca në drejtim të së mirës, kundër dhunës e veseve. Ajo ka qenë gjithashtu një hallkë e fortë në zinxhirin që i lidh e i bashkon njerëzit me miqësi të vërtetë e që forcon unitetin e njerëzimit.

Është viti i parë që këtë festë, ashtu si shumë të tjera, populli ynë e feston në liri e në një shtet demokratik, ku njerëzit tanë të lirë mund t’i luten Zotit, jo vetëm në shtëpitë e tyre, por edhe në ndërtesat e kultit, që vetë populli i hapi. Përpjekjet për ringjalljen e fesë kanë qënë ndër hapat më të parë të luftës për liri e demokraci, sepse liria e vërtetë s’mund të kuptohet pa lirinë e besimit.

Besimi në Zotin, do të na ndihmojë në ndërtimin e Shqipërisë demokratike. Toleranca fetare, që ka qenë gjithmonë traditë e shqiptarit, do të na vëllazërojë edhe më shumë me njëri-tjetrin. Shqipëria si shtet laik, me tri fe të ndryshme që bashkohen në besimin te Zoti do të gjejë forca për t’u ndarë nga e kaluara e hidhur e një gjysëm shekulli vuajtjesh, për t’u ngritur moralisht e shpirtërisht aty ku e kërkon nderi dhe dinjiteti i tij, si një nga popujt më të lashtë të kontinentit të Evropës.

Ndoshta gjendja ende e vështirë ekonomike nuk do të lejojë që vogëlushët tanë ta festojnë këtë ditë si shumë fëmijë të tjerë të vendeve më të pasura se ne, por nuk duhet harruar se në botë ka fëmijë që këtë ditë e kalojnë nën frikën e bombave dhe kërcënimin e vdekjes nga uria. Le të urojmë që të jetë Krishtlindja e fundit e tillë për ta.

Ndërsa për popullin shqiptar jam i bindur se kjo frymë e lirisë që shoqëron sivjet këtë festë të shënuar vitin që vjen do të shoqërohet edhe me një nivel më të lartë mirëqënieje që do të arrihet me punë, besim, devotshmëri e shpresë në të ardhmen, pavarësisht se, si tregojnë edhe mësimet e urta të fesë çdo gjë e mirë arrihet me shumë mundime e sakrifica. Këtë e ka vërtetuar përvoja shumëvjeçare botërore dhe është gjithashtu besimi tek Zoti ai që do të jetë burimi i forcës së madhe për të përballuar këto vështirësi e sakrifica.

Edhe një herë ju uroj nga zemra.

Gëzuar Krishtlindjet!

Zoti qoftë me ju!

SALI BERISHA